Lezha ishte qyteti ku ish-deputeti i PD Ervin Salianji zhvilloi foltoren e radhës ditën e sotme. Në këtë takim morën pjesë një numër i madh demokratësh, të cilët mbushën plot Pallatin e Kulturës në këtë qytet.

Gjatë fjalës së tij, Salianji ka deklaruar se nuk ka asnjë synim për të krijuar një forcë tjetër politike, duke theksuar se angazhimi i tij mbetet brenda Partisë Demokratike, të cilën synon ta bëjë parti fituese.

'Unë nuk do të krijojë forcë tjetër politikie, shtëpia ime është Partia Demokratike dhe ne atë do ta bëjmë fituese. Shqetësimi është se si 5 fantastikët që janë lidership të PD nuk i dëgjojnë shqetësimet e demokaratëve', tha ai.

Salianji është shprehur se statuti i PD-së nuk parashikon përjashtime për mendim ndryshe, por sipas tij, të largon nga pozita në parti në momentin që humbet zgjedhjet.

 “Kjo puna e përjashtimeve ka vetëm një element. Nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe. PD është demokratizuar edhe me statut. Dhe statuti nuk të largon për mendim ndryshe, por vetëm nëse humbet zgjedhjet. PD ka nevojë për ripërtëritje”, tha mes të tjerash Salianji.

Ai tha se PD duhet të bëhet forcë fituese duke bashkuar të gjithë opozitarët që, sipas tij, prej 13 vitesh “derdhen në opozitë”. Salianji theksoi se vetëm përmes bashkimit të plotë të opozitës mund të realizohet rotacioni politik në vend.

‘Duhet ta bëjmë PD fituese, të bashkojmë të gjithë demokartët që dergjen prej 13 vitesh në opozitë, të bashkojmë popullin opozitar dhe të bëjmë të mundur rotacionin. Ne i kemi qëndruar qëndruar përballë qeverisë më banale dhe më të korruptuar në historinën e Shqipërisë. Kam marrë shumë mesazhe nga demokratë nga i gjithë vendi. Por ajo që po ndodh në Lezhë është se salla është e mbushur plotë. Demokratët duan ndryshim, Shqipëria do ndryshim. Demokratët e Lezhës i kanë provuar të gjitha, në këto vite gabimet e lidershipit të PD dhe braktisje nga lidershipi, por se kanë humbur shpresën asnjëherë', tha ai.

Salla e mbushur plot në takimin e Salianjit tregon se demokratët nuk i janë bindur thirrjes së PD-së për ta bojkotuar takimin e Salianjit, ku një ditë më parë, PD e Sali Berishës u dërgoi demokratëve të Lezhë një mesazh ku u kërkohej të mos bëhen pjesë e takimit.

Në mesazh demokratëve u thuhej se takimi i Salianjit ka tërësisht axhendë private dhe se po organizohet me ndihmën e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:50
“Sallën ta mbushi Pjerin Ndreu”- Salianji i përgjigjet akuzave të Berishës: Turp i madh, të flet frika dhe jo arsyeja! Po akuzoni demokratët që duan ndryshim

1768762252_Salianjiiirt.png

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, duke folur për Report TV pas përfundimit të takimit në Lezhë, i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës se tubimin ia organizoi kryebashkiaku socialist Pjerin Ndreu.

Salianji i cilësoi deklaratat e Berishës si një ‘turp i madh’, që sipas tij nuk vinin prej arsyes, por prej frikës nga humbja e privilegjeve të pushtetit të opozitës.

Ai vijoi gjithashtu duke thënë se Berisha dhe kupola e PD-së po akuzonin demokratët se i kishte organizuar një kryebashkiak socialist.

Salianji shtoi se do të vijojë të qëndrojë në PD dhe do të përpiqet për ta ndryshuar këtë parti, teksa theksoi se termi ‘vetëpërjashtim’ që përmend Berisha, nuk ekziston në koncept në Statutin e PD-së.

Pjesë nga diskutimi:

Pyetje: Kryetari i PD-së ju ka akuzuar se këtë takim e ka organizuar Pjerin Ndreu dhe socialistë të tjerë, çfarë komenti keni?

Salianji: Ju flet frika, jo arsyeja. Këtu janë demokratë dhe është turp i madh që të akuzosh demokratët që duan ndryshim se i organizon një kryetar bashkie me të cilin unë jam përplasur, kam reaguar fort dhe e kam akuzuar për të gjitha zullumet që ka bërë. Takimi organizohet nga demokratë, e patë që ishte takim masiv, e patë që thirrja e demokratëve ishte për ndryshim dhe për ta bërë PD-në fituese. Kështu që të fokusohemi tek idetë dhe jo te budallallëqet që vijnë për shkak të frikës dhe jo të arsyes.

Pyetje: Ju thatë që nuk do krijoni një parti të re, por ndërkohë PD thotë se jeni vetë-përjashtuar. A keni një koment?

Salianji: Nuk ka vetë-përjashtim në PD, nuk njihet si koncept. Unë do të jem në PD dhe do ta ndryshoj PD-në deri në fund.

 

Ora 19:24
Sulmet e Berishës dhe Nokës, Salianji: Unë kam lindur në PD, jo në Partinë e Punës! Familja ime s'ka marrë tenderë nga qeveria

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar sulmet e kryedemokratit Sali Berisha dhe të sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka në drejtim të tij, duke thënë se ato vijnë nga frika e humbjes së privilegjeve të pushtetit të opozitës.

Komentet Salianji i bëri gjatë një takimi me demokratët në Lezhë, ku tha se ka qenë gjatë gjithë kohës në opozitë me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, dhe se ai dhe familja e tij nuk kanë përfituar asgjë nga pushteti i socialistëve.

Më tej Salianji duke ‘thumbuar’ Berishën, tha se vetë ka lindur në PD dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e Partisë së Punës.

“Lidershipi i PD-së nuk po zgjohet ende pavarësisht takimeve masive që ne po bëjmë në çdo qark. Këtë duhet ta themi. I keni dëgjuar se guximi për të thënë marrëzira i ka çuar deri aty sa ça nuk thonë për demokratët e jashtëzakonshëm që mbushin sallat në çdo cep të Shqipërisë dhe që kërkojnë që PD të jetë fituese. Çfarë nuk po thonë edhe për mua. Nuk ka gjë, mos u mërzisni. Njerëzit e trembur nga humbja e privilegjeve të pushtetit të opozitës, çfarë nuk do thonë. Sepse flet frika dhe jo arsyeja e tyre.

Por një gjë do u’a them. Unë jam lindur në PD, nuk kam qenë ndonjëherë në Partinë e Punës, as kam ikur ndonjëherë nga PD, kam qenë në opozitë gjithë kohës prej PD-së me qeverinë. Familja ime dhe unë personalisht kemi marrë vetëm kosto nga opozita. As tendera, as leje, asnjë të punësuar në shtet.

Nuk kam unë asnjë familjar të punësuar në shtet, as nipa, as mbesa të punësuar në administratën e PS-së dhe asnjëri që fuqizohet ekonomikisht prej lidershipit të PD-së. Edhe këtu e kam një pyetje të sinqertë, për lidershipin që tha ‘opozita është e vështirë’. Opozita është e vështirë dhe e di secili prej 3 milionë shqiptarëve, por pyetja ime është e thjeshtë: ‘A e ndiejnë opozitarizmin të nderuar miq dhe demokratë, njerëz që kanë 35 vite që paguhen me rrogë për shkak të sakrificave të demokratëve, që paguhen për shkak të përballjeve të demokratëve me rrëgjimin?’”, tha mes të tjerash Salianji.

Ora 19:20
Salianji i ashpër me lidershipin e PD: Bëni si tigra me demokratët, përballë qeverisë rrini si mace

Ish-deputeti Ervin Salianji nga Lezha kritikoi ashpër lidershipin e PD-së, duke e përshkruar si të larguar nga baza dhe të fokusuar te privilegjet e veta, ndërkohë që demokratët vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur për ndryshim.

Salianji theksoi se forca e PD-së vjen nga vota dhe mbështetja e anëtarësisë, dhe se asnjë lider nuk mund të pengojë bashkimin e demokratëve për të sfiduar qeverinë aktuale.

“Çfarë është ky lidership që kërkon të bëhet tigër me demokratët dhe mace përballë qeverisë? Demokratët janë të fortë, rrinë në këmbë dhe nuk ka forcë që ndalon bashkimin e tyre,” përfundoi Salianji.

Ora 18:56
'Statuti të largon kur humbet zgjedhjet', Salianji ‘thumbon’ Berishën: S’ka përjashtime për mendim ndryshe

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shprehur se Statuti i PD-së nuk parashikon përjashtime për mendim ndryshe, por sipas tij, të largon nga pozita në parti në momentin që humbet zgjedhjet.

Komentet Salianji i bëri në një takim me demokratët në Lezhë, teksa iu kundërpërgjigj deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha, i cili tha se ish-deputeti demokrat është vetë-përjashtuar nga partia.

Salianji tha gjithashtu se ka një ndryshim mes tij dhe kupolës drejtuese të PD-së. Ai e cilësoi veten figurë fituese, ndërsa kupolën e PD-së humbëse seriale të zgjedhjeve. Më tej me ironi Salianji pyeti se çfarë i pengonte 5 personat e kupolës drejtuese të PD-së që ta bënin partinë fituese, teksa theksoi se në gjendjen aktuale opozita e ka të pamundur të vijë në pushtet.

“Në Shqipëri demokratët nuk kanë më frikë, nuk kanë çfarë të humbin. Interesi im është që PD të vijë në pushtet, ndërsa këta kanë hall të sulmojnë demokratët që kërkojnë PD të vijë në pushtet. Por pse sulmojnë këtë më shumë demokratët sesa Ramën? A dini gjë ju? Ne po na gjykojnë ata që humbin çdo palë zgjedhje. Ne jemi ndryshe, ne jemi fitues. Ne kemi guximin për të fituar. Askush nuk na largon dot nga PD.

Ne kemi pyetjen e thjeshtë, ‘çfarë ju mungon 5-çja fantastike e lidershipit që ta bëjmë PD fituese?’ Çfarë pengu keni që nuk e lini PD-në që të shpërthejë me energjinë e demokratëve, për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës? Sepse lidershipi është në pushtetin e opozitës. Por në vend që të përdoret pushteti për të shkatërruar PD-në dhe demokratët, duhet përdorur pushteti për të larguar qeverinë e Ramës. Sepse të nderuar miq, kjo puna e përjashtimeve ka vetëm një element. Nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe. PD është demokratizuar edhe me statut. Dhe statuti nuk të largon për mendim ndryshe, por vetëm nëse humbet zgjedhjet. PD ka nevojë për ripërtëritje”, tha mes të tjerash Salianji.

Ora 18:53
FOTOLAJM/ Salianji mund Berishën në përballjen online

Kreu i PD Sali Berisha dhe ish-deputeti i PD Ervin Salianji zhvilluan dy takime të ndryshme me demokratët ditën e sotme.

Berisha mblodhi militantët e tij në në Kombinat, Tiranë, ndërsa Salianji zhvilloi foltore në Lezhë.

Edhe pse takimet ishin në distancë, Berisha dhe Salianji u “përballën” online, pasi ora e takimeve ishte e njëjtë, në 18:00.

Por, përballja online duket se nuk ishte edhe aq e favorshme për kreun e PD, pasi kishte vetëm 168 shikime gjatë fjalimit të tij në Facebook, ndërsa Salianji 2.7 mijë shikime.

Ora 18:44
Salianji: Nuk do të krijoj parti të re, do reformojë PD! Lidershipi i PD i ka sallat gjysmë në takime

Ish-deputeti i PD Ervin Salianji, u shpreh i prerë se nuk ka asnjë synim për të krijuar një forcë tjetër politike, duke theksuar se angazhimi i tij mbetet brenda Partisë Demokratike.

Sipas Salianjit, problemi nuk janë idetë e atyre që kërkojnë ndryshim, por mungesa e ideve nga drejtuesit aktualë dhe përpjekjet për të mbajtur partinë në status quo

'Thonë opozitë e vështirë. E vështirë është dhe e di cilido prej jush në sallë dhe prej 3 milionë shqiptarëve, por pyetja ime është a e ndjejnë opozitarizimin njerëz që kanë 35 vite që paguhen me rrogë për shkak të sakrificave të demokratërve dhe po ja u them për cilin do që e gënjen mendja. Unë nuk do të krijojë forcë tjetër politikie, shtëpia ime është Partia Demokratike dhe ne atë do ta bëjmë fituese. Shqetësimi është se si 5 fantastikët që janë lidership të PD nuk i dëgjojnë shqetësimet e demokaraëtve. Shqetësim nuk është pse mblidhemi ne, por pse lidershipi i PD shkon me gjysmë salla në takime. Shqetësim nuk janë idetë tona por mungesa e ideve të tyre. Shqetësim janë humësat që duan ta mbajën pd në statuskuo. Nuk janë demokarët që reagojnë shqetësim por ata që justifikojnë nga zgejdhja në zgejdhje humbjen’, tha ai.

Ora 18:39
I riu në takimin e Salianjit: Ka 4 vite që në partinë tonë s’shkel asnjë ambasador, si do kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve

Aktivisti i Partisë Demokratike, Ndrec Pjetri është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha dhe kupola drejtuese e PD-së po bëjnë propagandë duke thënë se kryeministrin Edi Rama do e heqin ndërkombëtarët si Maduron në Venezuelë.

Komentet Pjetri i bëri në takimin e thirrur nga ish-deputeti Ervin Salianji në Lezhë, ku theksoi se PD sot ka qindra probleme të brendshme dhe nuk është gati për të ardhur në pushtet.

Ai shtoi se sot në PD nuk shkel asnjë ambasador i huaj, duke rrëzuar kështu pretendimet se SHBA dhe ndërkombëtarët do të heqin nga pushteti Ramën.

Sipas Pjetrit, premtimet se Ramën do e rrëzojnë nga pushteti SHBA-të janë gënjeshtra për të mbajtur peng demokratët në situatën e rëndë në të cilën ndodhet kjo forcë politike.

“Ne ngremë zërin sesi t’i zgjidhim problemet tona të brendshme, por jo zëri që nuk dëgjohet, por këta zgjedhin edhe të shpifin. Problemet në PD janë të shumta, por unë do prek pikat kryesore. Ka filluar një propagandë sikur Ramën do e heqin ndërkombëtarët, do e marrin si Maduron e tjera me radhë, por e vërteta është kjo, që katër vite në PD nuk shkel asnjë ambasador. Si do kemi mbështetje ndërkombëtare. Ky është një mashtrim i pastër për t’i mbajtur peng demokratët në këtë situatë që kemi ngelur”, tha mes të tjerash Pjetri.

Ora 18:38
Disfatat e PD-së në zgjedhje, Salianji kritika lidershipit: Kush e ka fajin që promovoni humbësit?

Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Lezhës, Salianji kritikoi faktin se pavarësisht sakrificave të demokratëve dhe skandaleve të përditshme të qeverisë, PD vazhdon të mbetet në opozitë. Ai kërkoi llogari për përgjegjësitë, duke pyetur se kush e ka fajin për vjedhjen e përsëritur të zgjedhjeve, për hartimin e listave të PD-së dhe për humbjet, që sipas tij, në disa qarqe “sfidojnë edhe matematikën”. 

"Lezha meriton respektin e të gjithë PD dhe Shqipërisë. Mirënjohje të thellë për strukturat e partisë në Lezhë e Kurbin për gjithçka kanë bërë për PD-në, për moralin e lartë,  që i kanë mbajtur kokën lart PD-së edhe në ditët më të vështira. Pavarësisht sakrificës së demokratëve dhe skandaleve të përditshme të qeverisë, ne jemi ende në opozitë. Kemi humbur apo na i kanë vjedhur zgjedhjet, për këtë duhet të flasim hapur. Kush e ka përgjegjësinë për vjedhjen e zgjedhjeve në mënyrë të përsëritur, kush e ka fajin për listat e PD, për humbjet që sfidojnë edhe matematikën në disa qarqe? Kush e ka fajin që humbësat promovohen dhe demokratët që luftojnë dergjen në opozitë? A mund të ne ecim përpara ne në këto kushte duke ditur kush është zgjidhja? Çfarë do të ndodhë nëse nuk ndryshojmë kurs, nëse nuk vendosim parime nëse nuk e çlirojmë potencialin e demokratëve, një potencial i jashtëzakonshëm" tha Salianji.