Kompeticioni i dytë për nga rëndësia në Evropë, Europa League, zhvilloi të enjten tre ndeshjet e mbetura për fazën çerekfinale në aktin e parë. Një hap të rëndësishëm për kalimin më tej hodhi Aston Villa, me anglezët që fituan 1-3 në Itali kundër Bolognas. Porto barazoi 1-1 kundër Nottinghamit, teksa Freiburg likuidoi me tre gola Celta Vigon.
Në stadiumin 'Renato Dall'Ara' Bologna vendase u mposht 1-3 nga Aston Villa. Ezri Konsa kaloi në epërsi miqtë nga Anglia në fundin e fraksionit të parë. Edhe pjesa e dytë nisi aty ku kishte ndalur, me Ollie Watkins që dyfishoi për Aston Villan. Bologna 'u zgjua' dhe shkurtoi rezultatin me golin e Jon Rowe në minutën e 90-të, por sërish Ollie Watkins gjeti rrjetën e tretë për miqtë nga Birminghami.
Në 'do Dragao' Porto dhe Nottingham barazuan 1-1. Gjithçka në këtë sfidë u vendos në harkun e dy minutave lojë. Fillimisht William Gomes në minutën e 11-të shënoi për Porton, ndërsa disa sekonda më vonë vendasit shënuan në portën e tyre. Martim Fernandes ktheu një top pas, por portieri Costa nuk mundi ta kontrollonte dhe ndeshja u mbyll 1-1.
Në Gjermani, Freiburgu fitoi 3-0 kundër Celta Vigos. Vincenzo Grifo, Jan Beste dhe Mathias Ginter shënuan në këtë duel.
Më 16 prill do luhen ndeshjet e kthimit mes këtyre çifteve, për të mësuar edhe skuadrat gjysmëfinaliste.
Europa League, faza çerekfinale - akti i parë:
E mërkurë, 8 prill 2026
E enjte, 9 prill 2026 - 21:00
Bologna 1-3 Aston Villa
Porto 1-1 Nottingham
Freiburg 3-0 Celta Vigo
Komente




