Debatet e fundit dhe rrebeshi i kritikave ndaj përfaqësimit tonë në Eurovizion riaktualizojnë një sëmundje të vjetër shqiptare: dëshirën për të anatemuar çdo gjë që guxon të jetë ndryshe, duke harruar se arti, mbi të gjitha, është çështje perceptimi dhe shijeje, jo një e vërtetë absolute e mbyllur në optikën e ngushtë të disave.

Nëse ka një leksion që historia e muzikës na e ka përsëritur shpesh, është pikërisht ky: ata që janë kritikuar më së shumti nga "elitë profesionaliste", shpesh kanë korrur suksesin më të madh në treg dhe kanë mbetur gjatë në memorien e publikut.

Muzika nuk bëhet për kabinetet e kritikëve, por për shpirtin e masës. Dhe kënga jonë e sivjetshme i kishte të gjithë elementët e duhur për të triumfuar. Përtej cinizmit të rrjeteve sociale, intervistave dhe deklaratave nëpër mediume, fakti mbetet fakt që mesazhi ishte i fortë, universal dhe prekës, i aftë të kapërcejë kufijtë gjuhësorë.

Muzika dhe ekzekutimi ishin në lartësinë e duhur teknike dhe me një interpretim vokal e skenik thjesht perfekt. Po ashtu, përfshirja e aktores së madhe Rajmonda Bulku në rolin e nënës ishte një gjetje gjeniale; me profesionalizmin dhe lartësinë e saj artistike, ajo i dha skenës një peshë emocionale dhe një dinjitet që rrallë shihet në të tilla kompeticione moderniste.

Muzika nuk është vetëm çështje kritike, se ndoshta pak e kritikojnë sipas optikës së tyre, por shumë të tjerëve kënga u pëlqen dhe i prek në shpirt.

Ajo që kritikët tanë të mbyllur në "flluskën" e tyre nuk po duan të kuptojnë, është se Eurovizioni ka kohë që nuk është thjesht një koncert apo një festival i thjeshtë kënge. Eurovizioni është diplomaci e pastër.

Në atë skenë nuk voton vetëm veshi muzikor; aty voton gjeopolitika, aleancat strategjike dhe lobimi i fortë kulturor. Dhe këtu qëndron pika ku ne çdo vit çalojmë.

Shqipëria vazhdon të vuajë – për shumë motive, disa të merituara e disa krejtësisht të pamerituara – nga një diplomaci e dobët shumëdimensionale. Ne dështojmë në diplomacinë e artit dhe të muzikës. Ndërsa shtetet e tjera ndërtojnë strategji kombëtare, investojnë miliona në lobim dhe krijojnë aleanca muaj para festivalit, ne e lëmë projektin tonë jetim, duke pritur që vetëm talenti i pastër të na nxjerrë në dritë.

Prandaj, në vend që t’i turremi artistëve tanë me analiza sterile se pse "nuk bëmë gjë", bëjmë mirë të shohim ku çalon makineria jonë shtetërore dhe diplomatike e promovimit të kulturës.

Kënga i kishte të gjitha për të fituar. Ajo që na mungoi – si gjithmonë – ishte mbështetja e një diplomacie të fortë që di të mbrojë dhe të shesë vlerat tona në Europë. Këtë kritikët tanë bëjnë mirë ta kuptojnë, ose të paktën, të mos bëjnë sikur nuk e kuptojnë.