TIRANE- “Gjithmonë kujtoni se nuk është thika ajo që dhemb, por dora që përdor atë”. Nuk kishte kaluar shumë kohë kur Edlira Dobrushi kishte shkruar një frazë të tillë në rrjetin social në “facebook” nga momenti që masakroi tre vajzat e saj të mitura. Simona 13 vjeçe, Kesi 10 vjeçe dhe Sindi 3 vjeçe, u therën me thikë pikërisht nga dora e asaj që duhet t’i mbronte. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e tyre, në periferi të Lecco-s në Itali.

Autoritetet italiane u njoftuan për krimin nga fqinjët e familjes shqiptare, të cilët kishin dëgjuar thirrjet e vajzës së madhe për ndihmë teksa përpiqej t’i shmangej përpjekjeve të nënës së saj për ta qëlluar me thikë. Simona kishte luftuar me të ëmën për t’i shpëtuar duarve të saj por ishte e kotë. Pas disa minutash 13-vjeçarja ka rënë në tokë e gjakosur. Policia italiane dyshon se dy vajzat e vogla janë vrarë nga e ëma në gjumë. Trupat e tyre janë gjetur në të njëjtin krevat.

Ndërkohë që vetë 37-vjeçarja u gjet me duart të gjakosura dhe në gjendje të rëndë psikologjike në derën e banesës. Gruaja tregoi në spital se ishte ajo autorja e krimit të trefishtë. “I vrava unë për të shmangur të ardhmen e dëshpëruar që i priste përpara”, është shprehur Edlira Dobrushi para karabinierëve. Prej pak javësh ajo ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj Bashkim Dobrushi dhe për këtë arsye dyshohet se ajo ka kaluar në gjendje të rëndë depresive. Sipas mediave në Itali, babai i vogëlusheve, Bashkim Dobrushi ishte nisur një ditë më parë për në Shqipëri. Ai u njoftua për ngjarjen e rëndë nga policia shqiptare sapo zbriti nga trageti në portin e Durrësit.

Simona
Simona Dobrushi, 13 vjeçarja shqiptare e cila u masakrua nga dora e nënës së saj, nuk ishte e turpshme për të treguar dashurinë për babain e saj. E mitura në rrjetin social në “facebook” ishte regjistruar me emrin Simona Gomez, për shkak të pëlqimit që kishte për këngëtaren dhe aktoren, Selena Gomez, si dhe për Justin Bieber gjithashtu. Simona ishte një vajzë si gjithë të tjerat, por që fantazonte për mashkullin e ëndrrave. Ajo ëndërronte të largohej për të jetuar një ditë në Nju-Jork, Los Anxhelos, Las Vegas apo Londër.

 Pyetjes se çfarë do të bënte nëse nuk do të kishte të nesërme, ajo i përgjigjet: “Do të përpiqesha të plotësoja ëndrrat e mia”. Një prej kushërirave të saj, Olivia i shkruan pas ngjarjes tronditëse: “Ti ishe kushërira më e mirë në botë…”. Personi me të cilin ajo fliste më shumë në telefon ishte babai i saj. Kurse nëna e saj edhe pse një ditë më parë kishte postuar në “facebook” se vajzat janë forca e saj, ndërmori aktin e tmerrshëm. Mediat italiane kanë shkruar edhe dje detaje të hollësishme për ngjarjen e rëndë të familjes shqiptare.

“Il Corriere della Sera”, një artikull të tërë ia kushtoi Simonës, vajzës më të madhe të familjes, në të cilin rrëfehen ëndrrat e të miturës dhe vihet në pah inteligjenca e 13 vjeçares. “Il Corriere” shkruan se ishte më e zgjuar seç duhej të ishte një vajzë e moshës së saj. “Nëse do të ishe një bujk, çfarë do të mbillje?” “Tru. Njerëzve ju duhen shumë tru”. Kështu i përgjigjej Simona një pyetjeje që i ishte bërë në një faqe në rrjetet sociale ku bëhen pyetje-përgjigje. Simona jepte gjithmonë përgjigje të zgjuara e të matura. Kështu, pyetjes se si do të mund ta kuptonte ajo nëse një njeri është i mirë apo i keq, adoleshentja e ndjerë i është përgjigjur se kuptohet ashtu si pjata e mirë apo e keqe, duke e provuar dhe pa e gjykuar nga dukja.

Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)