Euro 2012: Edhe femrat e politikës bëjnë tifo

Euro 2012: Edhe femrat e politikës bëjnë tifo
I kemi parë serioze dhe njëkohësisht shumë zyrtare, kjo për shkak të profesionit të tyre. Emra të njohura të politikës, kanë hequr këto ditë të nxehta qershori, “petkun” e zyrtareve, dhe janë shndërruar në tifoze të vërteta të Kampionatit europian të futbollit, “Euro 2012”. Preferencat për skuadrat e futbollit janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga Italia, Anglia, Hollanda, Gjermani etj. Ish- zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, aktualisht këshilltare politike në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Juela Meçani bën tifo për Hollandën, e cila është eleminuar nga kampionati. Ndërkohë që zëdhënësja e Kreut të Ekzekutivit, Erla Mëhilli, bën tifo për Italinë, kjo edhe për faktin që ka studiuar 6 vjet në Romë. TH&TH ka mësuar se tifoze me këtë skuadër është edhe deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli. Dimë që Kodheli është një tifoze e “çmendur” pas të kaltërve dhe lë çdo gjë për ta ndjekur kur luan skuadra e saj e zemrës. Me skuadrën angleze, duket se bën tifo zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, e cila shprehet se Anglia është “nëna e futbollit”. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi shprehet se bën tifo për gjermanët. Me këtë skuadër është zëdhënësja e Presidentit, Bamir Topi Mimoza Koçiu, e cila e ndjek në shoqërinë e miqve dhe bashkëshortit të saj. Por ka edhe nga ato që nuk e ndjekin fare kampionatin europina. Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj shprehet së është tifoze vetëm në kampionatin botëror dhe se bën tifo për Brazilin, ndërkohë që një tjetër deputete e kësaj force politike, Olta Xhaçka thotë se nuk e ndjek fare futbollin për shkak të angazhimeve të saj politike.

Juela Meçani

Këtë Europian ka qëlluar që unë për disa kohë , kam qenë me shërbim jashtë Shqipërisë dhe e kam ndjekur rrallë. Unë jam tifoze në Europë me Hollandën, e cila në fakt po më zhgënjen shumë. Jam tifoze me Hollandën që në kohen kur luante atje Van Basten, Gullit dhe Raikard, lojtarë që unë i adhuroja në ato vite. Më tërheq gjithashtu edhe loja e tyre e vertetë, futboll real, pa finte dhe spektakle të tepërta. Rezistenca në fushë dhe strategjitë e tyre të papritura në kundërsulm. Por meqënëse mendoj se, Hollanda këtë kampionat europian është shumë dobët dhe jo në formë, dhe kjo gjë më ka mërzitur shumë si tifoze e tyre. Tani po bëj tifo për Portugalinë...të presim fundin!

Erla Mëhilli

Nuk e kam ndjekur në mënyrë të rregullt kampionatin europian të futbollit, por e pranoj që kam parë pjesët më të madhe të ndeshjeve të luajtura të cilët kam preferuar ti shoh në shtëpi dhe jo në lokale. Duke qenë se për 6 vite kam studiuar në Romë, nuk është surprizë që skuadra ime e zemrës të jetë Italia. Edhe pse gjysma ime e zemrës bën tifo për Gjermaninë. (qesh)

Silvi Bardhi

Kur kam kohë e ndjek me kënaqësi “Euro 2012”. Nuk mund të them që ndjek të gjitha ndeshjet e tij, por ato më picante. Unë bëj tifo për Anglinë pasi është “nëna” e futbollit. Zakonisht e ndjek me tim shoq, ai pi birra ndërsa unë ujë (qesh). Sot në mbrëmje do ta ndjek s’bën pasi luan Greqi-Gjermani, dhe kjo lidhet edhe politikisht.

Mimoza Koçiu

Tani që kjo garë, po bëhet edhe më interesante, veçanërisht pas surprizës së eliminimit të skuadrave si, Hollanda e Rusia, ku natyrisht kupton se futbolli është edhe fat përveçse taktike a strategji, po e ndjek më rregullisht se në fillim të Kampionatit. Ndryshe nga kampionati botëror, nuk kam një skuadër të zemrës, pra të pandryshueshme çdo herë. Këtë edicion bëj tifo për skuadrën e Gjermanisë. E shoh interesante në fushe dhe në përbërje si ekip. Zakonisht e ndjek me tim shoq Nikun e me miq të vjetër, me të cilët natyrisht arrin të ndash pa asnjë lloj kompleksi emocionet kontradiktore qe te jep loja e futbollit kur e sheh nga ekrani.

Dëshira Subashi

E ndjek kampionatin europian dhe bëj tifo për Gjermaninë. Jam me tifoze e hershme me këtë skuadër sepse më pëlqen mënyra sesi luajnë futboll. E ndjek vazhdimisht me tim shoq dhe e shoqëroj duke pirë ujë pa gaz. (qesh)

Ermonela Felaj

Nuk jam ndjekëse e rregullt e “Euro 2012”. Vetëm kur afrohet finalja e kampionatit botëror, jam e përqendruar tek ajo. Unë bëj tifo për Brazilin pasi më pëlqen futbolli brazilian.

Olta Xhaçka

Nuk e kam ndjekur për shkak të obligimeve dhe kohës sime të kufizuar. Megjithatë nuk bëj tifo për ndonjë skuadër të veçantë.

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Emanuela Rusta do të vendosë drejtësi në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian

Emanuela Rusta do të vendosë drejtësi në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian