Një hartë interesante e vitit 1940 përpiluar nga Dr. Manfred Straka, Instituti për Europën Juglindore në Grac të Austrisë (në atë kohë tashmë pjesë e Rajhut të tretë Gjerman), m’u duk interesante t’a sjell në këtë postim, për të parë shtrirjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, para pushtimit gjerman, ofruar në një mënyrë të paanshme, bazuar në matje e raportime shkencore.
Harta në fjalë ishte e destinuar për përdorim të brendshëm, dhe botohej nga seksioni për hartat ushtarake në institutin në fjalë, dhe theks i fortë – shënuar me të kuqe të ndezur - i vihej prezencës së popullsisë me origjinë gjermanike në “Jugosllavinë e Parë” dmth. Jugosllavinë monarkiste, që njiheshin kryesisht si “gjermanët e Danubit” në zonën e Vojvodinës, por edhe disa përqëndrime të tyre në rajonet e Sllovenisë.
Pas ardhjes së Titos në pushtet, ata thuajse u shuan fare, duke u detyruar të zhvendoseshin drejt Gjermanisë, apo Hungarisë për t’i shpëtuar raprezaljeve e ekzekutimeve.
Sidoqoftë, ato që ne na interesojnë më shumë janë pikërisht rajonet në ngjyrë blu të celët, të cilat, sipas legjendës së hartës, ishin të banuara nga shqiptarët etnikë. Aty shquhen qartazi edhe rajonet apo enklavat e banuara nga serbët në Kosovë.
Ndërkaq, po nga burimet gjermanike, mund të shohim sërish panoramën etnike të shqiptarëve në ish-Perandorinë Otomane në vitin 1877, duke u përqëndruar në territoret e asaj që më vonë do të njihej si “Jugosllavia”, e të bëjmë kësisoj një krahasim të vogël për të parë se si kishin “evoluar” shqiptarët përgjatë 7 dekadave në fjalë dhe gjithashtu të bëhet krahasimi edhe me ditët e sotme.
Harta është kontribut i ish-konsullit austro-hungarez në Adrianopojë, (Edirne), Carl Sax. Në hartën e vitit 1877, shqiptarët mbulojnë hapësirat në ngjyrë të gjelbër dhe sipas nuancave tësaj, ndahen sipas legjendës, në shqiptarë muhamedanë dhe katolikë (d.m.th. edhe ortodhoksë në rajonet jugore).
Të dyja hartat duhen parë si një kontribut realist, shkencor e i paanshëm për të kuptuar më shumë për shtritrjen etnike të shqiptarëve, pa rënë pré e paragjykimeve apo prapagjykimeve që lidhen me Shqipërinë e Madhe apo të vogël, si dhe e ekzagjerimeve të panevojshme rreth prezencës së shqiptarëve dhe shtrirjes së tyre etnike në rajonet ku ata banonin dhe banojnë.
(Harta e vitit 1940, përpiluar nga Dr. Manfred Straka, Instituti për Europën Juglindore në Grac të Austrisë)
(Harta e ish-konsullit austro-hungarez në Adrianopojë, (Edirne), Carl Sax, e vitit 1877)
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com