Monedha evropiane euro mbetet në këmbimin një me një me lekun shqiptar. Sipas kursit zyrtar në 25 korrik euro blihet me 100.6 lekë dhe shitet me 101.5 lekë.

Për këtë zhvlerësim të euros shprehen të shqetësuara shoqatat e biznesit dhe eksportuesit. Në një takim të përbashkët njëzëri deklarojnë se ndodhen në kufijtë e rezistencës. 

 ‘Tashmë pasojat tepër të renda nga mbiçmimi I lekut me kursin e këmbimit po shfaqin efektet e para. Në tërësi në ekonomi, humbje dyshifrore prej disa muajsh radhazi po japin efekte drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, që të ardhurat i kanë nga remitancat, jo pak nga ata që i kanë kredi për shtëpi në euro.’.- tha Zusi.

Sipas kreut të shoqatës së eksportuesve Banka e Shqipërisë po lë situatën të dalë jashtë kontrollit.

 ‘Banka e Shqipërisë jo vetëm që nuk ka treguar ndonjë rol për të stabilizuar tregun e këmbimit valutor por ka refuzuar për të bërë transparencë për përmbushjen e detyrave ligjore që ka lidhur me ecurinë e këmbimit valutor për të shpjeguar me statistika e të dhëna të kuptueshme se çfarë ka ndodhur që po mbiçmohet monedha vendase ne Shqipëri ndryshe nga kudo në Europë. Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar nga banka e Shqipërisë.’- tha Zusi.

9 milion € vetëm nga kursi i këmbimit janë humbjet mujore të biznesit fason thotë përfaqësuesi i fasonëve Edvin Premçi.

 “Nëse e marrim sektoriale unë jam përfaqësues i fasonëve, aktualisht humbja mujore është mbi 9 milionë euro vetëm nga kursi i këmbimit.- tha Premçi.

Industria më e prekur është ajo e bimëve mjekësore, pasi 100% te kostot e prodhimit I ka në lekë, ndërsa blerjen e lëndëve të para, shpenzimet operative, shitjet në euro e dollarë dhe pasojat janë që çdo kompani bën nga 20 milionë dollarë/ euro në muaj, llogariten 17-20% humbje.

Biznesi i bën thirrje qeverisë dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko të përcaktojë një kurs fiks ose ata do të nisin protestat teksa janë lënë në rënie të lirë.