Për javë të tëra, ai qëndroi pranë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, duke shpresuar për një lajm të mirë. Në fillim të shkurtit, Xhetan Ndregjoni mori lajmin dqë kishte pritur – mbesa e tij, Eva, ishte rrugës pasi kishte arritur të arratisej nga kampi i mjerueshëm në shkretëtirën siriane, ku ishte mbajtur pa akuzë që kur ishte fëmijë.
“Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë moment,” tha Ndregjoni për ribashkimin e tyre.
Kalvari i familjes kishte nisur më shumë se një dekadë më parë, kur Eva Dumani, atëherë nëntë vjeç, dhe vëllai i saj më i vogël, shtatë vjeç, u rrëmbyen nga shtëpia e tyre në Shqipëri dhe u dërguan në Siri nga babai i tyre, i cili më vonë u vra duke luftuar për Shtetin Islamik.
Lirimi i Dumanit ishte një moment i rrallë gëzimi në mes të asaj që është përshkruar si një katastrofë në zhvillim në veri të Sirisë. Zbrazja graduale e kampit al-Hawl — ku mijëra gra dhe fëmijë nga më shumë se 40 vende me lidhje të dyshuara me IS janë mbajtur arbitrarisht për vite me radhë — ka lënë shumë prej tyre të braktisur në një zonë pas konflikti, të pambrojtur ndaj shfrytëzimit dhe duke ngritur shqetësime të reja për sigurinë.
Rënia e kampit, së bashku me pasigurinë mbi të ardhmen e objektit më të vogël al-Roj, ku mbahen shumë shtetas të Evropës Perëndimore dhe Australisë — përfshirë edhe Shamima Begum, e cila udhëtoi nga Britania e Madhe drejt Sirisë në moshën 15-vjeçare — ka çuar në thirrje të reja që qeveritë të riatdhesojnë qytetarët e mbajtur për vite pa akuzë apo gjyq.
“Njerëzit do të kthehen, duan apo nuk duan shtetet, sidomos nëse kanë arritur të arratisen,” tha Devorah Margolin, studiuese e lartë në Washington Institute for Near East Policy.
Rreth 6 mijë shtetas të huaj nga vende si Serbia, Bosnja dhe Shqipëria u mbajtën në al-Hawl pas rënies së IS në vitin 2019, shumë prej tyre gra dhe fëmijë. Shumica kanë kaluar vite të tëra në kushte që Human Rights Watch i ka përshkruar si “çnjerëzore, degraduese dhe kërcënuese për jetën”, të karakterizuara nga mungesa kronike e ushqimit dhe ilaçeve, si dhe dhuna nga gra që ende i qëndrojnë besnike IS.
Margolin tha se zbrazja e kampit tregoi se qeveritë që kishin hezituar ose refuzuar të riatdhesonin qytetarët e tyre nuk mund të mbyllin më sytë. “Njerëzit do të kthehen në Evropë. Dhe është shumë më mirë të kesh një plan të qartë për t’u marrë me traumën, riintegrimin dhe sigurinë, sesa t’i lejosh të hyjnë fshehurazi dhe të mos merresh fare me ta. Kjo është një ftesë për probleme,” tha ajo.
Përveç Dumanit, autoritetet belge thanë se një grua e dënuar në mungesë për anëtarësi në IS ishte kthyer gjithashtu në shkurt dhe ishte arrestuar sapo mbërriti.
Një burim i tha gjithashtu Guardian-it se një grua tjetër nga Evropa Perëndimore kishte arritur të kontrabandohej nga al-Hawl drejt Libanit, ku ishte paraqitur në ambasadën e vendit të saj dhe kishte kërkuar ndihmë për riatdhesim. Në al-Roj, më shumë se 30 australianë u përpoqën së fundmi të largoheshin vetë nga kampi për t’u kthyer në shtëpi, por u ndaluan në momentin e fundit.
Në një intervistë të fundit në al-Roj, Elona Shuli — më e madhja nga tre motrat e dërguara në Siri si fëmijë dhe e martuar me një luftëtar të IS në moshën 13-vjeçare — tha se shpresonte të riatdhesohej nga Shqipëria. Duke mbajtur dy fëmijët e saj në krahë, ajo fliste ndërsa shikonte herë pas here një grua shqiptare që qëndronte pranë. Një i afërm tha më vonë se disa gra shqiptare më ekstremiste veprojnë si “mbikëqyrëse” ndaj saj dhe motrave të saj, duke u përpjekur t’i mbajnë të lidhura me ideologjinë e IS.
Qeveria shqiptare i ka thënë familjes së Shulit se nuk mund ta riatdhesojë, pasi nuk arrin të përcaktojë vendndodhjen e saj të saktë në kampin al-Roj. Gazetarët e The Guardian e gjetën Shulin brenda pak minutash, pasi i dhanë administratës së kampit emrin e saj dhe u udhëzuan drejt tendës ku ajo qëndronte.
Në gjithë Evropën ka pasur pak reagim publik ndaj situatës që po ndryshon në Siri, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për kthimin e personave të lidhur me IS.
Shembja e al-Hawl dhe pasiguria për al-Roj do të thotë se gratë dhe fëmijët rrezikojnë të mbeten vetëm në një zonë konflikti, tha Beatrice Eriksson nga organizata “Repatriate the Children”. Ajo tha se shumë gra kanë kontaktuar qeveritë e tyre për ndihmë, shpesh pa marrë përgjigje.
Eriksson paralajmëroi se këta fëmijë dhe nënat e tyre përballen me një “kërcënim të menjëhershëm”. “Vendet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë tani dhe të ndihmojnë qytetarët e tyre të kthehen në shtëpi. Nuk ka më kohë për të humbur. Ka grupe në Siri që duan t’i rekrutojnë dhe t’i shfrytëzojnë këta fëmijë dhe nënat e tyre,” shtoi ajo.
Hulumtimet e Human Rights Watch tregojnë se shumë fëmijë të riatdhesuar kanë arritur të riintegrohen me sukses, pavarësisht se kanë jetuar në kushte aq të rënda sa që organizata paralajmëron se ndikimi psikologjik i tyre “mund të konsiderohet torturë”.
Ndërsa Eriksson mirëpriti kthimin e Dumanit në Shqipëri, ajo tha se ishte “shqetësuese” që familjes së saj i ishte dashur ta sillte vetë në siguri. “Xhaxhai i Evës është një hero i vërtetë,” tha ajo.
Gjyshja e Dumanit kishte udhëtuar më parë në Siri për të sjellë nipërit në shtëpi, por u ndalua dhe vdiq pas gjashtë vitesh pa akuzë. Eva mbeti e vetme pasi vëllai i saj u riatdhesua në vitin 2020.
Pas arratisjes nga al-Hawl në fillim të këtij viti, Dumani eci për katër orë për të arritur në një rrugë kryesore, ku kishte organizuar që kontrabandistë ta merrnin dhe ta çonin në Turqi, tha xhaxhai i saj për Guardian. Autoritetet shqiptare thanë se e ndihmuan të udhëtonte nga Turqia drejt Shqipërisë.
Pasi u kthye në shtëpi, ajo më në fund mundi të përqafonte familjen e saj. “E kishim pritur këtë moment për 12 vjet,” tha Ndregjoni. “Ishte jashtëzakonisht emocionuese kur pa vëllain dhe nënën.”
Ai tha se Dumani, tashmë 20 vjeç, po përshtatet mirë me jetën në shtëpi. Ajo ka nisur shkollën e mesme, e vendosur të kompensojë vitet e humbura të arsimit gjatë qëndrimit në kamp.
Tani shqetësimi i tij është zhvendosur te rreth 25 shqiptarët që mbeten ende të bllokuar në veri të Sirisë. “I kërkojmë qeverisë të sjellë në shtëpi edhe fëmijët e tjerë që janë në këtë situatë, është shumë e rëndësishme që edhe ata të jenë pranë familjeve të tyre,” tha ai./TheGuardian
Komente









