Esencë/ Uzina 14 milionë dollarëshe që u drejtua nga 24 vjeçari Lohja

Vitet 60, ishte koha kur Shqipëria industrializohej nga kinezët!

Ai kreu studimet në Kinën e largët mes një jete intelektuale dhe teknike. Jeta e Nexhmedin Lohjes, 24 vjeçarit që u bë drejtor i Uzinës 14 milionë dollarëshe të Rubikut! I ftuar sonte në Esencë nga Eljan Tanini, ishte Nexhmedin Lohja, inxhinieri metalurg, pasionant i Shqipërisë nëntokësore. Emisioni Esencë shfaqet çdo të premte dhe të diel në ekranin e Report Tv.

Eljan Tanini: -Pse shkoni në Kinë 18 vjeç?

Nexhmedin Lohja: -Pasi mbarova Gjimnazin 8 Nëntori në Tiranë në Kombinat me rezultate të mira, më caktuan më pas të shkoja në Kinë në Degën e Metalurgjisë, te Metalet me Ngjyrë. Sipas planeve që kishtë shteti caktonte edhe personat. Një vit mësuam gjuhën kineze, vajta atje në vitin 1961. Studimet vazhduan deri në vitin 1967, mbrojta diplomën: Projektimi i një Uzine Rafinimi të Bakrit. Më pas ajo e Rubikut u inagurua në vitin 1968. 

Eljan Tanini: -Si komunikonit me familjen? Kina ishte dhe është shumë larg!

Nexhmedin Lohja: -Kina ishte shumë larg, komunikonim me familjen vetëm përmes letrave, moti ishte shumë i ftohtë, 5 vitet e para kam qenë në verilindje të Kinës. Temperaturat shkonin nga -20 deri në -30 gradë, madje shkonte edhe -43 gradë. Vera ishte relativisht e freskët, në Pekin ndërkohë ishte shumë nxehtë!

Eljan Tanini: -Si e mësuat gjuhën kineze?

Nexhmedin Lohja: -Gjuhën Kineze nuk e kam harruar, kinezët atje na dhuruan edhe librat më të fundit që kishin, madje ato libra më shërbyen kur nisa në fakultet pas 8 viteve punë në degën e metalurgjisë. Gjuha kineze është shumë e vështirë, duhet të zotëroje 9000 hieroglife, këto ishin niveli maksimal. Ne kemi shkuar atje 2 muaj pasi kishte nisur programi, mjedisi universitar ishte shumë i mirë, pedagogët bënin maksimumin për ne. Madje administrata nuk na la nga dy shqiptarë në dhomë, por një shqiptar dhe një kinez për të përvetësuar gjuhën më mirë, ishte ndihmë e madhe! Edhe ushqimin e përshtatën për ne. Psh: Më kujtohet se Rosa e Pekinit është një specialitet kinez që ne e donim shumë!

Eljan Tanini: -A ju kujtohet si ishin kinezët në ato vite? Si ishte teknologjia e tyre?

Nexhmedin Lohja: -Kinezët në vitet 60, pa shkuar 70 ende, ishin shumë të varfër. Të varfër por krenarë. Ata e dinin se diçka më e mirë do të vinte më vonë pas asaj varfërie. Ishin shumë të varfër, aq sa ne trajtoheshim në ushqim shumë më mirë se ata. Kishte raste kur çanga binte, trokiste në një orar jo të përshtatshëm, ofrohej një vakt ekstra sepse administrata kishte më shumë burime ushqmore se zakonist. Ky ishte lajm i madh, atyre u mungonin shumë gjëra, neve jo. Kinezët e kanë respektin për të huajin, ne e përkthenim dashuri dhe respekt për Shqipërinë. Marrëdhëniet politike ishin shumë të mira, shumë vepra në Shqipëri janë ndërtuar nga ata këtu.

Kina kishte teknologji të vjetër, ata përpiqeshin me të gjitha mënyrat që të kapnin teknologjinë e re. Te uzinat e tyre gjeje literaturë të huaj të përkthyer, ishte diçka sekrete që na e jepnin edhe ne shqiptarëve.

Kina bënte ekspertimente edhe në Shqipëri, asaj i duhej dalja në Evropë dhe në det përmes nesh. Për ne ata nuk kishin kufizime, ata kishin teknologji sekrete që na e jepnin edhe ne. Kur u emërova drejtor në Rubik, kishte kinezë. Ne në menzën tonë në Rubik kishim lënë një kuzhinier të zgjedhur enkas për kinezët!

Sasia e qumështit që prodhohej në Kinë në atë kohë nuk mjaftonte, e zëvendësonin me gjëra të tjera. Produkti i kazeines përdorej si shtesë në procesin e elektrolizës, vetë profesori im nuk e njihte qumështin.  Nuk jepnin qumësht në uzinë për punëtorët, por kasata.

Eljan Tanini: -Ku dhe si ju gjeti Revolucioni Kinez? A morët pjesë në të dhe si ishte imazhi i Shqipërisë në ato vite në Kinë?

Nexhmedin Lohja: -Kishte patur një propozim në Ambasadën tonë në Kinë që ne ta kishim si eksperiencë këtë revolucion. Afër nesh ishte konservatori. Profesorëve u kishin vënë në kokë një kapele letre, i ofendonin, i ulnin në gjunjë, u këndonin Mao Ce Dunin. Të gjitha këtu në publik! Në autobuz, gardistët e kuq thërrisnin për të kënduar citatet e Maos. Uzinat metalurgjike përfshiheshin në revolucionin kinez jo shumë si të tjerët, revolucioni zgjati disa muaj. Nuk kishim kohë të merreshim me ta, kishim punë për diplomën që duhet ta mbaronim dhe ta mbyllnim.

Imazhi ishte tepër i mirë dhe maksimal, tepër! Kalonim rrugës për në Institut përmes një pylli, fëmijë e të rritur na përshendesnin. Edhe vetë Rektori i Universitetit na respektonte, ishim 13 vetë në fillim dhe 17 shqiptarë më pas. Në fund,  atje vazhdova vetëm unë dhe një shok tjetër. Në vitin 1969 u hap edhe Dega e Metalurgjisë këtu në Tiranë, te Korpusi. 

Kur kam qene me bashkeshorten në Pekin në vitin 2011, takuam atje edhe shokët që kemi qenë bashkë në shkollë, shokët shqiptarë. Ata atje ishin me punë dhe detyra të tjera në demokraci dhe në ambasadë, por edhe për shkak të gjuhës.  

Eljan Tanini: -A flitej shumë për bakrin në ato vite në Shqipni?

Nexhmedin Lohja: Ishin dy uzina, ajo e kohës së Italisë e shkrirjes së bakrit blister, dhe e Uzina e Rafinimit dhe përpunimit të bakrit elektrolitik, kallëpit për tela dhe nënprodukte për ar dhe argjend. Ishte edhe tunxhi që kthehej në fletë të holla për industrinë ushtarake. Punëtorët dhe specialistët kishin shumë eksperiencë që nga Kukësi dhe deri në Metalurgjik. Në Rubik dhe fshatra përreth flitej vetëm për bakrin. Kam pasur fatin më pas të jap mësim, kisha fëmijët e atyre punëtorëve për studentë. Është emocionuese!

Ne Rubik bëheshin shumë aksione, psh për hapje të rrugës, e kisha thënë shpesh ndër miq që me këta njerëz përballon çdo gjë në jetë

Uzina ishte e re, kishte çdo gjë. Ndërsa uzina e shkrirjes kishte lodhje të madhe fizike, thuajse çdo gjë bëhej me krah. Vasil Pashko një shoku jonë mekanizoi thuajse çdo gjë.

Eljan Tanini: -E keni takuar Enver Hoxhën në Rubik, në uzinë?

Nexhmedin Lohja: -E kam takuar Enver Hoxhën si drejtor që isha, pyeste me kureshtje, ishte viti 1968, ai erdhi atje përpara inaugurimit. Enver Hoxha pati kureshtje që nga rafinimi e deri te metalet e çmuara, pyeste për hollësira, ishte shumë i vëmendshëm. Enver Hoxha nuk bëri asnjë vërejtje tjetër.

Ne e respektonim sasinë baltës anodike që krijohej. Unë mbaj mend që për 6 vite që punova në Rubik, nuk patëm asnjë aksident në punë. Asnjëherë, asnjë vit ne nuk mbetëm pa  e kaluar planin e shtetit. Njerëzit punonin dhe fitonin.

Sot, bakërishtet të paktën mund të ripërpunohen këtu në atë ish Uzinë vetëm me një shkrirje, kjo edhe sipas djersës dhe punës së punëtorit, është diçka që e mban mirë veten e saj.

G.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e opozitës për mbylljen e TikTok! Rama fiton garën me fansat, Berishën e mund edhe Arlind Qori

Akuzat e opozitës për mbylljen e TikTok! Rama fiton garën me fansat, Berishën e mund edhe Arlind Qori