Si e vlerësoni votimin e djeshëm, kur në kohë rekord u votua kandidati Çefa? Pse me kaq “ngut” votimi, ndërkohë që mund të ishte shtyrë në kohë?
Procesi i dy ditëve më pare për të votuar anëtarin e KLD-së tregoi fytyrën e vërtetë të një pushteti dhunues dhe hajdut. Ai ishte kulmi i dhunimit dhe vjedhjes së votës së lirë, një rast i paprecedent në historinë e parlamentarizmit, për faktin dhe se procesi ishte drejtuar dhe kontrolluar nga vetë kryeministri Sali Berisha. Një pjesë e veprimeve të kryeministrit nuk janë filmuar, pasi nuk lejoheshin kamerat televizive dhe deputetët e PS nuk kishin mundësi në ato çaste, por në seancën e ditës së enjte pashë një kryeministër që kishte dalë jashtë kontrollit. Më vjen turp që vendi im ka një kryeministër të till. Menjëherë sa po shikoja sjelljet e kryeministrit në drejtimin e votimit, më shkoi në mendje se dhe komisionerët e Ruzhdies u sollën në të njëjtën mënyrë kur vodhën votat në 2009, por dhe si shumë komisionerë të PD-së të cilët ne jemi përballur këto vite. Të njëjtat veprime, të njëjtat sjellje, të shpërfytyruar, dhunues të votës së lirë, uzurpues mbi të drejtat e çdo votuesi. Pa diskutim në gjithë këtë maskaradë kryeministrin e ndihmoi dhe Kryetarja e Kuvendit, që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat pozitive në 100 vite që ka krijuar historia parlamentare e vendit tonë. Ishte një votim antidemokratik, antikushtetues ku nuk pati garë dhe kjo e përkeqëson më tej imazhin parlamentar në përfytyrimin që krijojnë partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi është i qartë, pse Sali Berisha kërkon të uzurpojë institucionin më të lartë të drejtësisë. Ai, familja dhe oborri pranë tij kanë kryer shumë zullume, kanë vjedhur pasurinë kombëtare dhe private, kanë vrarë njerëz të pafajshem, kanë kryer privatizime korruptive, kanë shkatërruar prona publike, ka shitur Shqipërine te të huajt dhe shume veprime të tjera që janë antikombëtare. Ky person për veten, familjen dhe oborin e ti,j po kërkon mbrojtje që sot për veprimet kriminale që ka kryer, kërkon garanci për të ardhmen, kërkon garanci për pronat e vjedhura. Ky është qëllimi që ai kërkon të uzurpojë institucionet kushtetuese.
Mendoni se në këtë mënyrë mazhoranca qeverisëse do të rrëmbejë edhe Presidentin, pikërisht, duke shkelur rregulloren të pretenduar nga ju gjatë votimit?
Te Sali Berisha nuk kemi besim për procese transparente, bashkëpunuese në shërbim të vendit, procese për të mbështetur qytetarin e zakonshëm, pasi axhenda e tij është rrënimi i vendit, kurse e PS-së është integrimi në Europën demokratike. Veprimet e tij në këto 20 vite e kanë treguar qartë këtë. Ai në zgjedhjen e anëtarit të KLD-së testoi procesin manipulues që kishte përgatitur për zgjedhjen e Presidentit. Nga ky kryeministër mund të presësh gjithçka, për të nuk ka rregulla, procedura, ligje, Kushtetutë. Për të ka vetëm pushtet apsolut për të plaçkitur Shqipërinë.
Do ti bëni thirrje Presidentit për mos dekretimin e anëtarit të KLD?
Kandidati që fitoi dje, me vota të vjedhura e të dhunuara, në një proces antikushtetues, nuk dekretohet nga presidenti por mandati i tij duhet të verifikohet nga KLD-ja. KLD, si tempulli më i lartë i drejtësisë, duhet të jetë në lartësinë e saj që përfaqëson dhe nuk duhet ta miratojë mandatin e këtij kandidati. Nëse ndodh miratimi i mandatit, atëhere përfundimisht ky institucion e ka humbur kredibilitetin e tij. Mendoni që institucioni më i lartë i drejtësisë ka në përbërjen e vet individë të zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Kush mund të ketë më besim në këtë institucion. Por në Shqipërine e uzurpuar nga pushteti i Sali Berishës ndodh gjithçka.
(im/shqiptarja.com)