Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, tha të enjten në Uashignton se sfidat kryesore në Ballkanin Perëndimor janë marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe integrimi euro-atlantik, por se mundësitë që ofron rajoni janë shumë më të rëndësishme sesa rreziqet. Duke folur në një diskutim në Këshillin e Atlantikut, zoti Escobar tha se situata e krijuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, u ka dhënë shtysë përpjekjeve të perëndimit për zgjidhjen e problemeve të mbetura. Zoti Escobar tha se shpreson që të shohë përparim vitin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në bazë të planit franko-gjerman dhe theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.
Zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin integrim sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në institucionet euro-atlantike dhe se nga këndvështrimi amerikan, rajoni “ofron mundësi të jashtëzakonshme".
“Sfida për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë është se jo të gjitha vendet e rajonit kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Kjo ka qenë pengesë për gjetjen e zgjedhjeve dhe marrëdhënieve të qëndrueshme mes atyre vendeve në mënyrë që Evropa të jetë e plotë”, tha zoti Escobar.
Zyrtari i lartë amerikan tha se në sytë e Amerikës vendet e rajonit janë tashmë pjesë e familjes euroatlantike.
“Ata thjesht nuk janë pjesë e strukturave formale që lidhin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, kështu që pyetja është se si mund ta përshpejtojmë anëtarësimin e tyre në ato institucione formale, duke pranuar se ata janë evropianë, sepse i përkasin shoqërisë sonë, u përkasin strukturave tona”, tha ai.
Lufta në Ukrainë, nxitje për rritjen e angazhimit perëndimor në Ballkan
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, i ka shtuar përpjekjet e Perëndimit për zgjidhjen e problemeve në Ballkan, tha zoti Escobar.
“Tek aleatët tanë evropianë, është rritur ndjenja e urgjencës për të zgjidhur disa nga problemet dhe përshpejtuar disa nga proceset që do ta çojnë rajonin në drejtimin e duhur. Dhe kështu, në këtë drejtim, kriza në Ukrainë ka ndikuar tek përqendrimi tek realitetet e asaj që po ndodh në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Sipas zyrtarit më të lartë të Departamentit të Shtetit për Ballkanin, rruga më e mirë për të luftuar përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajon, është dhënia e një alternative demokratrike.
“Ne po forcojmë lidhjet në komunitetin e vendeve demokratike, që janë edhe disa nga vendet më të pasura. Duke bërë një gjë të tillë ato vende (të rajonit) e kuptojnë që nuk kanë pse të mbështeten tek Rusia”, tha ai.
Sfida e korrupsionit në rajon
Zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet për demokraci dhe luftë kundër korrupsionit në rajon, përfshirë sanksionet nga Uashingtoni:
“Korrupsioni është problemi më i madh për rajonin. Nacionalizmi dhe rivaliteti etnik është me të vërtetë vetëm një maskë për këtë (korrupsionin). Është shumë e qartë se të gjitha partitë më nacionaliste në rajon janë edhe më të korruptuarat”, tha ai.
Ai tha se vetëm veprimet nga jashtë nuk janë të mjaftueshme për t’i vënë para përgjegjësisë aktorët e korruptuar.
“Udhëheqësit duhet duhet të ndërmarrin veprime, ata duhet t'i largojnë këta njerëz nga pozitat e përgjegjësisë, duhet t'i heqin këta njerëz nga listat e partive dhe kjo vlen për të gjitha vendet në rajon”, tha ai duke shtuar se pjesa tjetër më afatgjatë është “t'u bëjmë presion udhëheqësve (të vendeve) liderëve që të bëjnë reformat e shtetit të së drejtës që kërkohen për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian”.
Bisedimet Kosovë-Serbi
Duke folur për Kosovën dhe Serbinë, ai vlerësoi marrëveshjen e javës së kaluar për targat e makinave, duke e quajtur të rëndësishme për uljen e tensioneve.
“Ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë që në vend që të merremi me këto çështje individuale që krijojnë tension të menjëhershëm, që të gjitha duhet të përqendrohen tek dialogu i lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.
Zoti Escobar theksoi rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara për dialogun.
“Ky dialog i lehtësuar nga BE-ja ka një përfshirje shumë të fortë të palës amerikane. Pra, ne punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë evropianë në krijimin e zgjidhjeve që shpresojmë se do të funksionojnë për të dyja palët, që do të punojnë në një mënyrë evropiane që do të integrojë të dyja palët, që do të krijojë mundësi që ata të ecin përpara në rrugën e tyre të integrimit evropian dhe për të krijuar mundësi ekonomike edhe për rajonin”, tha ai.
Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Uashingtonit ndaj Kosovës.
“Përkushtimi ynë për Kosovën, për sovranitetin e saj, pavarësinë e saj, integritetin territorial dhe sigurinë është i fortë. Dhe nuk ka të bëjë me një person dhe një parti. Partneriteti është me njerëzit e vendit dhe ne nuk do t'i braktisim ata. Pra, nëse kemi dallime taktike në qasjen se si ta bëjmë vendin të ecë përpara në këtë rrugë transatlantike, njerëzit duhet t'i shohin ato si dallime taktike dhe jo një ndryshim në qëndrimin amerikan ndaj vendit”, tha ai.
Zyrtari amerikan foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se marrëveshja për të duhet të zbatohet dhe se të dyja palët duhet të mendojnë për banorët e Veriut dhe perspektivën e tyre.
Zoti Escobar tha se plani franko-gjerman, ofron mundësi të jashtëzakonshme për krijimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme mes dy vendeve, por nuk pranoi të parashikonte nëse një marrëveshje mund të arrihet deri pranverën e ardhshme.
“A mund të realizohet ose jo deri në pranverën e ardhshme varet nga ritmi i negociatave dhe ritmi i takimeve, i cili nuk varet nga SHBA, por varet nga evropianët.Por unë mendoj se mund të fillojmë të shohim skeletin e një marrëveshjeje të dalë vitin e ardhshëm. Dhe unë do të doja ta shihja një gjë të tillë”, tha ai.
Zoti Escobar vlerësoi Maqedoninë e Veriut si model për rajonin, lidhur me reformat dhe zgjidhjet shumëetnike. Duke folur për Shqipërinë, ai tha se me gjithë problemet, historia modern ka treguar se ajo mund të ndërmarrë vendime të vështira politike dhe se shpreson që kjo prirje të vazhdojë. Ai shprehu shqetësimin për gjendjen në Mal të Zi dhe bëri thirrje për zgjedhje sa më të shpejta të parakohëshme, thirrje që tha se ia ka përcjellë udhëheqësve të vendit./VOA
Titulli redaksional
Titulli origjinal: Escobar: SHBA, e përkushtuar ndaj zgjidhjes së problemeve dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor