Finale Euro 2024/ Spanja kampione e Evropës për herë të 4-t në histori, 'fundos' 2-1 Anglinë në Berlin! Iberikët vendosin rekord

BERLIN - Spanja mbretëron Evropën. Iberikët fituan 2-1 kundër Anglisë në finalen e Euro 2024 të zhvilluar në 'Olimpiastadion' dhe sigurojnë trofeun e katërt të Europianit në histori. Iberikët bëhen skuadra e vetme me katër trofe të Europianit, duke shkruar historinë.

Golat për Spanjën u shënuan në minutat 47-të dhe 86-të nga Nico Williams dhe Oyarzabal, teksa për "Tre Luanët" përkohësisht barazoi Palmer në minutën e 73.

Ndeshja/ Pjesa e parë nisi jo në nivelin e pritshëm, me dy skuadrat që u kujdesën mos linin hapësira pas, duke studiuar kështu rivalët. Për t'u përmendur një rast i Foden, teksa në dhomat e zhveshjes 22 lojtarët shkuan me barazimin 0-0.

Fraksioni i dytë nisi me zëvendësime te Spanja, aty ku Rodri i dëmtuar i la vendin Zubimendit. Vetëm pak sekonda dhe sfida do zhbllokohej nga Nico Williams. Në minutën e 47-të, Lamine Yamal që dje mbushi 17 vjeç dhe një pasim final për shokun e skuadrës, me sulmuesin që nuk fali dhe ndëshkoi Pickford.

Anglia reagoi pas këtij momenti dhe gjeti barazimin me Cole Palmer në minutën e 73-të. Sulmuesi i Chelsea shënoi një gol vërtet të bukur pas pasimit final të Bellingham.

Nëntë minuta nga fundi Yamal kishte shansin të shënonte, por e majta e djaloshit të Spanjës u ndal nga Pickford. Duhej minuta e 86-të që ndeshja të vulosej me golin e dytë të Spanjës. Pasimi i Cucurella u shfrytëzua nga Oyarzabal, që dërgoi në delir tifozët e "Furisë së Kuqe".

2-1 dhe Spanja siguron trofeun e katërt pas atyre të viteve 1964, 2008 dhe 2012, teksa me katër trofe bëhet ekipi i vetëm që ka fituar kaq Evropiane. Nga ana tjëtër Anglia dështon sërish në finalen e dytë radhazi të një Evropiani, duke lënë me zero tituj të këtij eventi kabinetin e trofeve.

Në fund të turneut, Rodri i Spanjës u shpall lojtari më i mirë i Euro 2024, ndërsa Yamal (Spanja) si lojtari më i mirë i ri i turneut.

Formacionet zyrtare:

Spanja (4-2-3-1): Simon, Carvajal, Le Normand, Laporte, Cucurella, Ruiz, Rodri, Yamal, Olmo, Williams, Morata.

Anglia (3-4-3): Pickford, Guehi, Stones, Walker, Shaw, Saka, Mainoo, Rice, Bellingham, Foden; Kane.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:09
Ceremonia hapesë e finales së Euro 2024 në Berlin

Është zhvilluar me ngjyra, muzikë, fishekzjarre dhe koreografi ceremonia hapëse e finales së Euro 2024 në Berlin. Spanja dhe Anglia do kërkojnë trofeun e kampionit të Europës.

Ora 19:50
Formacionet zyrtare/ Kontinenti 'mban frymën' për Euro 2024, titullarët e finales Spanjë - Angli

Spanja dhe Anglia do përballen sot në finalen e madhe të Euro 2024, ndeshje kjo që do zhvillohet në orën 21:00 në "Olimpiastadion" të Berlinit.

Trajnerët de la Fuente dhe Southgate kanë bërë me dije edhe formacionet zyrtare që do luajnë në këtë sfidë.

Formacionet zyrtare:

Spanja: Simon, Carvajal, Le Normand, Laporte, Cucurella, Ruiz, Rodri, Yamal, Olmo, Williams, Morata.

Anglia: Pickford, Guehi, Stones, Walker, Shaw, Saka, Mainoo, Rice, Bellingham, Foden; Kane.

Ora 19:10
Euro 2024/ Tifozët gjermanë të ndarë para finales, flasin për Shqiptarja.com! Anglezët nisin festën me birra (VIDEO)


Më pak se 2 orë para finales së Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë, në Berlin ka nisur festa. Në stadium nuk do ketë vetëm tifozë nga këto dy shtete, ndërsa për Shqiptarja.com kanë folur edhe katër tifozë gjermanë që do jenë neutral. Disa prej tyre janë me Spanjën dhe të tjerë me Anglinë.

Eugent Mebelli, gazetari i akredituar në këtë finale sjell ekskluzivisht emocionet para duelit. "3-1 fiton Spanjë", thotë një tifoz. Në pamje duket se anglezët tanimë kanë nisur festën me birra.

Ora 18:16
Rivalitet në ishull, tifozët e Skocisë bëjnë tifo për Spanjën


Në Skoci i kanë idetë e qarta për finalen e Euro 2024. Marrëdhëniet e këqia me Anglinë reflektohen edhe në sfera të tjera të jetës. 

Njëra prej gazetave më të mëdha skoceze, “The National” u renditi disa arsye spanjollëve se përse duhet të fitonin finalen me Anglinë dhe se ishte “Koha për revansh”. Faqja e parë ishte e zënë nga Rodri teksa godiste një tifoz anglez në formë topi.

Ndërsa sot një pub në Skoci po bëhet gati për ndeshjen dhe duket qartë se anën e kujt mban.

Ora 17:20
Euro 2024/ Harry Kane është 'i mallkuar', të gjitha finalet e humbura nga sulmuesi i Anglisë


Sulmuesi i Anglisë, Harry Kane vlen 100 milionë euro. 30-vjeçari pritet titullar sot në finalen e Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë, e programuar për këtë të dielë në orën 21:00.

Edhe pse duket e pabesueshme, Kane nuk ka fituar asnjë trofe me klubet ku ka luajtur, apo me kombëtaren e "Tre Luanëve".

Në vitin 2015 ai luajti finalen e parë në ‘Carabao Cup’ me Tottenhamin, por skuadra e drejtuar asokohe nga Mauricio Pochettino humbi me rezultat 2-0 nga Chelsea e Jose Mourinhos.

Në vitin 2019, Tottenhami arriti finalen e parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit. Historia, për fat të keq të Harry Kane përfundoi në të njëjtën mënyrë. 2-0 për Liverpoolin dhe një finale e dytë e humbur.

Vitit 2021 parashikohej të ishte viti i Kane. Finalist i dyfishtë në Carabao Cup dhe në Euro 2020 që u luajt një vit më vonë për shkak të pandemisë Covid-19.  Sërish Kane u dëshpërua, pasi ‘Tre Luanët’ humbën finalen ndaj Italisë në penallti, ndërsa humbje pësuan edhe në finale të ‘Carabao Cup’ ndaj Manchester Cityt me rezultatin 1-0.

Me tërë këto dështime, Harry Kane vendosi të 'paketonte valixhet' dhe të largohej nga ishulli. Destinacioni i tij do të ishte Bayern Munich, në letër një ekip me të cilin do të ishte ‘më e lehtë’ të thyente ‘mallkimin’ e tij, por gjithçka ishte larg realitetit.

Në ndeshjen e parë zyrtare të Harry Kane me bavarezët në Superkupën e Gjermanisë, një hat-trick nga Dani Olmo i dha fitoren Leipzigut. Sezoni i tij i parë në Munich, doli të jetë sezoni i parë pa tituj për Bayernin që nga sezoni 2011-2012.

Bayer Leverkuseni i Xabi Alonsos bëri mrekullinë duke fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë duke vazhduar kështu ‘mallkimin’ e Kane.

Mbetet të shihet nëse kjo e dielë do jetë e bekuar për Anglinë dhe Harry Kane, që me finalet nuk i ka pasur mirë punët në karrierë.

Ora 16:54
Tifozi i Anglisë beson te suksesi i sotëm, bën tatuazh trofeun e Euro 2024


Edhe pse janë shpallur vetëm një herë kampion bote në 1966, kombëtarja angleze i jep shumë siguri tifozëve të saj. Në vigjiljen e finales së Euro 2024 një tjetër tifoz ishullor ka bërë një tatuazh me trofeun dhe vitin e Europianit të 17-të. Dan Tomas, 29-vjeçari nga Swindon i Wiltshajër, është i bindur në skusesin e “Tre luanëve” në Berlin. Gjithçka pritet të shihet sot.

Ora 16:29
Finalja e madhe e Euro 2024, dhjetë faktet që duhet të dini për ndeshjen Spanjë - Angli


Këtë të dielë në orën 21:00 në Berlin luhet finalja e Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë. Më poshtë gjeni 10-të faktet që duhet të dini për këtë përballje.

1.Ky është takimi i tretë mes Spanjës dhe Anglisë në Kampionatin Evropian, me Anglinë që ka fituar 2-1 në fazën e grupeve në vitin 1980, para se të kualifikohej me rezultatin 4-2 ne penallti pas barazimit me rezultat 0-0 në çerekfinalen e vitit 1996.

2.Anglia ka dështuar të shënojë në tre nga katër ndeshjet e saj në turnetë e mëdha (Kupa e Botës/Euro) kundër Spanjës, me dy ndeshjet e fundit që kanë përfunduar me rezultat 0-0 (Kupa e Botës 1982, Euro 1996).

3.Spanja ka fituar tre finalet e saj të fundit në një turne të madh, duke fituar Kampionatin Evropian në 2008 dhe 2012, si dhe Kupën e Botës në 2010. Asnjë skuadër evropiane nuk ka qenë kurrë kaq e suksesshme në katër ndeshje radhazi të Kupës së Botës/Euro-s më parë.

4.Anglia është kualifikuar për herë të dytë radhazi në një finale të Kampionatit Evropian. Ata tashmë kanë arritur më shumë finale në turnetë e mëdha në katër tentime nën urdhrat e Gareth Southgate (dy) se sa kanë bërë në 23 paraqitjet e tyre të para në Kupën e Botës/Euro para ardhjes së tij.

5.Kjo do të jetë finalja e parë e Anglisë në një turne të madh që do ta luajë jashtë Anglisë, me finalen e Kupës së Botës 1966 dhe Euro 2020 që u luajtën në ‘Ëembley’. ‘Tre Luanët’ nuk kanë humbur asnjë ndeshje në Berlin në gjashtë të tilla (4 fitore, 2 barazime).

6.Spanja i ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet deri më tani në Euro 2024, tashmë duke u bërë ekipi me më së shumti fitore në një edicion të vetëm të Kampionatit Evropian. Që prej promovimit të fazës së grupeve në 1980, vetëm Franca në 1984 (5/5) kishte rekord 100 përqind të fitoreve.

7.Spanja ka shënuar 13 gola deri më tani në Euro 2024. Vetëm Franca në 1984 (14) kishte shënuar më shumë në një edicion të vetëm të Europianit.

8.Anglia ka pësuar golin e parë në tri ndeshjet e tyre me eliminim deri më tani. Ata janë të pamposhtur në gjashtë takimet e fundit kur pësuan gol të parët në Euro (5 fitore, 1 barazim) dhe asnjë ekip nuk ka fituar më shumë këto lloj ndeshjesh në histori të këtij turneu.

9.Anglia pati pesë goditje në portë ndaj Holandës në gjysmëfinale që ishte shifra më e lartë e tyre në një ndeshje deri tani në Euro 2024. Ndërkohë, Spanja kishte pesë ose më shumë gjuajtje në drejtim të portës në katër nga gjashtë ndeshjet e tyre në këtë turne.

10. Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente do të jetë 63 vjet e 23 ditë në ditën e kësaj ndeshje, përzgjedhësi i tretë më i vjetër që merr pjesë në një finale të Kampionatit Evropian, pas Luis Aragones me Spanjën (69 vjeç 337 ditë) dhe Otto Rehhagel me Greqinë në 2004 (65 vjeç 330 ditë).

Ora 16:07
Finalja e Euro 2024/ Tifozët anglezë pinë, urinojnë dhe zihen! Ka arrestime para finales


BERLIN - Mund të mendonit se anglezët e kishin fituar tashmë finalen e Kampionatit Evropian.

Kjo për shkak të festimeve të tifozerisë. Mbrëmjen e së shtunës, qindra tifozë të Anglisë u lëshuan në Berlin. Birra rridhte lirshëm, aty këndohej, festohej, vallëzohej – por edhe trazira.

Policia u desh të ndërhynte në disa raste: një tifoz u arrestua në Karl-Liebknecht-Strasse pasi u përlesh me një person tjetër. Një burrë ka mbetur i plagosur dhe është dashur të mjekohet nga ekipet mjekësore.

Një tifoz i Anglisë pësoi një dëmtim të përgjakshëm në vesh në Alexanderplatz. Ekipet e emergjencave u kujdesën për të. Kishte gjithashtu shumë festime dhe padyshim shumë pije në Friedrichstrasse/këndin e Schiffbauerdamm.

Policia e Berlinit ishte e pranishme në të gjithë qytetin me disa qindra njësi dhe policia federale ishte në stacionet e trenit. Tifozët që u sollën keq kaluan natën në komisariatet e policisë, ku përpunohen për qëllime identifikimi: kontroll personal, foto, gjurmë gishtash.

Disa tifozë më pas përfunduan në pikën e grumbullimit të të burgosurve, për pjesën tjetër të natës. Ende nuk dihet se sa arrestime paraprake ka pasur. Rreth orës 5 të mëngjesit, paqja më në fund u kthye, madje edhe mes shumë tifozëve që festonin në mënyrë paqësore.

30 mijë tifozë të kombëtares angleze janë në qytet pa bileta, si dhe 200 huliganë të frikshëm. Sipas vlerësimeve, rreth 70 përqind e tifozëve në stadiumin Olimpik për finalen do të vijnë nga ishulli. Zona e tifozëve anglezë ndodhet në Breitscheidplatz në perëndim të Berlinit.

Megjithatë, policia supozon se ata kryesisht mblidhen në lokalet rreth tyre – dhe janë të shqetësuar për alkoolin e tepërt. Sipas informacioneve të BILD, ka pasur trazira në katër nga gjashtë ndeshjet e Anglisë në Kampionatin Evropian.

S.DH/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • KASAP KARUC REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 14/07/2024 20:15

    Spanja sot e ka fitoren tē pa diskutushme, Spanja fiton 3 - 0 Anglia erdhi nē finale 2 her me hile e se meritonte finalen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Hapësirat publike në plazhe, sipas jush janë:



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Rama pazar me Greqinë, që lejoi Belerin nga burgu të udhëtoj jashtë

Spahiu: Rama pazar me Greqinë, që lejoi Belerin nga burgu të udhëtoj jashtë