Filmi i njohur për fëmijë “Shoku ynë Tili” do të restaurohet. Lajmin e ka konfirmuar gazetari Eljan Tanini, i cili bëri të ditur se restaurimi do të realizohet falë nismës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit “Adopto një Film për Restaurim” dhe mbështetjes së Baki Wahsh.
“Falë nismës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ‘Adopto një Film për Restaurim’ dhe dashamirësisë Baki Wahsh ky film do të shpëtohet dhe restaurohet. Faleminderit nga zemra shqiptarit të mirë të Kosovës Baki Wahsh për kujdesin ndaj filmit dhe trashëgimisë unike shqiptare. Nisma është ende e hapur për çdo film shqiptar, dokumentar dhe animacion gjithashtu”, shkruan Tanini.
“Shoku ynë Tili”, me regji të Fehmi Hoshafit, është një film artistik edukativ i realizuar në vitin 1981. Filmi ndjek historinë e Tilit, një nxënës problematik që sjell shqetësime në familje dhe në shkollë, sidomos për mësuesen Besa. Përmes historisë së tij trajtohen problematika sociale dhe rëndësia e durimit, kujdesit dhe këmbënguljes ndaj fëmijëve të vështirë.
Në kastin e aktorëve bëjnë pjesë Elida Janushi, Arben Lati, Lutfi Hoxha, Zyliha Miloti, Vasillaq Vangjeli, Mimika Luca, Herion Mustafaraj dhe shumë emra të tjerë të njohur të kinemasë shqiptare.
Komente











