Në zemër të Berlinit nisi festivali i filmit shqiptar me 20 produksione, klasikë të restauruar dhe emra të njohur të kinemasë shqiptare. Një natë e veçantë për kinemanë shqiptare u mbajt më 7 maj në Berlin, ku u hap festivali i filmit shqiptar “Fly Like an Eagle”, aktivitet që solli në Gjermani historinë, emocionin dhe trashëgiminë e filmit shqiptar ndër vite.
Mbrëmja e hapjes u zhvillua në ambientet e “Babylon Berlin”, ndërsa festivali u çel me filmin ikonë “Vdekja e Kalit”. Publiku pati mundësinë të takojë nga afër aktorin e njohur shqiptar Timo Flloko, i cili bashkëbisedoi me të pranishmit nën moderimin e regjisores Odeta Çunaj. Festivali do të vijojë nga 7 deri më 13 maj dhe sjell për publikun 20 filma shqiptarë, duke përfshirë klasikët e restauruar të Kinostudios “Shqipëria e Re”, por edhe prodhime të reja të kinemasë moderne shqiptare, dokumentarë dhe filma të shkurtër.
Në ceremoninë e hapjes përshëndetën Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, Drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini, si dhe kuratori i programit Elson Zguri. Ata vlerësuan festivalin si një urë të rëndësishme kulturore mes Shqipërisë dhe publikut gjerman e ndërkombëtar. Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe ekspozita e artistit shqiptar Klevis Ibrahimi, me 12 piktura të frymëzuara nga ikonat e filmit shqiptar.
Organizatorët shprehën falënderime të veçanta për “Babylon Berlin” dhe Timothy Grossman për mbështetjen dhe mikpritjen në realizimin e festivalit. “Fly Like an Eagle” organizohet me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Berlin, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, “Babylon Berlin” dhe kuratorit të programit Elson Zguri.
Komente









