Në shekuj, njerëzit më të mençur të Tokës, janë përpjekur të zbulojnë misterin e jashtëzakonshëm të Njeriut, por pak vetë kanë mundur të hedhin dritë në honet më të errëta brenda tij. Duket se dikush prej nesh ka brenda Errësirën dhe dikush tjetër ka brenda Diellin. Shumë vonë është gërmuar për të kuptuar e njohur dhe rruga duket ende e gjatë, ndërkohë që errësira dhe humnerat, në momente të vështira të jetës gllabërojnë vetë njeriun e shpesh edhe njerëz që ka përreth tij. Ata më të fismit, kur kjo ekzistencë bëhet e padurueshme u bëjnë keq vetes, të tjerë, u bëjnë keq vetes dhe të tjetërve përreth. Krimet më të rënda vazhdojnë të rezistojnë mes njerëzimit si të ishte fillimi i tij: nëna vret fëmijën, babai gruan, fqinji fqinjët e i zhgënjyeri në “dashuri”, (sepse historia e Latollarit nga Gjonomadhi i Korçës nuk është Dashuri. Ku ka Dashuri ka vetëm Diell dhe errësira largohet) e kështu në arkivat e medias krimet shtohen. Në Botë, si në Shqipëri.
Shumë, ngjarjet e rënda i konsiderojnë si probleme të vetmisë, të braktisjes, të periferisë, të mungesës së civilizimit, por kronikat, faktet tregojnë, se nuk është tamam kështu. Edhe mëndjet më të ndritura, njerëz të pasur e të mençur kanë kaluar një ekzistëncë të vështirë; kanë bërë krim.
Në shekuj Njeriu ka mësuar të bëjë shumë gjëra, të shkojë në Hënë e të synojë Universin, të udhëtojë rreth Tokës në më pak se 80 ditë, por ende nuk ka mësuar të udhëtojë e të zbulojë çfarë ka tamam brenda tij.
Njeriu i sotëm nuk di të rrijë vetëm e të ndjehet mirë me veten; ka frikë prej humnerave dhe errësirës që e gëlltit dhe nuk bën asgjë që të vëzhgojë e hulumtojë për ta rregulluar e përmirësuar, për të futur brenda qoftë edhe një qiri dritë. Kapet me thonj tek të tjerët: tek feja, tek një grua, te një prind, te një burrë, te një fëmijë, te një objekt. Dhe kur mbetet vetëm, vdekja kërcënon Njeriun e errësirës, por shpesh dhe të tjerë rreth tij.
Në këto vitet e fundit të shpërthimit të rrjeteve sociale, mijëra njerëz me lehtësi e shpejtësi hedhin në rrjet errësirën e tyre të brendshme. Agresiviteti spontan, verbal, nuk bën dallim: mund të jetë i shprehur nga një grua, nga një nënë, nga njerëz të mësuar njësoj si dhe nga më të pamësuarit e përjashtuarit e shoqërisë. Akoma më e rëndë situata në komentet në mediat online, komente të cilat mund të bëhen dhe në anonimat. Kush punon në mediat sociale dhe moderon flukset e komenteve për ngjarje të ndryshme e di mirë: Negativiteti dhe agresiviteti mbizotëron 95 përqind të komentuesve.
Në rrjetet sociale, vetëm me një vëzhgim të shpejtë shihet kollaj se vetmia e madhe dhe errësira mundon shumë vetë, e mes tyre, vetëm pak e tek tuk, ndonjë rreze Dielli.