Çertifikimi i votave elektorale në Kongres, besnikët e Trump kërkojnë ta pengojnë, presidenti në largim thirrje për protesta qytetare

Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të mblidhen ditën e sotme në një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale që rezultuan nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, seancë e cila do të fillojë në orën 13;00 të orës lokale.

Ky veprim rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje pasi Kolegji Elektoral më 14 dhjetor e zgjodhi zyrtarisht kandidatin demokrat si fitues në këtë cikël zgjedhor, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump, pasi një pjesë e madhe e përfaqësuesve republikanë do të kundërshtojnë procesin.

Drejtues i kësaj seance do të jetë zëvendës presidenti në largim Mike Pence, i cili në fakt do të përballet me një nga sfidat më të mëdha të tij, pasi presidenti i ka kërkuar të mos pranojë certifikimin e rezultatit.  

Më shumë se 100 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbi 10 në Senat kanë thënë se do të kundërshtojnë numërimin e votave elektorale nga gjashtë shtete të lëkundura që i fitoi Biden (Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini ) dhe do të kërkojnë ngritjen e një komisioni për një auditim të rezultateve zgjedhore.

Kjo sfidë pritet të dështojë pasi demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë të bashkuar në mbështetje të Biden. Presidenti në largim Donald Trump, ka luajtur një rol të madh në këtë situatë, pasi ende nuk e ka pranuar humbjen. Ai u ka bërë presion republikanëve në Kongres dhe zyrtarëve të përmbysin rezultatin, shpesh duke përdorur forcën e popullaritetit të tij në elektorat, duke kërcënuar republikanët se mund t’u dëmtojë shanset e rizgjedhjes në të ardhmen.

Presioni i presidentit dëgjohet qartë në telefonatën e së shtunës ku i kërkon republikanit Brad Raffensperger, sekretar i shtetit në Xhorxhia të “gjej” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.

Ekipi zgjedhor i presidentit dhe aleatët e tij kanë ngritur 61 padi për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve në një numër shtetesh. Ata kanë humbur 60 prej padive, pasi nuk kanë ofruar prova që mbështesin pretendimet për manipulime apo parregullsi.

Presidenti gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Uashington të mërkurën, duke bërë që kryetarja e bashkisë së qytetit t’u bëjë thirrje banorëve që “të mos të përballen me protestuesit që vijnë në qytetin tonë duke kërkuar konfrontim”.

Nuk është hera e parë kjo në historinë amerikane që ka kundërshti ndaj rezultatit të zgjedhjeve, por të cilët kanë qenë jetëshkurtër ndaj numërimit të votave elektorale në 2001, 2005 dhe 2017.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka