Eurovision nuk do të organizohet më automatikisht nga vendi fitues. Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka ndryshuar rregullat e konkursit, duke vendosur se një shtet që fiton garën nuk do të ketë të drejtën ta presë edicionin e ardhshëm nëse është i përfshirë në një konflikt të armatosur ose në një situatë të ndjeshme gjeopolitike që mund të ndikojë te siguria dhe zhvillimi i eventit.
Ndryshimi vjen pas rishikimit vjetor të rregullores së Eurovisionit dhe prek një nga traditat më të vjetra të konkursit, sipas së cilës fituesi organizon automatikisht edicionin pasardhës. Aktualisht, Eurovisioni 2027 është planifikuar të mbahet në Bullgari, pas fitores së këngëtares Dara në muajin maj.
Sipas rregullores së re, transmetuesi fitues do të shpallet automatikisht i papërshtatshëm për organizimin e konkursit nëse një konflikt i armatosur, një situatë e ndjeshme gjeopolitike ose çdo rrethanë tjetër cenon sigurinë, stabilitetin apo mbarëvajtjen e eventit në vendin e tij ose në rajonin përreth.
EBU ka bërë të ditur se ndryshimet janë miratuar pas konsultimeve me transmetuesit pjesëmarrës dhe synojnë t'u japin më shumë qartësi artistëve, delegacioneve dhe stafit organizativ.
Kjo nuk është hera e parë që Eurovisioni zhvillohet jashtë vendit fitues. Në vitin 2023, konkursi u organizua në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse Ukraina kishte fituar një vit më parë. Në atë kohë, EBU argumentoi se lufta me Rusinë e bënte të pamundur nisjen e përgatitjeve 12-mujore të nevojshme për organizimin e spektaklit në Ukrainë.
Edhe edicioni i këtij viti u shoqërua me debate. Konkursi, i zhvilluar në Vjenë të Austrisë, u mbajt pasi disa vende, mes tyre Spanja, Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia, u tërhoqën nga gara pasi u konfirmua pjesëmarrja e Izraelit. Bojkoti erdhi pas kritikave të disa transmetuesve ndaj rolit të Izraelit në konkurs, në sfondin e luftës në Gaza.
Në finalen e këtij viti, Izraeli u rendit në vendin e dytë, njësoj si edhe në vitin 2025.
Drejtori i Eurovision Song Contest, Martin Green, tha se konkursi është në zhvillim të vazhdueshëm dhe se rishikimi i rregullave bëhet çdo vit për të garantuar që gara të mbetet e drejtë, transparente dhe e njëtrajtshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Ai theksoi se ndryshimet për vitin 2027 janë bërë mbi bazën e komenteve të transmetuesve anëtarë dhe synojnë të ofrojnë më shumë qartësi për të gjithë të përfshirët, të mbrojnë artistët dhe të sigurojnë që Eurovision të vazhdojë të jetë një mjedis i sigurt dhe mikpritës, pa cenuar frymën dhe integritetin e konkursit.
Rregullorja parashikon gjithashtu se, edhe kur nuk ka konflikt të armatosur, por ekziston një situatë që mund të krijojë probleme për organizimin e eventit, vendi fitues do t'i nënshtrohet një vlerësimi nga një organ i pavarur i sigurisë. Nëse ai shpallet i papërshtatshëm, EBU do të përzgjedhë një transmetues tjetër, i cili do të marrë të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë për organizimin e Eurovisionit.











Komente
Komento