Shqipëria është vendimi mikpritës i kampionatin evropian të minifutbollit për 2026, ku do të marrin pjesë 25 kombëtare të kontinentit të vjetër. Niveli më i lartë i minifutbollit, i njohur ndryshe edhe si kalceto 6 kundër 6, do të demonstrohet në ‘Shtëpinë e Futbollit’ nga data 20 deri më 24 maj.

“Skuadrat do vijnë nga gjithë Evropa. Do vijnë shtete që kanë tradita në futboll si Franca, Anglia, Spanja, Gjermania dhe shumë shtete të tjera. Do renditen nëpër grupe, por shorti akoma nuk është hedhur. Nuk e dimë ende si do përcaktohen, por si do të jetë shorti ne kemi besim se do paraqitemi mirë. Në Botërorin e fundit shkuam në çerekfinale këtu pretendojmë të shkojmë më lart meqënse është Evropian dhe organizohet në vendin tonë,”-u shpreh Endrit Kaca, kapiten i Kombëtares së minifutbollit.

Kapiteni i Kombëtares Endrit Kaca për Report TV zbuloi se në të vërtetë ëndrra e madhe është për t’i shkuar deri në fund Evropianit.

“Realisht unë kam besim te djemtë, te lojtarët, te vetja, te skuadra, te stafi dhe të përgatitja që po bëhet, por them ti marrim gjërat me rradhë. Fillimisht duhet të synojmë të kalojmë grupin. Pastaj një nga secilën skuadër, se ne kemi treguar se mund të përballemi me këdo, dhe pse jo të arrijmë edhe te trofeu,”-tha Kaca.

Kombëtarja e minifutbollit stërvitet rregullisht dhe ndodhet në fazën e rekrutimeve.

“Do ketë edhe prurje të reja. Ka edhe lojtarë të kombëtares së madhe që do jenë pjesë e jona. Është Jamir Hyka, Valdet Rama. Kemi edhe lojtarë të tjerë që janë në seleksionime dhe do shohim në fund se kush do jetë 15-shja që do të na përfaqësojë,”-deklaroi Kaca.

Kapiteni i Kombëtares, përmes Report TV, kishte një thirrje për tifozët.

“Tifozët të vijnë të na mbështesin dhe ne do ua shpërblejmë në fushë,”-u shpreh Endrit Kaca.

Ndeshjet e minifutbollit janë të organizuara me dy pjesë nga 20 minuta secila, ndërsa në ‘Shtëpinë e Futbollit’ do të jenë me një ritëm shumë intensiv. Do të nisin prej orës 12:00 dhe do të zgjasin deri në mbrëmje.