Escobar pas takimit me Kurtin: Më premtoi se do të shqyrtojë propozimet e mia për dinarin

Escobar pas takimit me Kurtin: Më premtoi se do të shqyrtojë propozimet e mia për dinarin

Gabriel Escobar

I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes së dinarit. Pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, emisari amerikan deklaroi për mediat më 14 mars se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

Ai tha se askush nuk mund të mos preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb po ndikohet nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.

“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot", tha Escobar pas takimit gati dy orësh që zhvilloi me Kurtin.

Emisari amerikan tha se SHBA-ja mbetet parnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës. Por, tha se çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.

"Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë", tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile gjatë një takimi të dialogut të martën e ardhshme. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet e saj diplomatike se takimi i 19 marsit në Bruksel do të jetë në nivel të kryenegociatorëve.

Pritet që në atë takim të diskutohet për planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë për çështje të tjera, me mundësinë e përfshirjes në diskutime edhe të çështjes së dinarit. Çështja e dinarit ka tendosur raportet mes Qeverisë Kurti dhe administratës amerikane, teksa zyrtarët amerikanë kanë deklaruar më herët se ekzekutivi kosovar nuk po i trajton si partnerë.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. Vendimi për rregulloren e BQK-së është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, që kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te popullata serbe që jeton në Kosovë.

Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja ka kërkuar që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Escobar nisi vizitën e tij në Kosovë një ditë më herët, kur u takua me presidenten Vjosa Osmani, me krerët e partive opozitare dhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë. Pas takimit me Osmanin, emisari amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog. Ndërkaq, pas takimit të tyre me emisarin amerikan, disa politikanë serbë u shprehën të “inkurajuar” me qasjen e SHBA-së ndaj disa vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës dhe thanë se kanë marrë garanci nga ai për zgjidhje “në favor të komunitetit serb”.

Para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar deklaroi se zbatimi i vendimit i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, ishte “jokompetent” dhe “katastrofik”. Emisari amerikan do të përmbyllë vizitën e tij në Kosovë, të premten, më 15 mars./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:17
Takimi me Escobar, Kurti: Serbisë t’i kërkohet llogari për sulmin në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas takimit me të dërguarin e Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Prishtinë. 

Kurti shkruan se e ka informuar Escobarin për hapat që ka ndërmarrë Qeveria për të mbështetur tranzicionin Bankës Qendrore të Kosovës pas vendimit pë heqjen e dinarit serb. 

Po ashtu, Kurti shkruan se është e rëndësishme t’i kërkohet llogari Serbisë për sulmin në Banjskë.

“Është kënaqësi për t’u takuar me të dërguarin e Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. E falënderoj për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe theksoj nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin Bankës Qendrore të Kosovës, dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”, shkroi Kurti.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë