Ernest Hemingway, letrat që zbulojnë
dashurinë e kohës së gjimnazit 

Ernest Hemingway, letrat që zbulojnë<br />dashurinë e kohës së gjimnazit 
Botuar në The Paris Review: më 4 maj, 2017
Përktheu: Fiona Kopali

Një pasdite të kohëve të fundit në Boston, Betsy Fe   rmano po ecte përgjatë një ekspozite të titulluar “Ernest Hemingway: Midis Dy Luftrash” në Bibliotekën dhe Muzeun John F. Kennedy.

Midis artifakteve, fotove të vjetra, pikturave, dhe shkrimeve të Hemingway-t, i zuri syri një mbiemër në një dorëshkrim: Coates. 
Frances Elizabeth Coates ishte gjyshja e Fermamos dhe shoqja e klasës së Hemingway-t në gjimnaz. Ai përdorte një version të emrit të saj, “Liz Coates”, në tregimin e tij të ngarkuar seksualisht më 1923 “Lart në Michigan”  dhe emri i saj përmendet edhe në punime të tjera të tij.
Kjo, për shkak se Hemingway ishte i dhënë pas saj. Ata u takuan për një kohë të shkurtër, ndonëse thuajse askush, gjer tani, nuk dinte gjë për historinë e tyre. Për pensionisten Fermano, 67 vjeç, dikur administratore zhvillimi, nuk ishte aspak habi: ajo ka letrat 99 vjeçare të Hemingway-t, për të cilat nuk ka dijeni askush jashtë familjes.

“Është një zbulim vërtet mahnitës,” thotë Sandra Spanier, profesoreshë e gjuhës angleze në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, dhe redaktore e përgjithshme e Projektit të Letrave të Hemingway-t. “Gjetja e letrave kaq të hershme, është jashtëzakonisht e rrallë. Kemi një imazh të ri të tij. Do të ishte me shumë interes për biografët e së ardhmes.”

Spanier thotë se letrat e reja e “nxjerrin në dritë” përvojën e gjallë të Luftës I Botërore për Hemingway-n , dhe paraqesin një anë të panjohur mirë të autorit premtues, ngaqë shumë pak të dhëna kanë mbijetuar nga ajo periudhë.

“E shohim lozonjar, edhe mburret disi, ashtu siç bëjnë djemtë e rinj. Përpiqet ta bëjë xheloze,” thotë ajo. “Por ka edhe atë vetëironinë, që është shumë joshëse. Është krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim në letrat e tjera.”

Më 1918, pak pas mbarimit të gjimnazit, Hemingway shkoi në Itali për të shërbyer si shofer vullnetar ambulance në Luftën I Botërore. Pasi u plagos nga një shpërthim murtaje, kaloi ca kohë në një spital në Milano, gjatë së cilës mendja i shkonte te Coates.

Hemingway 19 vjeçar vijonte të ishte aq i dashuruar pas shoqes së klasës, sa i shkroi motrës së tij, Marcelline, dhe i kërkoi “të njoftosh Frances Coates se yt vëlla është me një këmbë në varr. Dhe i lutem të më shkruajë. Bëje ta përsërisë adresën, që të mos ketë nga t’ia mbajë. Thuaji se e dua, thuaji çfarë të duash.”

Coates i ktheu përgjigje, por ajo letër ka humbur. Çfarë ka mbetur, janë dy letra të panjohura më parë të Hemingway-t për Coates-in, të ruajtura në një sënduk për dekada me radhë. Korrespondeca daton në kohën kur Hemingway ende nuk ishte i njohur, kishte vetëm një grusht me tregime.
Në një prej letrave, që daton më 15 tetor, 1918, Hemingway i shkruan stacionit të Kryqit të Kuq Amerikan, mbi tabakanë e spitalit, “pranë dritës së qiririt ngulur në bajonetë.” Ai vijon: “... tanimë, mund të lexoj, flas, dhe shkruaj letra dashurie në italisht ... Kurrë nuk jam munduar ta thërras ndokënd “Thesari im” por “Tesor a mea” [teksti ka gabime] më vjen natyrshëm ... Është gjuhë e fisme, prandaj, që ta heq qafe, do të më duhet të shkoj shpesh në tregjet e frutave në SHBA!”

[gallery]22156[/gallery]
Pavarësisht dyshimeve se Frances mund të ishte personi në fjalë, ajo nuk duket se e pranonte. Megjithatë, sende të tjera në sëndukun e Fermanos tregojnë se ajo e ndoqi me interes jetën dhe karrierën e tij. Ruajti ca shkrepje të Hemingway-t të plagosur në Milano, dhe disa fotografi të një udhëtimi sëbashku me varkë kanoe. Gjendet edhe një zarf me fletë gazete të prera që gjurmojnë kur Hemingway u bë i njohur, njoftimin e aventurave të tij nëpër botë, katër martesat e tij, dhe vetëvrasjen më 1961. Frances-i ruante edhe foton e gjimnazit të Hemingway-t, vendosur në një kornizë të vogël ngjyrë ari, stolisur me gajtanë po të artë. Fermano mbante edhe një dorëshkrim dhjetëfaqësh të papublikuar, shkruar  prej Frances sesi u rrit me “Ernie-n”: një dokument i pashoq që na jep nga afër të dhëna për vitet e rinisë së shkrimtarit në Oak Park, Illinois.

Para se të takoja Fermanon, jam marrë me një tjetër grua misterioze të së shkuarës së Hemingway-t, Annette DeVoe, prej një poezie që ndodhet në librin tim Hemingway i fshehtë. Në poezi, Hemingway i ri premtonte dashuri: “Me kënaqësi do të shkoja edhe në ferr me ty/ Ose do të jepja edhe jetën.” Gjeta familjen e  DeVoe, që më konfirmuan se kishin patur diçka bashkë; në fakt, DeVoe, ashtu si Coates, gjithë jetën ka ruajtur një fotografi të Hemingway-t. Kjo bie në kundërshti me biografitë e mëparshme, që portretizojnë autorin si të dhënë pas aktiviteteve në natyrë dhe të pafat me vajzat.

Teksa shihja letrat e Hemingway-t të asaj periudhe, më dilte shpesh emri i Coates-it pranë atij të DeVoe-s. Në fakt, motra e Hemingway-t e qesendiste me një poezi se i kishte rënë në kokë për Coates-in, ndoshta nga prirja e tij për të hapur letrat e saj që “të zbuloj se çfarë mendon ajo për mua.”
“Frances, idhulli i tij, me sytë bojëqielli!” nis poema:
Ai vret mendjen nëse F Coates po e sheh
Drejton kravatën, lëshon një psherëtimë
Por ah, ta dinit si fluturon kur e ëmbla F.C. kalon atypari!
Askush nuk e pëlqen Ernesin, kjo është e sigurtë
Dhe kur ai shkruan tregime, i themi boll më.

Poezia reflekton opinionin e përgjithëm mbi Hemingway-n adoleshent: edhe shokët e tij të gjimnazit thoshin se ka më shumë të ngjarë ta shohësh atë me një grep peshkimi, sesa me një vajzë. Më 1984, mëse gjashtë dekada pas mbarimit të gjimnazit, shoqe klase dhe fqinjë e tij, i tha gazetës Chicago Tribune se ndonëse Hemingway nuk ishte “fort tërheqës për vajzat”, ishte “shumë i njohur midis djemve.”
Larson shtoi: “Frances Coates është e vetmja vajzë, me të cilën mbaj mend ta kem parë.”
Gjatë telefonatës sonë të parë, e pyeta Fermanon nëse kishte dijeni mbi lidhjen e gjyshes së saj me Hemingway-n. Po, u përgjigj Fermano, e dinte se Coates-i ka dalë për darkë me Hemingway-n e ri, por kishte dyshime se interesi ishte i njëanshëm.

“Gjyshja gjithnjë e zbuste, dhe thoshte se gjithnjë kishin qenë thjesht shokë,” kujton Fermano. “Edhe mund të ketë patur mundësi që ajo marrëdhënie të zhvillohej, por në atë kohë, Fances-i kishte mëtues John Grace,” një shok klase, me të cilin u martua më 1920.
Frances është një dijeni të këtyre prej copëzave të bisedave me gjyshen e saj shumë elegante, por fort të përmbajtur. Gjithashtu, ka lexuar edhe kujtimet e pabotuara të Coates-it për të riun Hemingway. Ajo shkruante se Hemingway ishte një djalë fantastik, pak i çuditshëm që pengohej me këmbët e veta ... në jetë, një ngatërrestar me flokë shumë të errët, e me buzë të kuqe flakë. Dhëmbët i kishte shumë të bardhë, lëkurën të zbehtë, e nën të dukej gjaku që pulsonte, i cili e bënte shpesh të skuqej. Më vonë, mjekra i erdhi shumë në ndihmë, e mbrojti dhe i mbuloi këtë ndjeshmëri. E gjithë fytyra i ndryshonte kur qeshte.

“Kënaqeshin shumë bashkë,” shkruante Coates, “rrëshkitje në akull, shëtitje, kinema, dhe opera.”
Gjithashtu, në dokument gjejmë edhe përshkrime të nënës së Hemingway-t (“Një grua shumë dinjitoze ... [që] lëvizte si anijet, me madhështi dhe autoritet”) dhe një deklaratë të ashpër për personalitetin e tij (“Kompleksi i inferioritetit i mbeti gjer në fund, dhe me të erdhi edhe arroganca dhe nevoja për t’u bërë dikushi ... një xhelozi vrastare për prestigj, dhe një nevojë ... e vazhdueshme sflilitëse për miratim nga të tjerët”).
Fermano nuk mendonte se dikush do të kishte interes për letrat thuajse njëshekullore, që Hemingway kishte shkruar për një shoqe klase të panjohur. Coates-i dhe Hemingway ndanin bashkë afërsinë si staf i revistës letrare të gjimnazit, Tabula, ku Hemingway ishte bashkëpunues, kurse ajo ishte redaktorja muzikore. Ishte një vit më e madhe se ai, maturante kur ai kishte edhe një vit shkollor më tepër për të ndjekur.

Vetë Coates-i ishte një figurë shumë e përmbajtur. Ndonëse u bë një këngëtare e suksesshme e operas, dhe ishte mësuar të dilte në shtyp, ajo nuk e bëri publike lidhjen e saj me Hemingway-n, dhe ngurronte të fliste mbi të, edhe me biografin e parë të shkrimtarit, profesorin e Universitetit Princeton, Carlos Baker, më 1963, dhe sërish më 1966. Ajo nuk pranonte t’i bashkëngjitej shpërthimit të kultit të Hemingway-t , dhe të kujtonte ato vite në Oak Park ishte e mundimshme, sepse nëna e Coates-it në ato kohë ishte e sëmurë, dhe vdiq në moshë të re.

Baker, sidoqoftë, e përmend Coates-in në një paragraf të vetëm, por të fuqishëm, që gjurmon lidhjen e Hemingway-t me të në prill të 1916, në shfaqjen Martha, një opera me tre akte. Në skenë, Coates-i luante një gjahtare në kor, dhe “Shërbëtoren e tretë”. Baker shkruan: “Teksa luante në violinçel në orkestër, Ernesti zor se i mbante sytë në partiturë. Shoku i tij, Al Dungan, një karikaturist i talentuar, ka bërë një karikaturë të një djali me sy të dëshpëruar dhe e ka titulluar: “Erni sheh një vajzë me emrin Frances.” Ai kishte drojë t’i kërkonte të shkonin bashkë në mbrëmjen e maturës, më 19 maj.”
Në një letër pa datë dhe të padërguar, e shkruar pas botimit të librit, Coates-i falenderon Baker-in për një sqarim: “Gjersa lexova librin tuaj, nuk e kisha kuptuar asnjëherë vërejtjen e hidhur të [Hemingway-t] kur i thashë se John-i dhe unë ishin fejuar, ‘Gjithë vajzat e mira janë të zëna!’”

Dy dekada më vonë, Hemingway mund ta ketë shfaqur hidhërimin e tij në Të kesh e të mos kesh. Duke lexuar romanin, Frances-i njohu përshkrimin e gjerë të saj dhe John-it, një i diplomuar në veriperëndim, dhe nëpunës i suksesshëm hekurudhor, posaçërisht, kur Hemingway rrëfen për një djalosh të një shoqërie sekrete elitare të një universiteti prestigjioz:
I fejuari është anëtar i Skull and Bones, si më i suksesshmi, më i njohuri, që akoma mendon më shumë për të tjerët sesa për veten, dhe do të ishte tepër i mirë për këdo, përveçse për një vajzë të mirë si Frances-i. Ai është ndoshta pak si tepër i mirë për Frences-in, por do të duhen vite që ajo ta kuptojë; nëse do të ketë fat, nuk do ta kuptojë kurrë. Lloji i burrit të përshtatshëm për shoqatën është rrallëherë i përshtatshëm për në shtrat; por me një vajzë aq të mirë sa Frances-i, qëllimi vlen po aq sa performanca.

Coates-it nuk mund t’i shpëtonte nota e mërisë në të: “Vajta në ballot e kërcimit Country Club me John-in, hipa në makinën e madhe dhe të feksur Packard të babait të tij, teksa kuptoj si mund t’i jetë dukur Ernit (njeriu nuk i kupton këto gjëra kur është i ri).”
Nëna e Hemingway-t duket se e admironte Coates-in po aq sa ai. Në albumin e familjes, Znj. Hemingway nënvizonte emrin e Coates-it në programin e operas, ku ajo i ra për herë të parë në sy djalit të saj. Pranë tij, shkroi: “Vajza më e hijshme, e fisme, dhe magjepsëse në skenën e gjimnazit. Është e admirueshme ... “

 Të paktën, një prej letrave të Coates-it për Znj. Hemingway gjendet në Qendrën Harry Ransom në Austin. Në maj, 1924, Coates-i shkruan: “dhuarat e miqësisë dhe mirëkuptimit tuaj është për mua si thesar në vite.”

Dokumentet e Coates-it ngrenë disa të panjohura. Ajo i referohet letrave të tjera që Hemingway i ka shkruar nga qyteti i Kansasit, ku punoi si reporter për Kansas City Star para se të dilte vullnetar për Kryqin e Kuq. Kjo korrespondencë nuk është gjetur, as ndonjë letër e Coates-it prej motrës së tij, Marcelline, në të cilën fajëson Frances-in për largimin e vëllait të saj si vullnetar i Kryqit të Kuq Amerikan. Nëse Coates-i do t’ia kishte kthyer ndjenjat, thotë Marcelline, Hemingway mund të kishte qendruar.

Por Marcelline po përpiqej edhe në anën tjetër: ajo nuk e shkurajoi kurrë Hemingway-n për Coates-in, edhe pas fejesës së saj. Në një letër, që daton më 5 korrik, 1918, Marcelline i shkroi Hemingway-t në Itali: “Besoj, se e ke marrë vesh ... Fances Coates dhe Jack Grace janë fejuar? U njoftua ditën kur ti u largove! (E mençur Frances-i)” Muajin në vazhdim, më 25 gusht, ajo shtoi: “Në letrat e mëparshme të tregova për fejesën e Frances Coates-it me Jack Grace, por do t’i them të të shkruajë, sidoqoftë. Ajo nuk është ende vejushë, e ke parasysh.”
Sa u takon vetë Hemingway-t dhe Coates-it, letra e fundit e gjetur mes tyre ka qenë nga Coates-i, në janar, 1927, kur djali i parë i Hemingway-t, John-i, ishte tre vjeç, dhe pa dijeninë e Coates-it, martesa e tij me gruan e parë, Hadley, kishte marrë fund.

“Sapo mbarova Dhe lind dielli dhe ti më del parasysh kaq fuqishëm, sa më duhet të të them sa e shijova këtë libër,” shkruan ajo, duke thënë se romani “ta copëton zemrën”. Vijon: “Vitet po të bëjnë të çuditshëm, do të dëshiroja shumë të të takoja, nuk e kam parë prej mbi një viti Marce-in, por dikush më tha se po ktheheni. Kam një vajzë shumë të bukur për djalin tënd, dhe do të doja të njihja edhe gruan tënde të mirë, Hadley ... Edhe Jack-u mendon si unë, dhe dëshiron t’ju takojë të dyve.”

Fermano nuk e di nëse Hemingway u përgjigj, apo nëse u takuan ndonjëherë.
Gjyshja e saj, pavarësisht nostalgjisë që vjen me këto sende, ishte qartësisht e kënaqur me zgjedhjen e saj. Fances dhe John qenë të martuar për 67 vjet. Ata rritën një vajzë, udhëtuan nëpër botë, dhe vdiqën njëri një vit pas tjetrit, më 1988 dhe 1989. Mbi zarfin që përmban fotot e saj me Hemingway-n, Coates shkruante: “Fotografitë e Ernit / Dhe 25 vjet më vonë uh! Jam e kënaqur që u martova me John-in.”

Redaksia online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet