Mbrojtja e Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dërgon në Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme në seancë paraprake për kalimin e dosjes në gjykimin. Sipas avokatëve, ky proces është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave të Veliajt, kur atij i ishte mohuar dhënia e dosjes dhjetëra mijëra faqe dhe analizimi i saj duke i mohuar edhe mbrojtjen.

"E drejta për mbrojtje efektive nuk është një e drejtë që realizohet në mënyrë të deleguar, por kërkon pjesëmarrje personale dhe të informuar të të pandehurit në ndërtimin e mbrojtjes së tij. Edhe nëse pranohet se mbrojtësit kanë pasur akses në materialet e çështjes, kjo nuk mund të zëvendësojë detyrimin që i pandehuri vetë të ketë mundësi reale për t’u njohur me provat, për t’i kuptuar ato dhe për të dhënë udhëzime konkrete për strategjinë mbrojtëse. Në kushtet kur materiali provues nuk i është vënë në dispozicion në formë të aksesueshme dhe të përdorshme për të, ndërkohë që ai ndodhet në paraburgim dhe pa mjete teknike për të lexuar materialin elektronik, çdo pretendim për “akses të garantuar” mbetet iluzionar", thuhet në ankim. 

Mbrojtja e Veliajt kërkon po ashtu shpalljen e pavlefshmërisë për 4 seancave gjyqësore që janë zhvilluar deri më tani. 

Deklarata e plotë e mbrojtjes së Veliajt

Të nderuar përfaqësues të medias,

Në vijim të praktikës sonë për të informuar opinionin publik mbi çdo veprim ligjor të ndërmarrë nga mbrojtja e z. Veliaj, ju bëjmë me dije se sot kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit nr. 29, datë 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe për pavlefshmërinë e të gjitha veprimeve të kryera mbi bazën e këtij vendimi.

Kërkesa jonë përfshin gjithashtu shpalljen si antikushtetuese të dy dispozitave ligjore që kanë kontribuar drejtpërdrejt në cenimin e të drejtave kushtetuese të z. Veliaj, si dhe të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, që ndodhet në të njëjtat kushte.

Thelbi është i qartë:

Ky proces është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore. Z. Veliaj dhe mbrojtjes së tij i është mohuar koha reale për të analizuar një dosje me dhjetëra mijëra faqe, duke e reduktuar mbrojtjen në një formalitet; Parimi i barazisë së armëve është cenuar, pasi prokuroria ka vepruar në avantazh të plotë procedural; Gjykimi është zhvilluar në kushte që cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës; Z. Veliaj është trajtuar në mënyrë të tillë që cenon prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetin njerëzor, përfshirë mbajtjen në kushte izolimi gjatë seancave ku ai duhet të mbrohet i lirë.

Në këto kushte, vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq është marrë mbi një proces të kompromentuar në themel, duke prodhuar një proces antikushtetues dhe për rrjedhojë, të pavlefshëm, i cili nuk mund të prodhojë pasoja juridike të vlefshme.

Për këto arsye, i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese:

  • të shfuqizojë vendimin e seancës paraprake;
  • të shpallë të pavlefshme veprimet e kryera mbi bazën e tij;
  • të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 14 të ligjit nr. 95/2016;
  • të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 332/gj të Kodit të Procedurës Penale.

Kjo nuk është thjesht një çështje individuale. Është një sfidë për rivendosjen e rendit kushtetues dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon drejtësia në këtë vend. Ne do të përdorim çdo mjet ligjor për të garantuar që Kushtetuta dhe standardet evropiane të mos mbeten deklarative në letër, por të zbatohen realisht, ashtu siç sovrani – populli shqiptar – ka shprehur vullnetin e tij përmes miratimit të Kushtetutës.

Faleminderit.

Av. Plarent NDRECA

Mbrojtësi i z. Erion Veliaj

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Lajmi në përditësim...