I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se për Ballkanin Perëndimor nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit evropian.
Nga Forumi Strategjik në Bled, i cili bashkon liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane, Escobar tha se BE-ja duhet të bëjë shumë për të thjeshtuar procesin e integrimit.
"Por shumë më tepër punë duhet bërë nga qeveritë e shteteve në anën e tyre për të bërë të mundur procesin e integrimit, ndërkohë që disa shtete dështojnë të përmbushin fare detyrimet e tyre", tha ai.
Escobar u shpreh se e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike është integrimi ekonomik i rajonit dhe se ai mbështet çdo iniciativë të këtij lloji, përfshirë edhe nismën "Ballkani i Hapur".
"Nuk kemi nevojë për një strategji të re integrimi. Duhet të investojmë dy herë më shumë energji në zbatimin e strategjisë që kemi tani”, tha zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit në panelin “Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor", kush është gati”, u shpreh ai.
Forumi Strategjik i Bled zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e XXI-të.
Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale.