KORÇE- Nata e parë e “Serenights Festival” iu kushtua zërave të rinj të qytetit të Korçës.

Ndërsa në tri netët në vijim pritet të ngjiten në skenë edhe emra të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre Mihallaq Andrea, Eli Fara dhe Redon Makashi.

Mes artistëve që u ngjitën në skenë mbrëmjen e se enjtes ishte Gloria Nure, e cila tregon emocionet e pjesëmarrjes në Festivalin e Serenatave.

Festivali do të zhvillohet në katër stacione të ndryshme të qytetit, ku dhjetëra artistë të rinj dhe të vjetër korçarë do të sjellin disa prej këngëve ikonike.

“Natën e parë e kemi çelur në ‘Bashta Themistokli’, siç e njohin korçarët. E kemi nisur me zërat e rinj, për të dhënë dhe një mesazh që Korça trashëgon atë që ka në gen. Kështu që jam e lumtur, publikun e shikoj që është i kënaqur, e këndojnë të gjithë së bashku. Jemi munduar që të përzgjedhim zërat më të bukur të qytetit, me një bandë goxha të mirë. Besoj që kjo natë ka treguar edhe njëherë që serenata jeton në çdo brez, këndohet dhe nuk do të shuhet kurrë”,-tha organizatorja Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës Kulturore Korçë.

Tradita e dikurshme, kur të rinjtë korçarë këndonin poshtë dritareve të vajzave apo në sokakët e lagjeve të vjetra, synohet të mbahet gjallë. Pikërisht kësaj trashëgimie i kushtohet festivali, i cili tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme.