Rikthimi i Sali Berishës në politikë u justifikua si një “domosdoshmëri historike”. Por sot pyetja thelbësore është pse u rikthye, kur çdo provë politike dëshmon se ai nuk e mund dot Edi Ramën, nuk e bashkon dot Partinë Demokratike, nuk ofron dot asnjë rrugë reale për rotacion pushteti dhe kur asnjë derë amerikane nuk i është hapur.
Berisha u rikthye duke deklaruar se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”. Nëse kjo tezë është e vërtetë, atëherë rikthimi i tij është paradoksal. Çfarë kërkoi të fitojë një lider që beson se zgjedhjet janë farsë? Nëse sistemi është i mbyllur, rikthimi i tij nuk është akt guximi, por një akt politik i pakuptimtë. Nëse, përkundrazi, zgjedhjet ekzistojnë, atëherë Berisha i ka humbur ato radhazi përballë Ramës. Në të dyja rastet, rikthimi i tij del i dështuar si në logjikë, ashtu edhe në rezultat.
Akoma më domethënëse është paaftësia për të bashkuar Partinë Demokratike. Berisha u rikthye me premtimin se do ta ribënte PD-në forcë shumice, por rezultati ishte përçarja më e thellë në historinë e saj. Një parti e copëzuar, pa drejtim dhe pa besim publik, e cila në asnjë moment nuk funksionon si opozitë reale, por si dekor politik i pushtetit.
Ngjarja e 8 janarit 2022 tregoi fytyrën reale të këtij rikthimi. Berisha tregoi se kishte forcë të sulmonte selinë e partisë së tij, por sot lind pyetja thelbësore: pse e njëjta “vendosmëri” nuk u drejtua kurrë ndaj Kryeministrisë? Pse zemërimi, mobilizimi dhe akti ekstrem u përdor kundër PD-së dhe jo kundër pushtetit që ai e quan “regjim”?
Sot, pafuqia politike e Sali Berishës nuk është më çështje perceptimi, por një realitet i prekshëm. Ai u rikthye pa rrugëdalje, pa projekt fitues dhe pa aftësi unifikuese. Në vend që të sfidonte Edi Ramën, sfidoi vetë partinë e tij. Ky është ndoshta dështimi më i madh politik i një figure që dikur e dominonte skenën shqiptare por sot nuk kontrollon dot as veten e tij.
Komente









