TALIN- Interceptimet e mjeteve ruse pranë vendeve të NATO-s kanë arritur në 400 raste këtë vit, deklaroi sot në Estoni sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
"Nëse shohim numrin e interceptimeve përreth NATO-s, mund të flasim për 400 interceptime, ose 50 për qind më shumë se sa vitin e kaluar", tha për median Stoltenberg, që filloi sot një tur të shpejtë në Estoni, Letoni dhe Lituani për të garantuar këto vende të vogla anëtare të NATO-s, të shqetësuara nga sjellja e Rusisë në konfliktin ukrainas dhe aktiviteti ushtarak rus jo shumë larg kufijëve të tyre.
Kur një mjet rus afrohet pranë hapësirës ajrore të NATO-s, mjete ushtarake të Aleancës shkojnë menjëherë ta shoqërojnë deri sa të largohet.
Sipas Stoltenberg, nuk janë fluturimet ruse në vetvete që përbëjnë një problem, por më shumë mënyra se si zhvillohen.
"Ata nuk dërgojnë një plan fluturimi. Shumica kalojnë pranë hapsirave ajrore ndërkombëtare, por janë afër hapësirës sonë ajrore dhe interferojnë në fluturimet tregtare", tha ai në bazën ajrore të Amari (veri), ku ai takoi kryeministrin estonez, Taavi Roivas, si dhe ushtarakë amerikanë, gjerman dhe estonez.
"Është një sjellje që ne nuk e kemi parë që prej shumë vitesh, që prej epokës së luftës së ftohtë", tha Stoltenberg.
"Çdo vend ka të drejtën të vendosë për çështejt e veta të sigurisë. Është një e drejtë themelore e një vendi të pavarur dhe sovran", theksoi ai.
Ai u shpreh se "shpreson që Rusia të respektojë vendimin e Ukrainës, nëse ajo do të vendosë një ditë të bëhet anëtare e Aleancës"./ATSH/