Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi dhe avokati Edmond Petraj, kanë diskutuar në studion e emisionit ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv mbi protestën që po zhvillohet prej 3 muajsh në Tiranë dhe përplasjet e ndodhura dje pranë godinës së kryeministrisë mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.
Teksa komentoi përplasjet gjatë ditës së djeshme, deputeti Muçi tha se ditën e djeshme Policia ushtroi dhunë ndaj protestuesve me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Muçi tregoi se teksa u fut në Komisariatin nr.3 në Tiranë për t’u interesuar për personat e shoqëruar, u përball me fyerje e sharje nga persona që nuk mbanin veshur uniformën e Policisë.
“Dhuna që u ushtrua dje nga Policia te protestuesit që ishin mbledhur te Komisariati nr.3, ishte e papranueshme për faktin që Rama u detyrua të qëndronte për 2 orë brenda zyrës së tij, zgjodhi një mënyrë për t’u hakmarrë. Unë dje thjeshtë kërkova zbatimin e ligjit në funksionin tim si deputet që të takohesha me të shoqëruarit dhe u deshën shumë shtyrje e sharje nga njerëz që s’mbanin veshur as uniformën e policisë, që të më linin t’i takoja të shoqëruarit”, tha mes të tjerash Muçi.
Më tej Muçi shtoi se përplasjet e ditës së djeshme mes protestuesve e Policisë do të çojnë në rritjen e numrit të pjesëmarrësve në tubim gjatë ditës së sotme dhe ditëve në vijim.
“Unë besoj se protesta do ketë efektin e kundërt të asaj që shpreson Edi Rama, pra intimidimin e protestuesve dhe sot në shesh do të shikojmë më shumë protestues sesa gjatë muajit të kaluar. Protesta për 95 ditë ka qenë te Kryeministria. Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama erdhi dhe u fut në zyrë. Protestuesit erdhën aty për të denoncuar faktin që prej kaq shumë kohësh vazhdon t’i injorojë thelbësisht protestuesit, edhe pse shtiret sikur harton dokumente si ‘Besa’ apo ‘Pasqyra’. Pra ai nuk po jep dorëheqjen”, shtoi Muçi.
Nga ana tjetër, avokati Edmond Petraj tha se protesta sot duhet ta kishte nxjerrë një lider, pasi sipas tij, po krijohet ideja se tubimet po udhëhiqen nga kryedemokrati Sali Berisha.
Petraj shtoi se protesta ka dhënë efektin e vet, duke e vënë qeverinë në lëvizje që të reflektojë.
“Marrëdhënia me protestën, unë e them prapë, nuk e di se çfarë kërkon më kjo protestë, e cila është pa kokë. Të gjithë mendojnë tani se kjo protestë po udhëhiqet nga Sali Berisha. Sepse Berisha thotë se ‘protestën e mbaj unë me forcat e mia’. Protesta për mua e ka dhënë efektin e vet. Protesta e ka vënë qeverinë në lëvizje që të reflektojë. Kanë thënë që ne do merremi me pagat, pensionet, kostot e larta të jetesës. Do e shikojmë sesi do rrjedhin gjërat. Do shikojmë edhe fazën e dytë, se kemi edhe fazën e dytë shtatorin”, tha mes të tjerash Petraj.
Por për Petrajn, pavarësisht disa efekteve pozitive, vijimi i kësaj proteste nuk të çon askund.
Petraj propozoi se të gjithë eksponentët pjesëmarrës në protestë dhe të gjithë faktorët politikë që janë kundër PS dhe PD, të bashkohen rreth një kandidati të përbashkët, i cili do i udhëhiqte në zgjedhje. Kjo pasi sipas Petrajt, e vetmja mënyrë për marrjen e pushtetit në Shqipëri është përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Por kjo protestë nuk të çon gjëkundi. E para njëherë se po vijnë zgjedhjet. Për kë do votojnë këta protestues, që janë kundër këtyre dy forcave politike? Ajo që e kemi thënë bashkë edhe herë tjetër, kam thënë poli i tretë, që nuk i pranon forcat politike të të 2 poleve, të dalin më vete. Të dalin me një program të ri gjithëpërfshirës dhe protesta të jetë pjesë e këtyre angazhimeve politike. Kështu që për kë do votojnë këta për zgjedhjet? Kandidatin e PS nuk e pranojnë. Kandidatin e PD me pikëpyetje, e pranojnë, s’e pranojnë. Se më shumë po anojnë nga PD. Këta shumë mirë do ishte të bëheshin bashkë dhe të mbështesnin një kandidat, për të hyrë në betejë”, përfundoi Petraj.
-
O Muç cari ! Çfarë doti në protestë kur protesta nuk është e politizuar siq thojnë flamingot.
Përgjigju










Komente
Komento