Me çeljen e gjethit në pranverë, qeveria jonë ka hapur lojën për të siguruar para nga përtej kufirit. Bashkimi Europian duket se do të ketë fonde boll, pasi banka qëndrore e tij, Banka Qendrore Evropiane ka hapur një thes gjigand me euro të reja fringo (një mijë miliardë euro për 19 muaj). Me politikën e lehtësimit të sasisë së parave në qarkullim, ajo synon të nxisë prodhimin dhe eksportet në Eurozonë.

Përmbytja me euro ka sjellë që interesat mbi bondet(letrat me vlerë të Thesarit të Shtetit), madje dhe për vende me turbullira financiare të viteve të fundit, si Italia e Spanja, të jenë vetem pak mbi 1 përqind në vit. Ne eurobondin e parë në vitin 2010 e siguruam me një interes (kosto) prej 7.6 për qind. Qeveria shqiptare njoftoi një javë më parë kompanitë e huaja këshilltare që ta ndihmonin për të shitur një eurobond të dytë me vlerë 300 milionë euro. Shpresa është që këtë eurobond ta kapim me një kosto gati dyfish më të ulët se sa i pari, ndoshta me 3.5 ose 3.5 përqind interes. Dhe nuk është pak, po të mendosh se një përqind më pak interes të sigurojmë, paguajmë 3 milionë euro më pak në vit si Shtet, interes për huanë.

Borxhi i dytë që po kërkon qeveria është nga bankat tregtare jashtë vendit. Janë çerek miliardi euro, të garantuara në pjesën më të madhe të tyre nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, një degë e Bankës Botërore. Kjo garanci shpresohet të ulë riskun e kredisë dhe kështu, edhe interesin që do të kërkojnë bankat huadhënëse për të. Këto 550 milionë euro sigurisht që do ta rëndojnë borxhin publik të vendit, por është një sakrificë e nevojshme për të shtyrë ekonominë përpara dhe për të siguruar ritëm rritjeje ekonomike për këtë vit dhe një ritëm më të mirë për vitin tjetër.

Duhet theksuar se është momenti më i mirë për të kërkuar hua në euro, ngaqë monedha e përbashkët evropiane po zhvlerësohet me shpejtësi. Pagesa e kredisë në euro në nivel shteti, njëlloj si dhe për sipërmarrjet e qytetarët, lehtësohet nga ulja e vlerës së këmbimit të euros. Kjo ulje do të vijojë shumë e fortë dhe për të paktën 16 muaj të tjerë, sa është plani i Bankës Qendrore Evropiane për të hedhur në qarkullim të një mijë miliardë eurot e saj të reja.

Dalja e qeverisë shqiptare për të kërkuar borxh nga jashtë i shërben edhe momentit në ekonominë tonë. Superdollari dhe rënia e pritshme e euros edhe në Shqipëri parashikohet të ndikojë në lehtësimin e kreditimit të brendshëm të ekonomisë. Pagesa e kësteve të kredive në euro do të jetë më e përballueshme për sipërmarrjet dhe qytetarët, prej nga është mirë që qeveria nuk kërkon dëshpërimisht para hua nga brenda vendit.

Të 14 bankat tregtare tek ne duhet ta harrojnë se mund të garantojnë fitimin e vitit vetëm dhe thjesht duke blerë bonot e thesarit të Shtetit Shqiptar. Me këtë punë janë marrë 3-4 vitet e fundit, kur praktikisht kanë paralizuar kredinë për ekonominë. Roli dhe detyra e tyre, përderisa mbajnë paratë e shqiptarëve në depozitat e tyre, është të kreditojnë ekonominë. Duke mos patur shumë ofertë qeveritare për të blerë bono thesari, bankat tregtare vetvetiu do ta përqëndrojnë vëmendjen tek produktet e reja të huadhënies për sipërmarrësit dhe qytetarët.

Dhe kjo është ajo që presim të gjithë. Zhvillimi ynë ekonomik i viteve 2004-2008 erdhi kryekëput nga kredia bankare. Ajo është gati në ngërç tani, por duhet liruar me çdo kusht dhe menjëherë. Banka e Shqipërisë ka një rol shumë të rëndësishëm për këtë mision. Ajo duhet t’i luajë të gjitha kartat e saj. Nga Guvernatori i ri pritet realisht shumë. Ai mund t’i mbledhë drejtuesit e 14 bankavetregtare dhe të diskutojë hapur me ta taktikat dhe politikat që duhen ndjekur, për të rigjallëruar kreditin bankar shqiptar. Qeveria po e bën të sajën, duke mos kërkuar para dhe për gati një vit të plotë prej tani, nga depozitat e shqiptarëve në tregun e brendshëm, nëpërmjet ofertës për bono thesari.

I takon Bankës së Shqipërisë të hedhë zaret e saj. Po a ka zare për të luajtur sot ajo? Studjuesit e ekonomisë mendojnë se ka dhe shumë. Banka jonë qendrore e ka në dorë të rrisë sigurinë e bankave tregtare në dhënien e kreditit për ekonominë. Ka shumë mënyra për këtë dhe Banka e Shqipërisë duhet t’i provojë me kurajo të gjitha, nëse dëshiron që më në fund të luajë rolin e saj të natyrshëm nxitës për ekonominë dhe bankat, e jo vetëm konstatues e këshilla-dhënës me dorezë mëndafshi për qeverinë.    


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)