TIRANË - Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev nuk ia ka dalë që t'i japë vendit një medalje të artë duke u mposhtur në finalen e Evropianit të Mundjes që po zhvillohet në Pallatin e Sportit 'Feti Borova' në Tiranë. Ruso-shqiptari duhet të mjaftohet me medaljen e argjendtë, pasi në finalen e peshës deri në 65 kilogramë të stilit të lirë u mposht sot nga rusi Bashir Magomedov me rezultatin 10-0 me pikë. Magomedov dominoi ndeshjen duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi sportistit kuqezi.

Me arritjen si nënkampion i Evropës, Dudaev ka siguruar 4 milionë lekë të rinj shpërblim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo sfidë u ndoq nga pranë edhe nga kryeministri Edi Rama.

Performanca e Dudaev në këtë event

Ruso-shqiptari kaloi pa shumë vështirësi turkun Ahmet Duman në fazën kualifikuese, duke e mposhtur 6-1. Në fazën çerekfinale Dudaev u përball kundër gjeorgjianit Nika Zakashvili, duke fituar 3-1 në një përballje që tregoi gjithë cilësitë dhe teknikën e mundësit tonë.

Në fazën gjysmëfinale Dudaev mposhti pastër 4-0 me pikë rusin Islam Guseinov, i cili garon nën ombrellën e Federatës Botërore të Mundjes, për shkak se Rusia nuk është e mirëpritur në këto aktivitete pas sulmit mbi Ukrainë.

Edhe fituesi i medaljes së artë, Bashir Magomedov, garoi me flamurin e Federatës Botërore të Mundjes.

Zelimkhan Abakarov - Sportisti tjetër kuqezi, Zelimkhan Abakarov, ia doli të sigurojë sot finalen për disiplinën e stilit të lirë deri në 61 kilogramë dhe për rrjedhojë e ka 'në xhep' medaljen e argjendtë. Finalja mes Zelimkhan Abakarov dhe Zavur Uguev do të zhvillohet të dielën në orën 17:10, në ditën përmbyllëse të këtij eventi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:00
Dudaev nënkampion evrope në Tiranë, Prizreni për Report Tv: Rezultat fantastik, kryeministri i bëri përshtypje rusi

Islam Dudaev i ka siguruar Shqipërisë medaljen e argjendtë në kampionatin evropian të mundjes që po zhvillohet në Tiranë. Mundësi me origjinë nga çeçenia nuk ia doli në finale kundër rusit Bashir Magomedov, i cili garoi nën flamurin e komitetit olimpik ndërkombëtar. Në Feti Borova Dudaev u ndal pas 4 fitoresh me rezultatin 10-0 në favor të Magomedov.

“Medalje e argjendtë nuk është medalje që i vjen Shqipërisë çdo muaj. Rezultat fantastic si për Islamin që rikthehet, por edhe për vendin tonë. Sigurisht që medalja e artë ishte ajo që ne donim më shumë, por jam i kënaqur me rezultatin,”-u shpreh Sahit Prizreni, president i FSHM.

Për Report Tv Prizreni zbuloi edhe bisedën me kryeministrin Edi Rama, i cili ishte në parkun olimpik për të ndjekur finalen e kategorisë 65 kilogramë stil i lirë.

“Kryeministri tha që qenka shumë i fortë. Realisht prezanca e tij tregon shumë. Tregon që sporti ka një impakt të jashtëzakonshëm,”-tha Sahit Prizreni, president i FSHM.

Ndonëse Dudaev u ndal te medalja e argjendtë shanset e Shqipërisë për të artën janë sërish. Të dielën mundësi tjetër Zelimkhan Abakarov do të diskutojë finalen për kategorinë 61 kilogramë stil i lirë.

“Jemi përballë shkollës më të fortë në botë, shkollës ruse. Finalisti i Islamit ishte rus. Tani kemi kampionin olimpik, kampionin e botës Ugujevin. Janë ndeshur 3 herë me njëri-tjetrin. Në dy të parët ka nga një fitore për secilin, por dua të them se djemtë e kanë kryer misionin duke i sjellë medalje Shqipërisë,”-deklaroi Sahit Prizreni, president i FSHM.

Me miratimin e shpërblimeve të reja të rritura Islam Dudaev përfiton nga medalja e argjendtë 4 milionë lekë të reja.

Ora 19:18
Kryeministri Edi Rama ndjek nga pranë finalet e Evropianit të Mundjes në Tiranë (VIDEO)

Në ambientet e Pallatit të Sportit 'Feti Borova' në Tiranë i pranishëm në finalet e Evropianit të Mundjes ishte edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë është parë pranë pistës, teksa ky event nisi prej të hënës dhe mbyllet të dielën (nesër). Në kohën që Rama ndodhej në sallë, mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev u mposht në finale nga rusi Bashir Magomedov.

Për herë të parë një event i kësaj rëndësie dhe këtyre përmasave po mbahet në vendin tonë.