Esse Ligjërimi/Arsimimi nëpërmjet kulturës

Esse Ligjërimi/Arsimimi nëpërmjet kulturës<br>
Gjithë fjalëformimi i buisur dhe shpërthyer pas viteve ‘90, gjithë strukturat e reja ligjërimore, duhen të bëhem medoemos pjesë e fjalorëve dhe teksteve shkollore…

Autorë të ndryshëm e kanë trajtuar kulturën nga mënyra se si e shohin atë folësit dhe se si sillen përkundrejt saj. Midis tyre janë dhe figurat më të rëndësishme intelektuale shqiptare të viteve 30, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë, kanë rrëfyer vlerat e saj. Kuptimi modern i kulturës në shqip nuk e zbeh këtë kundrim retrospektiv që duam të bëjmë, por e pasuron, sepse kultura ka qenë gjithmonë një sfidë në punën e dijetarëve, mësuesve e edukatorëve në procesin e edukimit, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.

Branko Merxhani, një nga intelektualët më të emancipuar në vitet 30, që ka kontribuar në këtë fushë së bashku me Nolin, Konicën, Zavalanin, Migjenin, e zbulon kuptimin e kulturës duke e vënë përballë me Politikën. Sipas tij kultura është shije, bindje dhe entuziazëm, vullnet i lirë dhe udhëheqëse ie së vërtetës. Pikërisht kjo lloj epëranie, ky lloj superioriteti e dallon nga Politika. Merxhani tërheq vëmendjen te institucionet kulturore, të cilët i përkufizoi si prodhues të shkencëtarëve, të cilët, me anë të punës së tyre, do të zhvillonin një jetë mendore të sinqertë dhe të hijshme. Pavarësisht se nuk zbulohet me shembuj vlera praktike e saj, kultura vlerësohet si përshtypje shoqërore e materialiste e një shoqërie. 

Një këndvështrim mjaft interesant ka në periudhë Tajar Zavalani, bashkëkohës i BrankoMerxhanit. Ai i kushton një artikull të veçantë kulturës dhe interesit për të, duke propozuar ta shohim si një mjet për të shmangur burokracinë, një grumbull njohurish eprore që njeriu I mëson për kënaqësinë e tij pa ndonjë përfitim material. Një aradhë argumentesh që ai sërëndit nuk janë gjë tjetër veçse zbërthimi i kuptimit që ai ka për të; kulturimi i vetvetes nuk është diçkasend që mësohet vetëm në shkollë. Mënyra më e mirë është të ndjekësh rrugën që kanë ndjekur titanët e mendimit.

Sipas tyre njeriun e bren së brendshmi kureshtja, dhe është bash ajo që nuk e lë as indifferent, as dhe të kënaqur në atë që di, por e shtyn të kërkojë më tej. Ajo është etje e pashuar për dituri, njohja e vetvetes;zana hyjnore; ideali për të mos u mërzitur, për të mos u ndier të huaj dhe të izoluar. Le të kujtojmë atë që thoshte Lesingu: “S’më jep kënaqësi zbulimi i së vërtetës, por kërkimi i saj i vazhdueshëm”. 

Konkluzionet e Zavalanit se kultura është prodhim personal, po aq sa edhe kolektiv, përveçse përmbledhin interesin e gjuhëtarëve përpasurinë e shqipes, të bëjnë të mendosh se ajo duhet të jetë motori i zhvillimit të vetë njeriut. Kultura e ndihmon njeriun të arrijë një shkallë perfeksionimi në çdo profesion. Porse interesi dhe kureshtja lidhet edhe me atë që quhet dinjiteti dhe modestia shkencore. I kulturuari e vërtetë duhet të jetë modest, sepse, krahas të tjerave, ajo nënkupton që të ndiesh nevojën për të ditur gjithçka kanë arritur dhe kanë menduar njerëzit e tjerë. Nuk duhet ndonjë kamje e madhe për të pasur kulturë, për sa kohë që një pjesë e saj arrihet nëpërmjet vëzhgimit dhe leximit.

 Reflektimi e Zavalanit mbi kulturën i shërbejnë edhe formimit të etikës intelektuale, përderisa ajo shihet si thesar i njeriut të kulturuar, thesar i mendjes, lartësim i shpirtit freski e shpirtit aftësia e ndjenjave. Kushdo që e lexon Zavalanin vëren se stili i tij ka forcë e bukuri. Në të spikatin sinonimet leksikore dhe sintaksore, që i bëjnë ato tërheqëse.

 Njeriu i sotëm modern, besojmë se nuk është indiferent, ka etje për dituri, nuk kërkon zhurmën dhe poteren për të hutuar veten, apo për të harruar andrrallat; ai e shqyrton vetveten deri në thellësitë e instinkteve, analizon ndjenjat , lë në një copë letër përshtypjet nga leximet, udhëtimet, kontaktet me njerëzit. Ashtu siç e përshkruan Zavalani njeriun e kulturuar dhe kulturën, ajo është barka për të dalë nga pellgu i monotonisë. Nga tjetër etika e burokratit përmblidhet te i mirënjohuri nëpunës i mykur nga trutë, skllav i punës së tij, apatisë dhe mekanizmës.

 Po cila është semantika dhe shtrirja hapësinore e fjalës kulturë në në kohën e sotme? Në fjalorin standard të gjuhës shqipe ajo mëton të kumtojë se është tërësia e arritjeve të një populli dhe të gjithë njerëzimit dhe specifikohet më tej me një sërë togfjalëshash si: kulturë e përgjithshme, culture kombëtare, pallat kulture, kulturë fizike, kulturat pranverore (e grurit, e arave), kulturë mjekësore, material, etj, etj. Mendojmë se, gjithë ribotimet, ky koncept është ende i paplotë besojmë së kërkon më tepër larmi dhe ngjyrë.brenda tij duhe të përfshihen ato këndvështrime origjinale që kanë për dijetarë të mëdhenj si Lacan, Jaques Derrida, Foucault e të tjerë.

Gjuha jonë ndryshon vazhdimisht. Çdo njeri e aq më shumë gojëtaria e popullit bëhet në vetvete fjalor, përsa kohë që gjuha e gjallë mban nga vlerat më pozitive të gjuhës. E fituar përmes shkollës, ose jashtë saj, ajo përfaqëson finesë, sqimë, delikatesë, xhentilesë. Këto cilësi estetike të tilla populli ynë i kultivoi edhe në veshje, në orendi, në stilin e jetës, sado të thjeshta ato kanë qenë ndër shekuj. Ato janë pjesë e kulturës dhe duhen shënuar si të tilla. Përveç këtyre edhe kultura artistike, kultura fetare, kultura arsimore si akt i zhvillimit moral, social e intelektual përmes arsimit; si nëndegë e antropologjisë ajo duhet shënuar si kultura materiale prodhuar si pjesë e historisë së një populli; që është pjesë e edukatës, besimit, qëndrimit dhe karakteristikave të një shoqërie. 

 Kultura, siç na tregon edhe fjalori sinonimik i shqipes, e afruar në radhë të parë me diturinë dhe më pak me zhvillimin, është gjithashtu formim, apo zgjerimi i konceptit të edukimit që zakonisht i dedikohet kulturimit të vetvetes, kulturim që një njeri i mësuar e gëzon si atribut. 

Vëmë re se përdorimi në numrin shumës, në shqipe “kulturat” i referohet vetëm i cultures botërore, por edhe konceptit global që përfshin format e kultivuara të kulturës që shpesh barazohen në përkthimtari, apo lloje të tjerash artesh, por edhe trashëgiminë: në sjellje, tradita, veshje, të ushqyerit etj 
 Gjovalin Shkurtaj (“Kundrime gjuhësore”) mbetet për një vështrim bashkëkohor të kulturës, edhe në koherencë me ato që përmendëm. Në kumtesën e tij termi kulturë përmendet në referencë materiale në çështje të tilla si stili i jetës, shijet, preferencat, të ushqyerit, arkitektura, shfrytëzimin e natyrës, ligjit, normave sociale e shoqërore, sistemit arsimor, duke dalë edhe si term i antropologjisë kulturore dhe gjeografisë. Dinamikën e saj e ka vlerësuar me zhvillimin etnologjisë, mjedisit, marrëdhënieve ndërkulturore. Mandala gjithashtu e eksploron fjalën si identitet kulturor –etnik në kontekstin e procesit krijues global.

Le ta shohim tani përdorin e këtij koncepti në letërsi. Shpërbërja e termit kulturë ndihmon në kuptimin e letërsisë moderne dhe asaj tradicionale. Ngandonjëherë besimet, mentaliteti, apo kulturat e ndryshme shkaktojnë në letërsi më tepër keqkuptime, sesa vetë gjuha. Për të kuptuar “Studenti në shtëpi” të Migjenit natyrisht duhet t’i kthehesh kuptimit të një tradite kulturore të vjetër: qëndrimit autoritar të babait në familjet shqiptare, ndryshe do të kishim të bënim vetëm një mizantrop të heshtur.

 Shkrimtarët tanë kanë ditur t’i japin krijimtarisë së tyre kulturë gjuhësore, letrare, filozofike, për të kuptuar si vlerat bashkëkohore ashtu edhe ato tradicionale shqiptare, duke mundësuar zgjimin dhe përballjen edhe me përvojat personale të lexuesve. Duke zbuluar kulturën kombëtare ata kanë treguar përgjegjshmëri në edukim dhe nxitur sjellje pozitive. Te tregimi i Koliqit “Kumbulla përtej murit” del në pah mentaliteti shqiptar te kufiri i palëvizshëm i pronës, por edhe mentaliteti sipas së cilit nuk duhet ta prekim, ta shkelim, apo ta shijomë atë që nuk na përket. Nëpërmjet maturimit në vendlindje të personazhit kryesor ai vlerëson edhe njëherë traditat dhe zakonet shqiptare. Koliqit arrin të stërhollojë të shijet e personazhit, duke u shfaqur ato si pjesë e kulturës dhe estetikës së tij. Falja dhe mikpritja pa ndonjë kusht janë vlera të tij.

Tek “Israelitë dhe filistinë” shtrohet pyetja e madhe nëse një kulturë duhet të dominojë një tjetër, qoftë nëpërmjet bindjes, qoftë nëpërmjet forcës?
Të gjithë këta shembuj që ekzistojnë duhet të bëhen pjesë integrale e së tërës, të futen në industrinë e imazherisë për të prodhuar modele më të pranueshme për nxënësit e studentët. Por, veçanërisht, gjithë ky fjalëformim i buisur dhe shpërthyer pas viteve 90, gjithë strukturat e reja ligjërimore, duhen të bëhem medoemos pjesë e fjalorëve dhe teksteve shkollore.

l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë