TIRANE- Presidenti Safet Gjici në një intervistë për gazetën ‘Shqiptarja.com’ rrëfen emocionet dhe planet për të ardhmen duke deklaruar fillimisht se Kukësi nuk preket më pas nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit.
 
Kualifikimi i ekipit të Kukësit në turin e dytë të Kupave të Evropës ishte padyshim qershia mbi tortë pas një edicioni që ka njohur vetëm rritje, madje edicionet e fundit mund të quhen me plot gojën të verilindorëve, pasi ngjitja ka ardhur nga kategoria e parë si uragan. Kualifikimi përballë një ekipi estonez që kishte më shumë eksperiencë ishte pa asnjë dyshim i merituar plotësisht nga të gjitha aspektet. Presidenti Safet Gjici në jë intervistë për gazetën ‘Shqiptarja.com’ rrëfen emocionet dhe planet për të ardhmen.
 
Z. Gjici si ndiheni pas kualifikimit në turin e dytë të Evropa League-s?
Natyrisht që ndihem shumë mirë, përkushtimi maksimal në cdo seancë stërvitore dhe ndeshje u shpërblye nga ai kualifikim që është historik për ekipin e Kukësit, që po i ngjit shkallët e suksesit shumë shpejt.
 
Cfarë mund të thoni për lojën dhe a mendoni se ishit me fat që nuk pësuat gol kur ishit me një futbollist më pak në fushë?
Kualifikimin e merituam plotësisht, pasi edhe në ndeshjen e parë dhe në kthim në ‘Qemal Stafa’ zhvilluam një lojë mjaft të mirë duke treguar se jemi më superiorë se kundërshtari.
 
A do të ketë një premio për kalimin e turit të parë dhe për turin e dytë?
Sigurisht që do të ketë një premio speciale, pasi kualifikimi ishte historik. Ekipi e meriton plotësiht vëmendjen, pasi ka bërë një punë mjaft të pozitive. Premion për turin e dytë do ta deklaroj dy ditë para ndeshjes së parë me ekipin boshnjak.
 
Çfarë mendimi keni për kundërshtarin dhe a ia keni frikën?
Ekipin e Sarajevës e rrespektojmë për vlerat dhe historinë që mbart, pasi është një ekip me traditë më shumë se Kukësi në Evropë,  por kjo nuk do të thotë që ta kemi frikë. Unë mendoj që duhet të jemi të qetë, pasi shanset janë të barabarta në fushë, nuk duhet të përfshihemi nga euforia.
 
Por, stafi teknik pas ndeshjes me Flora Talin deklaroi se nuk e llogarisin aspak kundërshtarin e turit të dytë….
Mendoj që një deklaratë e tillë ka ardhur si pasojë e euforisë që u krijua pas kualifikimit. Stafi teknik ka nisur përgatitjet për t’u njohur me lojën e kundërshtarit.
 
Ndërhyrja në merkato do të ketë për turin e dytë?
Jemi në kërkim të dy ose tre futbollistëve cilësorë në mesfushë dhe sulm, porn ë tregun vendas është shumë e vështirë të gjesh elementë cilësorë dhe të lirë. Megjithatë jemi duke ndjekuar nga afër dy futbollistë vendas, më pas nëse nuk arrijmë në konkluzione do të tentojmë jashtë.
 
A mendoni se do të kaloni edhe boshnjakët duke thyer një tjetër rekord?
Çdo gjë është e mundur, unë besoj që mund të ia dalim mbanë. Kemi të gjitha mundësitë për të mundur Sarajevën, ndeshjen e parë e zhvillojmë brenda, e cila na avantazhon, pasi do të tentojmë të mbyllim gjithcka këtu për të mos rrezikuar jashtë.
 
Ka shumë zëra që Kukësi do të shpërbëhet pas Kupave të Evropës, si është e vërteta?
Janë thjeshtë thashetheme në media, pasi nuk ka asgjë të vërtetë për largime të futbollistëve apo drejtuesve. Është noramle që pasi të arrish një sukses të gjithë do të tentojnë që të kenë në gjirin e tyre, por Kukësi nuk preket.
 
Flitet që ju edicionin tjetër do të merrni drejtimin e ekipit të Tiranës, sa e vërtetë është kjo dhe a e përjashtoni kategorikisht largimin nga Kukësi?
Nuk mund të them që e përjashtoj largimin nga Kukësi, por zërat që lidhin kalimin tim te Tirana nuk janë aspak të vërtetë, janë thjeshtë hipoteza.

Shkrimi u publikua sot në gazetën “Shqiptarja.com”
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)