Le të flasim konkretisht. Babai i Ben Imamit dhe gjithë fisi i Imamajve kanë qenë nga familjet më të majta të Vlorës; babai i Gramos Pashkos vdiq sekretar i Komitetit Qendror të PPSH; po ashtu nëna e tij dhe njëkohesiht vjehrra e Rajmonda Bulkut, zonja Eleni Pashko, ishte një jetë të tërë anëtare e Komitetit Qendror të PPSH dhe njëkohesisht ministre në kabinetet e Mehmet Shehut; babai i Genc Pollos, drejtor i Institutit të Historisë; babai i Genc Rulit, kolonel i regjimit të Enver Hoxhës; babai i Ilir Rusmalit, këshilltar i Ramiz Alisë dhe drejtor i përgjithshem i Radio Televizionit; vjehrri i Zana Guxhollit , sekretar i parë në rrethe të ndryshme dhe ambasador në disa shtete; vjerri i Adriana Gjonit, zëvendësuesi i Bardhok Bibës në postin e sekrtetarit të parë të Mirditës e të tjerë shembuj që s'dua t;i përmend. Lufta e ndershme poltike duhet bërë nga këndvështrimi i programeve dhe jo biografive rracore.
Unë personalisht e kam për nder që jam pasardhës i një luftëtari antifashist dhe një ish komunisti të ndershëm deri në palcë, që megjithëse dha shumë, nuk ju ndanë sakrificat tërë jetën. Kjo kategori ishte një armatë e tërë. Por logjika se ata që aderuan majtas në pluralizëm, i kanë etrit djaj, kurse ata që aderuan djathtas janë bijtë e etërve ëngjëj, është e papranueshme. Ky është koncept tërësisht emotiv dhe jo realist. Eshtë mëse e vërtetë se Levizja Studentore përshpejtoi ardhjen e pluralizmit politik. Studentë në atë kohë nuk shkonin bijtë e të përndjekurve politikë të regjimit, por të atyre të lidhur me fije të ndryshme me të. Në këtë kontekst, studentët dhe pedagoget morën nga etrit kurajon dhe guximin e rinisë së tyre për të përmbysyr çdo gjë të vjetër, në sistem apo koncept, duke u bërë promotorë për t’i hapur rrugë hapësirave të gjera të lirisë, në emër të demokratizimit të jetës së vendit, një proces që kishte përfshirë tërë Evropen Lindore.
Pra kjo fitore e madhe për të ardhmen e vendit erdhi në rradhë të parë nga fëmijët e etërve që kishin imunitet politik dhe jo nga fëmijet e kuislingeve, ballistëve, zogisteve dhe diversantëve që regjimi ju kishte marrë erzin qysh në djep. As më thotë ndonjë mik pse liderët e forcës së parë politike antikomuniste ishin nga kategoria me biografi të mirë dhe jo nga pinjollet e së djathtës tradicionale dhe pse kjo forcë u krijua në shtëpinë e Eleni dhe Josif Pashkos në Tiranë dhe jo të Pjetër Arbenorit në Shkodrën antikomuniste?!! Po Fatos Nanua, Edi Rama, Ardian Klosi, Teodor Kekua etj a nuk ishin bij etërish me potencë politike e shoqërore, që dhanë shembullin qysh para pluralizmit politik se frika duhej vrarë në rradhë të parë nga ky shtresëzim?!! Dhe këta etër jo vetëm nuk u bënë pengesë të bijve të tyre, por gradualisht përqafuan alternativën më progresite të kohës duke u distancuar nga dogmat e marrëzitë e kohës, por jo nga vlerat e së shkuarës.
Ne jemi bij të këtij trualli, të djathtë dhe të majtë qofshim, që kërrkush nuk duhet paragjykuar se nga vjen, por çfarë bën dhe jep për prosperitetin e këtij vendi. Nëse duam te rikthejmë luftën e klasave, ateherë shteti demokratik do vazhdojë të rrëshkasë nga dita në ditë në një neodiktaturë me maskë demokratike. Gjykoj se të gjithë aspirojmë për një shtet sa më demokratik dhe për këtë duhet të punojmë çdo ditë dhe të zhveshur nga çdo mentalitet i partisë-shtet.
Bertol Brehti thoshte se ai popull që ka nevojë për patriotë është i mjerë. Dhe nëse populli shqiptar nuk është i mjerë, është edhe nga fakti se baballarët tanë ishin patriotë të mëdhenj, pasi në rininë e tyre i vunë kurorën e lavdisë Shqipërisë si vend fitimtar ndaj bishës nazifashiste dhe me pas e transformuan atë në një vend me drita, arsim, kulturë, shkencë, industri moderne, bujqesi intesive, shërbim mjekesor falas, forca të armatosura dinjtoze e plotë tregues të tjerë. Formen e sistemit politik dhe deformimet që ai pësoi në rrugë e sipër nuk është mëkat i baballarëve tanë. Atë ta mbajnë ata që ndanë hartën e botës në Jaltë si dhe ata qe drejtuan këtë vend pasi u dehën nga pushteti.
Unë jam partizan i filozofisë se bashkë me ujët e pistë të legenit nuk mund të hidhet poshtë edhe foshnja. Vazhdoj t’i mëshoj kësaj filozofie, pavarësisht se kush më përkrah, rrudh buzët apo jargavitet.
Prandaj ata që i bien borisë së çjerrë të etërve dhe bijëve le të gjykojnë ftohtë, se këtë vend nuk mund ta bejë një palë, pasi në luftën politike dikush fiton dhe humbet përkohësisht, por ajo që duhet të fitoje përjetësiht është Shqiperia demokratike.
Shkrimi u publikua sot (08.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)