Gianni De Biasi do të qëndrojë gjatë te Shqipëria. Kështu tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit pas fitores ndaj Rumanisë, e para në historinë e kombëtares së tij në një Kampionat Europian. “Pardje ishte një ditë e madhe për ne, për herë të parë kemi marrë një fitore në një kompeticion të madh si ky.

Ne jemi shumë të lumtur për këtë”. Tri pikë, të cilat vazhdojnë ta mbajnë në garë ekipin e trajnerit italian Gianni De Biasi, me shpresën e kualifikimit si njëra nga vendet e treta më të mirë. “Ne shpresojmë për të arritur në raundin tjetër, nëse të tjerët e bëjnë mirë detyrën e tyre.

Po u kualifikuam, mund të ballafaqohemi me Uellsin, ose Gjermaninë, – shpjegon Duka në “La politica nel Pallone” (Gr Parlamento). – Kemi tri pikë të rëndësishme dhe, në qoftë se vazhdojmë, do të paraqitemi edhe më mirë. Tani varet nga të tjerët, le të shohim se çfarë do të bëjë Italia”.

Ai kujtoi se me futbollistët shqiptarë që luajnë në Itali, Zvicër dhe Gjermani, De Biasi do të mbetet gjatë në stolin e kombëtares kuqezi. “Trajneri ka një kontratë deri në vitin 2017. Ai, gjithashtu, dëshiron të qëndrojë me ne.

Të gjitha palët jemi të kënaqura për ta vazhduar bashkëpunimin. De Biasi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për të arritur këtë sukses. A e kërkoi vërtet Italia? Unë dëgjova se ishte në mesin e kandidatëve, por trajneri më siguroi se nuk kishte folur me askënd, sepse po mendonte vetëm për Europianin”, ka deklaruar presidenti i FSHF-së.

De Biasi për La Repubblica: Ja si reagoi Cana
Pas fitores ndaj Rumanisë në "Stade de Lyon", Gianni De Biasi ka folur në një intervistë për prestigjiozen italiane, “La Repubblica”. Si fillim, trajneri shpjegon në lidhje me këndimin e himnit shqiptar. "Është shumë i bukur, më tërheq, – thotë De Biasi duke shpjeguar, –  Fjalët janë pak të vështira, di domëthënien, por për t'i shqiptuar e kam pak të komplikuar, për fat gjatë ekzekutimit ndihmoj veten me ekranin e karaokes që është në stadium. Ky është një popull i jashtëzakonshëm, ka njohur diktatura dhe vuajtje, gjejmë tifozë shqiptarë kudo shkojmë, një pasion i jashtëzakonshëm", thotë De Biasi.

Ai flet edhe për vendimin për të ulur në stol ndaj Rumanisë kapitenin kuqezi, Lorik Cana dhe sesi e ka pritur këtë vendim ky i fundit. "Ishte një vendim i vështirë, Canës ja thashë vetëm pak orë para ndeshjeve. Gjithsesi duhet ti heqim kapelen, u vu mënjëherë në dispozicion të shokëve, i karikoi dhe i mbështeti, pati një sjellje prej burri të madh dhe prej kapiteni të madh. Por në kompleks ishte gjë e bukur të shikonim këta djem me dëshirën për të mahnitur Europën, dhe ja dolëm. Jemi rritur, jemi ata që do të doja të ishim, dhe jemi gati për të ecur përpara”.
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com