Esencë-Report Tv/ 26 katastrofat ajrore shqiptare!

Aleksandër Çala, studiues i Aviacionit Shqiptar, ishte i ftuari i mbrëmjes së kësaj Esencë, që shfaqet çdo të premte dhe të diel në Ekranin e Report Tv, nga gazetari Eljan Tanini. Çala foli mbi 26 katastrofat ajrore shqiptare prej vitit 1951, deri në vitin 2016, me shpresën se viti 2016 do të jetë i fundit

Eljan Tanini: Pse 26?

Aleksandër Çala: Në periudhën 65-vjeçare (1951-2016), aeroplanë nga të gjitha tipat që ka pasur në përdorim Aviacioni shqiptar, të cilët nuk kanë qenë të paktë (mbi 270 avion dhe helikopter) që nga ata mësimor të tipit JAK, UTIMIG-15, MIG-15BIS, UTIMIG-17, MIG–17, MIG-19S dhe MIG-21, ata të transportit AN-2 e Il-14, apo helikopterët MI-4 dhe të tipave më të fundit i shikoje gati në çdo orë të ditës mbi territorin dhe në hapësirën ajrore të Shqipërisë. Ky intensitet i lartë fluturimesh, nuk kaloi pa lënë pasoja dhe pa ngjarje e katastrofa ajrore.

Në historikun e Aviacionit tonë kanë ndodhur 26 katastrofa ajrore ku në to kanë humbur jetën 57 persona dhe të ndara sipas tipave të avionëve.

Eljan Tanini: -Si vijojnë ato?

Aleksandër Çala:  1.        Katastrofa ajrore e ndodhur në rajonin e fshatit Arbanë të rrethit të Tiranës.(Humb jetën 1 person) 1952

"Ngjarja e dytë e jashtëzakonshme ndodhi me një aeroplan PO-2 për spërkatje. Piloti Masar Aga mori me vete shoferin e autobotit në rajonin e fshatit Arbanë të rrethit të Tiranës. Aeroplani pëson defekt dhe shkatërrohet....

2.        Katastrofa ajrore e ndodhur më 23 mars 1958

(Humb jetën 1 person) në rajonin e Fier-Sheganit në rrethin e Lushnjës, Vasil Nikolla Trasha, i cili, pilotonte aeroplanin MIG-15 dhe po fluturonte në kushte të vështira meteorologjike natën. Kjo është katastrofa e parë ajrore që i ndodhte Aviacionit Luftarak.

3.         Katastrofa ajrore e ndodhur në 27 qershor 1960, në fshatin Qenas,(Fier), (Humb jetën 1 person) afërsisht ku sot është stacioni i trenit

Në këtë katastrofë ajrore u shkatërrua plotësisht aeroplani MIG-15 me Nr. 323 dhe humbi jetën kursanti për pilot korçari Jovan Llazar Kaçorri.

4.         Katastrofa ajrore e ndodhur në mbrëmje të 23 marsit të vitit 1962. (Humb jetën 1 person)

Thuajse të ngritur në të njëjtën kohë; Hektor Lako që fluturonte në zonën Nr.1, Salih Dibra që fluturonte në zonën Nr.3 dhe Tomor Avdija në zonën Nr.2. Komandanti i skuadriljes, piloti Hektor Lako u ngrit për të plotësuar detyrën në orën 19:30.

Tridhjetë sekonda më vonë, nga ekuipazhet që ndodheshin në ajër dhe vendkomandimi e startit u pa një flakë e madhe. Hektori mbeti atje, 150 metra nën majën e kodrës me lartësi 799 metra.

5.         Katastrofa ajrore e ndodhur  në 17 korrik të vitit 1963, (Humb jetën 1 person)

Në fluturime merrte pjesë dhe piloti myzeqar Sokrat Basha cili po punonte e stërvitej intensivisht për të merituar një klasë më të lartë fluturimi. Ky ishte fluturimi i fundit i pilotit myzeqar Sokrat Gori Basha me aeroplanin MIG-17F me Nr. 237 kur u shkëput nga starti atë mbrëmje të 17 korrikut 1963.

6.         Katastrofa ajrore e ndodhur në data 20 nëntor 1965 në Rinas (Humb jetën 1 person)

Rreth orës 10:00, u ngrit në ajër katërshja treguese. Katërshen e printe Niko Hoxha. Pas marrjes së lartësisë të nevojshme, Nikoja, me avionin MIG-17 F, me numër anësor 211, sulmoi shenjën me kënd më  të madh nga sa e këshillonin instruksionet përkatëse dhe rregullorja e qitjeve në poligon.      

7.         Katastrofa ajrore e ndodhur më 27.09.1967 në rajonin e Elbasanit (Humb jetën 1 person)

Humbi jetën Piloti Stilian Tanku. Gjatë kryerjes së ushtrimit të imitimit të luftimit ajror, pëson avari të rëndë ndërsa fluturonte me aeroplanin MIG-15 me Nr. 224 mbi rajonin e Elbasanit. Pas katapultimit, që e dëmtoi rëndë fizikisht nuk mundi të mbijetonte. Ishte piloti i parë që binte në krye të detyrës nga ish studentët e shkollës sonë së aviacionit të Vlorës.

8.         Katastrofa ajrore e ndodhur në datë 05. 09. 1970. (Humbin jetën 2 persona dhe plagoset 1 person)

Aeroplani AN – 2 me Nr. 18 me komandant ekuipazhi pilotin Refit Jazo, pilot Muharrem Hida dhe teknik bordi Petrit Shima u nis në fluturim. Nga kjo katastrofë ajrore humbën jetën pilotët Refit Jazo dhe Muharrem Hida si dhe u plagos rëndë tekniku Petrit Shima.

9.         Katastrofa ajrore e ndodhur në gjirin e Vlorës (në det), 6.05. 1971. (Humbin jetën 2 persona)

Avioni i pilotuar nga piloti instruktor Kaso Petoshati dhe në bord shefin e shtabit të Shkollës së Aviacionit Shyqëri Balla gjatë fluturimit për tu kthyer nga aerodromi fushor i Akërrnisë për në Ahkollën e Aviacionit në Vlorë bie në ujërat e gjirit të Vlorës.

10.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 4 tetor 1972 (Humb jetën 1 person)

Katastrofë e ndodhur para udhëheqjes më të lartë të vendit. Në krye të avionëve ishte ishte piloti Azbi Serani.

Nga bisedat e zhvilluara me ish Komandantin e Aviacionit z. Edip Ohri, më është thëne me këmbëngulje se rasti i katastrofës ajrore ku humbi jetën piloti i talentuar Azbi Seranaj është vërtetuar plotësisht se piloti u vra nga defekti i një partie predhash të prodhimit kinez të asaj kohe. Ishin 50 mijë predha me të njëjtin defekt, që kishin ardhur nga Kina në Shqipëri.

11.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 21 nëntor të vitit 1973, (Humb jetën 1 person)

Kursanti për pilot Islam Mani u kontrollua në fluturimin e parë nga komandanti i katërshes në teknikën e pilotimit në rreth dhe u lejua të fluturonte vetëm në itinerarin e përcaktuar.

Vetëm 4 orë më vonë u gjete nga banorët e zonës së Gjormit aeroplani i cili ishte përplasur në malin e Lungarës në lartësinë 1600 metra dhe i s’postua nga aksi i fluturimit rreth 7 km.

12.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 7 mars 1974 (Humb jetën 1 person)

Mbas realizimit të detyrës dhe shpimit të reve poshtë, piloti ndërpreu ndërlidhjen me kullën e drejtimit të fluturimeve të aerodromit. Aeroplani MIG-19S në fazën e fundit të fluturimit nuk ju bind komandave të pilotit dhe u përplas fuqishëm në tokë në afërsi të fshatit Fushë-Kuqe duke u shkatërruar plotësisht. Në këtë katastrofë të rëndë humbi jetën piloti Bego Hoxha.

13.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 12 qershor 1974 (Humb jetën 1 person)

Aeroplani MIG-21 me Nr. 0303 realizon me sukses fluturimin e parë dhe kthehet në Bazë për fluturimin e radhës. Piloti Dhimitraq Robo, kur arrin në lartësinë rreth 1000 metra dhe ndodhet në rajonin midis Kombinatit dhe Pezës në radio dëgjohet zëri i qetë e Dhimitraq Robos i cili raporton: -“Kam rënie të presionit hidraulik të komandimit të avionit”. Mbas disa çastesh nga Ballshi njoftohet se aeroplani është përplasur në tokë, në afërsi të fshatit Aranitas në Mallakastër dhe jo shumë larg tij rënë dhe piloti me gjithë ndenjësen katapultuese dhe fanarin pran saj. Në këtë aksident të rëndë ajror gjeti vdekjen piloti Dhimitraq Robo dhe u shkatërrua plotësisht avioni.

14.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 05.08.1974 ku humbi jetën piloti Veiz Kovaçi

Në relacionin e komandës së Bazës jepet ky shkak i mundshëm që solli këtë katastrofë ajrore me pasoj shkatërrimin e aeroplanit dhe humbjen e jetës së pilotit Veiz Kovaçi.

 “Ne si Komandë mendojmë se shkaku më i mundshëm i kësaj katastrofë mund të ketë ardhur si rezultat i rënies së xhirove të motorit të majtë mbas shkëputjes në lartësinë prej 10-12 metra, e cila i dha atij rrotullim të majtë.

15.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 07 qershor 1977. (Humb jetën 1 person)

Aeroplani me të cilin piloti dibran Sefedin Hasan Tomçini po realizonte detyrën dhe fluturonte në lartësi të mëdha, pëson katastrofë ajrore dhe bie në afërsi të qytetit të Lushnjës. Piloti katapulton, por nuk i funksionon parashuta dhe humbi jetën.

16.       Katastrofa ajrore e ndodhur në datën 15.08.1978 në rajonin e Laçit (Humb jetën 1 person)

Kjo katastrofë ajrore ndodhi me aeroplanin MIG-19S me Nr. 3-42 i cili drejtohej nga piloti Vasil Thoma Noni. pasi kaloi objektin e goditjes, aeroplani, me anim nga e majta u përplasë në tokë me hundë dhe krahun e majtë, duke u shkatërruar.

17.       Katastrofa ajrore e ndodhur në Rinas më dt.30.08.1979, (Humb jetën 1 person)

Piloti Shpëtim Sula ndërsa po kthehej nga fluturimi me aeroplanin MIG-19S, gjatë uljes në çastin më delikat, i ndodhi një defekti të rëndë teknik dhe aeroplani mori drejtimin majtas, kaloi mbi kullën e drejtimit dhe u përplas në tokë i pa komanduar. Në këtë aksident ajror piloti humbi tragjikisht jetën.

18.       Katastrofa ajrore e ndodhur në datën 29.03.1980  (Humbin jetën 2 persona)

Gjatë fluturimit mbi rajonin e Laçit me aeroplanin MIG-15 me Nr. 8-34, në minutën e 14-të pas ngritjes piloti Sabri Toçi raporton me radio se aeroplani i tyre ka rënë në pozicionin e turjelës vertikale. Të dy pilotët bënë deri në fund të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë aeroplanin nga ky pozicion i vështirë, por ai nuk doli nga turjela vertikale dhe u përplasë me tokën rreth 2 km në perëndim të qytetit të Laçit. Në këtë aksident të rëndë ajror gjeten vdekjen të dy pilotët: Sabri Toçi dhe Armando Gjoka.

19.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 29 mars të vitit 1982. (Humb jetën 1 person)

Regjimenti i Gjadrit kishte planifikuar për të fluturuar ditën, në kushte të thjeshta të motit, me detyrë praktikimin e pilotëve për të kapur e sulmuar shenjat ajrore, Piloti Luto Sadikaj, lëshoi motorin e aeroplanit dhe provoi, me ngarkesë  sistemet e tij.

Luto Sadikaj ishte përballë një defekti të rëndë e në situatë kritike, ku rrugëdalja ishte e kufizuar. Ai, me reflekse të shpejta vendosi të ulte aeroplanin drejtpërdrejt, përpara, në brezin e ngritjes. Shpejtësia e aeroplanit, në atë çast ishte 380-400 km/orë dhe mjeti preku tokën rreth 150metra, mbasi kishte lënë prapa pistën. Aeroplani kaloi brezin jeshil, i cili është i gjatë 500m i gjatë, kaloi dhe brezin me rërë që është brez sigurimi  dhe shërben për frenimin e aeroplanëve, doli jashtë përmasave të aerodromit të Gjadrit dhe ndaloi pranë ledhit të lumit Gjadër, në pozicion gjysmë të përmbysur  dhe. . . pas 30 sekondash nga fillimi i lëvizjes për t’u ngritur, aeroplani MIG-21, me pilotin në kabinë, shpërtheu.

20.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 22 tetor 1986. (Humb jetën 1 person)

Një aeroplan MIG-19S gjatë realizimit të detyrës “Luftim ajror” u ndesh në ajër me avionin që fluturonte në çift dhe për pasojë është rrëzuar në fushën e Soshkës në fshatin “Rasa e Sipërme” në rrethin e Lushnjës. Në këtë katastrofë ajrore humbi jetën piloti kavajas Haki Abaz Skuqi.

21.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 22 mars 1991. (Humbin jetën 2 persona)

Në afërsi të fshatit “Karbunarë e Vogël” në rrethin e Lushnjës, aeroplani me Nr. 4-20 u përplas në tokë me një kënd me horizontin rreth 60-65 gradë, me shpejtësi të madhe përparuese dhe me rrotullim. Shkalla e dëmtimit të aeroplanit ishte e tillë që dëshmonte për një shkatërrim me eksplodim, sapo ka ndeshur tokën dhe me shpejtësi të tillë që nuk ka pasur kohë as të marrë zjarr. Në këtë katastrofë ajrore humbën jetën piloti kolonjar Fluturim Qani Molla dhe piloti i ri nga bregu Eduart Qirjako Kostdhima.

22.       Katastrofa ajrore e ndodhur në datën 22.11.1989. (Humbin jetën 21 persona)

Një autobus i Institutit të Lartë Bujqësor me shofer Ali Omuri, është nisur nga Himara, pasi kanë ngrënë dhe drekën, në drejtim të qytetit të Sarandës rreth orës 13.00. Në autobus ndodheshin 3 pedagogë, 14 studentë të kursit të pemëtarisë, si dhe një ushtar pasagjer. Pas rreth 30 minuta udhëtim, në orën 14:00 në afërsi të fshatit Kudhës, ku rruga është pjerrësi e theksuar, 100 metër para një kthese të fortë,  makina ka rritur së tepërmi shpejtësinë. Në këtë kthesë shoferi nuk mundi të manovrojë dhe për pasoj autobusi del jashtë rrugës duke bërë disa rrotullime. Nga aksidenti u shkaktua vdekja e vetë shoferit dhe e studentit Albert Smoka si dhe është shkaktuar plagosja e të gjithë personave të tjerë.

Fillimisht të dëmtuarve ju dha ndihmë prej ushtarëve të një reparti ushtarak aty afër vendngjarjes dhe nga fshatarët përreth, për tu dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Himarës. Të ndodhur para një urgjence me përmasa të mëdha dhe në pamundësi për ta përballuar nga personeli mjekësor i qendrës shëndetësore të Himarës është kërkuar ndihmë e specializuar mjekësore në rreth. Në këto kushte, për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana janë dërguar nga Regjimenti i Helikopterëve në Farkë dy helikopterë. Helikopterët u ngritën në fluturim me detyrë speciale për në qytetin e Himarës sipas të gjitha rregullave të fluturimit.

 Helikopteri i parë me Nr. bordi 6-44 drejtohej nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik mekaniku, Pandeli Xhumba dhe helikopteri i dytë me Nr. bordi 6-50 i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik mekaniku, Enver Haka. Në bordin e tyre kishin edhe ekipin e mjekëve të spitalit nr. 2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja Dhurata Leka.

 Pasi kanë mësuar keqësimin e gjendjes së tre të plagosurve, pilotët kanë vendosur të fluturojnë menjëherë për në Tiranë.

 Para nisjes në orën 17:58, Vendkomanda Qendrore(VKQ) ka biseduar në telefon me pilotin Vangjel Postoli duke i komunikuar se: “… nga Llogoraja është mjegull 10/10 dhe nuk kalohet,… kur të ngriheni të futeni 5 deri në 10 km në det…”.

 Përfundimisht zgjedhja e rrugëkalimit është lënë në gjykimin e tyre në vartësi të kohës së asaj zonë. Në këto kushte pilotët vendosën vetë për fluturimin.

 Pasi kanë hedhur në hartë rrugë-kalimin e kthimit, që do të bëhej gjatë bregut të detit për të dalë te ishulli i Sazanit e më tej në Tiranë, dhanë urdhër që të tetë të plagosurit më rëndë të bëheshin gati për fluturim. Të dy ekuipazhet janë munduar të fluturojnë bregut të detit që të kenë objektet e ndriçuara djathtas

Në helikopterin e parë kanë hipur të dëmtuarit Thoma Plasa, Iliriana Brahimi, Taip Llaçi, Xhelal Ndreu të shoqëruar nga mjekët Agim Qarri dhe Dionis Makoçi, kurse në helikopterin e dytë kanë hipur të dëmtuarit Misto Shumeli, Elida Hyseni, Donika Ferra, Zef Suli të shoqëruar nga personeli mjekësor me mjekët Kujtim Hysi, Zana Floqi, Dhurata Leka si dhe nga mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të qytetit të Himarës.

Helikopteri i parë në orën 18:20 është nisur për fluturim, duke marrë drejtimin e bregut të detit. Pas tre minutash është ngritur për fluturim helikopteri i drejtuar nga Vangjel Postoli. Pasi kishin kryer 35 minuta fluturim, rreth orës 19:00 është përplasur me malin mbi Vuno, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ishin në të si dhe shkatërrimin e plotë të helikopterit. Po rreth kësaj ore, në afërsi të Llogorasë është përplasur dhe helikopteri tjetër në shpatin e malit. Nga kërkimet e bëra pas 14 orëve, në datën 23.11.1989, në këtë vend u gjetën helikopteri i shkatërruar plotësisht dhe të gjithë personat që ishin në të kishin humbur jetën.

Në këtë katastrofë ajrore, që është dhe më e madhja që ka pësuar aviacioni shqiptar gjetën vdekjen 21 persona.

Viktimat e katastrofës ajrore të Llogorasë:
Viktimat e autobusit:
1-Ali Omuri, shoferi i autobusit
2-Albert Smoka, student
Viktimat e helikopterit me Nr. 6-44.
1-Vangjel Postoli, komandant.
2-Tafil Agaj, pilot.
3-Pandeli Xhumba, mekanik.
4-Misto Shumeli, i plagosur.
5-Elida Hyseni, e plagosur.
6-Donika Ferra, e plagosur.
7-Zef Suli, i plagosur.
8-Kujtim Hysi, mjek.
9-Zana Floqi, mjeke.
10-Dhurata Leka, ndihmësmjeke.
11-Nafail Metollari, mjek në Himarë.
12-Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.
Viktimat e helikopterit me Nr. 6-50.
1-Agron Galanxhi, komandant, pilot.
2-Veledin Resuli, pilot.
3-Enver Haka, mekanik.
4-Thoma Plasa, i plagosur.
5-Ilirjana Brahimi, e plagosur.
6-Taip Llaçi, i plagosur.
7-Xhelal Ndreu, i plagosur.
8-Agim Qarri, mjek.
9-Dionis Makoçi, mjek.

23.       Katastrofa ajrore e ndodhur në dt. 20.08.1993. (Humb jetën 1 person)

Më dt., 20 Gusht, gjatë zhvillimit të stërvitjes ajrore në kondita të thjeshta meteorologjike ditën, me avionin MiG-19 me numër anësor 3-71 të pilotuar nga piloti Idriz Ibrahim Hoxha gjatë fluturimit në çift, ndodhi katastrofa ajrore në rajonin e Spilles të rrethit të Kavajës, si rezultat gjeti vdekjen piloti dhe aeroplani ra në thellësi të detit Adriatik.  

Në bazë të thënieve të dëshmitarëve okulare në rajonin e Spilesë dhe kërkimi i bërë nga ana e Forcave Detare dhe anijet e peshkimit, u vërtetua se vendi i rënies së aeroplanit është në rajonin e Spilesë rreth 4 km larg nga bregdeti, ku u gjenden disa pjesë të dëmtuara të tij. Trupi i pilotit u gjetë pas 24 ditë kërkimi të vazhdueshëm dhe tepër të vështirë në thellësinë 29 metër nga niveli i detit.

24.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 16.09.2004 (Humb jetën 1 person)

Në zbatim të urdhrit të komandës së Forcës Ajrore për zhvillimin e qitjeve luftarake, komanda e Detashmentit Ajror të Rinasit kishte organizuar punën e përcaktuar deri në detaje ecurinë e realizimit të fluturimeve. Komandanti i Katërshes, majori Jani Tarifa, pasi kontrollon gjendjen e aeroplanit, hipën në të, ndez motorët e Mig-19S me Nr. 3-75 dhe në orën 08:50 del në start e kërkon leje për tu ngritur në ajër për të realizuar detyrën “imitim për bombardim” në rajonin e poligonit kombëtar të qitjeve në Rreth-Greth të Kavajës. Kur arrin në lartësinë rreth 20-30 metra nga sipërfaqja e tokës aeroplanin mbasi kalon në kënd të madh në marrje lartësie, bënë një anim djathtas, pastaj majtas dhe si një zog që i presin kahet përplaset në tokë në fund të pistës së fluturimit.

Ai bie në fund të asaj piste, që me qindra herë e kishte përcjell dhe pritur në fluturimet e shumta të kryera në 20 vite fluturimi në Rinas. Ndodhi ajo që as pritej e parashikohej, aeroplani përplaset në tokë dhe shpërthen në flakë. Në këtë ngjarje të rëndë ajrore u shkatërrua plotësisht aeroplani MIG-19S me Nr. Anësor 3-75 si dhe humbi jetën piloti Jani Tarifa.

25.       Katastrofa ajrore e ndodhur në 16.07.2006 (Humbin jetën 6 persona)

Në fluturim me Helikopterin BELL 222 natën e 16 korrikut të vitit 2006, për të çuar për mjekim në Itali z. Gramoz Pashkon mbi detit Adriatik humbin jetën tre efektiv të aviacionit: pilotët Vangjel Çondi, Demush Heba dhe inxhinieri fluturues Qemal Koni. Në këtë fluturim humbin jetën dhe Gramoz Pashko, djali i tij Ruben Pashko dhe mjeku që i shoqëronte Aleksandër Baloj.

26. Katastrofa ajrore e ndodhur në ditën e 6 prillit 2016 (Humbin jetën 2 persona dhe plagoset 1 person)

Kjo tragjedi shënon tragjedinë e fundit ajrore në Shqipëri me pasoj humbjen e jetës së pilotëve të Forcës Ajrore. Në një fluturim stërvitor, në kushte të thjeshta meteorologjike në mesditën e mërkurë helikopteri EC-145 me Nr. 637 duke fluturuar mbi liqenin e Shkodrës pëson avari dhe për pasoj përplaset me sipërfaqen e ujit të liqeni dhe shkatërrohet plotësisht duke shkaktuar humbjen e jetës për të dy pilotët Floran Deli dhe Donald Hoxha dhe plagosjen e rënd të një pjesëtari tjetër të ekuipazhit.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Flori: 04/11/2024 00:20

    Prej kashte Kane qene

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 11:38

    Buxheti 2025, a duhet pranuar amendamenti i PD-së për minimumin jetik?



×

Lajmi i fundit

Niko Pojani: Jeta dhe veprimtaria Shkencore e Prof. Inxh. Egon Gjadrit

Niko Pojani: Jeta dhe veprimtaria Shkencore e Prof. Inxh. Egon Gjadrit