Eurostat: Edhe pas rritjeve, paga minimale në Shqipëri mbetet më e ulëta në Europë, sipas fuqisë blerëse

Eurostat: Edhe pas rritjeve, paga minimale në Shqipëri mbetet më e ulëta në Europë, sipas fuqisë blerëse

Foto ilustruese

Edhe pas rritjeve të vazhdueshme, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet ndër më të ulëtat në Europë në vlerë nominale, por sërish e fundit sipas fuqisë blerëse, sipas një renditjeje të fundit që ka bërë Instituti Europian i Statistikave, Eurostat.

Megjithëse në renditjen e fundit, Shqipëria ia ka kaluar Maqedonisë së Veriut, për pagën minimale në vlerë, kur renditet sipas fuqisë blerëse, ajo kalon sërish në vend të fundit (shiko grafikun sipas fuqisë blerëse).

Grafiku i publikuar nga Eurostat tregon diferencë relativisht të lartë kur matet sipas standardeve të fuqisë blerëse (PPS) për pagën minimale në Shqipëri, me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Eurostat i krahason pagat minimale bruto të zbatueshme më 1 korrik 2024, pas përshtatjes së tyre me diferencat e çmimeve midis vendeve.

Kjo bëhet duke përdorur barazinë e fuqisë blerëse (PPP) për shpenzimet e konsumit final të familjeve. Siç mund të pritej, ky rregullim redukton dallimet ndërmjet vendeve.

Paga minimale e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP) në Shqipëri është më e ulëta në Europë dhe midis vendeve kandidate me 556 PPS. Më e larta nga vendet kandidate është në Turqi, me 919 PPS, e ndjekur nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe në fund, Shqipëria.

Sipas pagës nominale në vlerë, Shqipëria renditet e treta me pagën më të ulët minimale në Europë, duke lënë pas nga Rajoni Maqedoninë e Veriut. Në Europë, dy shtetet me pagën më të ulët minimale janë Moldavia dhe Ukraina.

Në Shqipëri, paga minimale ka arritur në 40 mijë lekë (rreth 400 euro) bruto në muaj pas rritjeve të vazhdueshme që bëri qeveria dy vitet e fundit, në një garë të ethshme për të barazuar pagat me rajonin.

Kryesimin vijojnë ta mbajnë Serbia dhe Mali i Zi, të cilat nuk kanë qëndruar në vend ndërkohë. Në Serbi dhe Mal të Zi, paga minimale është rreth 35% më e lartë se në Shqipëri.

Në të dy këto shtete, paga minimale i ka kaluar 500 euro/muaj. Në Serbi paga minimale është 544 euro në muaj, ndërsa në Mal të Zi 532 euro në muaj.

Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale është rreth 360 euro/muaj, por përditësimi më i fundit është i fundit të vitit 2021.

Por, ndonëse paga minimale në Shqipëri tashmë është më e lartë në vlerë nominale së në Maqedoninë e Veriut, me këtë pagë mund të blesh më pak sesa në Maqedoninë e Veriut, për shkak të çmimeve më të shtrenjta.

Një element që e ka rritur pagën minimale në Shqipëri është fakti që ajo raportohet në euro dhe për shkak të zhvlerësimit të kësaj të fundit rezulton artificialisht më e lartë. Kjo rritje artificiale neutralizohet nga treguesi tjetër, sipas barazisë së fuqisë blerëse, ku Shqipëria del sërish pas Maqedonisë së Veriut.

Eurostat sqaroi se për vendet monedha kombëtare e të cilave nuk është euro: Bullgaria, Çekia, Hungaria, Polonia dhe Rumania, vendet kandidate dhe kandidate potenciale përveç Malit të Zi [1] si dhe Shtetet e Bashkuara, paga minimale është konvertuar në euro duke përdorur shkëmbimin norma në fuqi në fund të qershorit 2024.

Vetëm nga zhvlerësimi i euros, paga minimale në Shqipëri rezulton rreth 10% më e lartë kur konvertohet në euro.

Paga minimale në Europë

Më 1 korrik 2024, 22 nga 27 vendet e BE-së kishin një pagë minimale kombëtare (duke përfshirë Qipron që nga 1 janari 2023).

Vendet e BE-së pa pagë minimale kombëtare ishin: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 477 € në Bullgari në 2 571 € në Luksemburg.

Midis 10 vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, 7 kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Ukraina), ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia dhe Kosova nuk kishin një pagë minimale kombëtare.
Bazuar në nivelin e pagave të tyre minimale mujore bruto kombëtare të zbatueshme më 1 korrik 2024, të shprehura në euro (€), vendet e BE-së në fjalë mund të klasifikohen në 3 grupe të ndryshme;.

Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 500 € në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Irlanda, Holanda, Belgjika, Gjermania dhe Franca. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1 767 € në Francë në 2 571 € në Luksemburg.

Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 000 € dhe nën 1 500 € në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Spanja dhe Sllovenia. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin 1 254 € në Slloveni dhe 1 323 € në Spanjë.

Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare të barabartë ose nën 1 000 € në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Qiproja, Polonia, Greqia, Portugalia, Malta, Lituania, Kroacia, Estonia, Çekia, Sllovakia, Rumania, Letonia, Hungaria dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 477 € në Bullgari në 1 000 € në Qipro.

Norma mesatare vjetore e rritjes ndërmjet korrikut 2014 dhe korrikut 2024 ishte më e larta në Rumani (+13,7%) e ndjekur nga Lituania (+12,3%), Bullgaria (+10,6%), Polonia (+9,5%) dhe Çekia (+9,3%). Normat më të ulëta të rritjes mesatare vjetore midis vendeve të BE-së u regjistruan në Francë (+2,0%), Maltë (+2,6%) dhe Luksemburg (+3,0%).

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare, për të cilat ka të dhëna, përfshihen në grupin 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga 185 euro në Ukrainë në 568 euro në Turqi./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare