Fadil Hoxha dhe Veli Deva, Dy liceistët kosovarë
në trazirat e Pavarësisë në Shkodrës

Fadil Hoxha dhe Veli Deva, Dy liceistët kosovarë<br />në trazirat e Pavarësisë në Shkodrës
TIRANE- Fadil Hoxha dhe Veli Deva, dy udhëheqës komunistë të rëndësishëm pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, e kishin nisur aktivitetin e tyre politik që nw organizimet e para të komunistëve në Shkodër, rreth 2 vjet para themelimit të Partisë Komunste shqiptare.

Emrat e tyre i gjejmë në listat e liceistëve të Shkodrës të përjashtuar nga shkolla me urdhër të ministrit Ernest Koliqi pas trazirave në këtë lice gjatë festimeve të Pavarësisë me 28 nëntor 1939 në Shkodër.

Pas revoltave të asaj dite duket se studentët që kishin rënë në sy të organizuar sërish edhe më muajt në vijim, ishin vënë në rreth nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit në Tiranë. Dokumentet e zbuluara në fondin e Ministrisë së Brendshme, viti 1939 që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit rrëfejnë hap pas hapi gjithë masat e marra nga qeveria shqiptare nën pushtimin fashist për t’iu prerë rrugën këtyre djemve problematikë, që kishin krijuar tashmë dy vatra të rrezikshme rezistence në Shkodër dhe në Korçë.

Një pjesë e këtyre të rinjve ishin të ardhur nga Kosova dhe studionin në Shkodër, mes tyre edhe Fadil Hoxha dhe Veli Deva, por pasi i kishin larguar nga liceu djemtë kosovarë nuk lejoheshin të kthedheshin në Jugosllavi(sipas dokumentit).

Kësisoj qeveria shqiptare vendos ti mbajë përkohësisht në burgun e Tiranës. Dokumentet e përzgjedhura nga ne për të zbardhur këtë ngjarje janë telegrame të këmbyera mes prefektit të Shkodrës Lele Koçi, ministrit të Brendshëm Maliq Bushati dhe prefektit të Tiranës Zejnel Prodani.

DOKUMENTI 1
Prefektura e Shkodrës
Nr. 272/19 ex 39 RES.
Shkodër më 9-1-940.
Ora 17.50
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik, Tiranë

Lista e nxënësvet që do të nxiren prej Lyceut i mrriti e aprovuar prej M. Arësimit Lyceut në datë 7-1-1940-XVIII dhe sot u fillue largimi i tyne . Pra na nuk kishin se si veprojmë ma parë pa patur listën në fjalë dhe kështu na duket se nuk kemi treguar as neglizhencë as humbie kohe me korrispondencë po për të mbarrue shpejt kërkuem ndërmjetsim për listën . Studentat që ularguan sot janë këta 17 veta të cilët iu dorëzuen Karabimeris për t’i transportue në banesat e tyne .

Hasan Berisha, Mentor Menxhaxhu, Kapllan Bukaçi, Beqir Laçi, Sulejman Baholli, Vehbi Lama, Mehdi Xhurai, Mazlum Kepuçka, Xhevdet Hamza, Qamil Niça, Liman Azisi, Azis Çami, Ymer Pula, Pashko Papleka, Qemal Hoxha, Beqir Mixhozi, Nikolla Lufi. Të tjerët do  pastrohen pjes pjes simbas përmbajtjes urdhënit asaj Ministrie dhe përfundimi do të ju njoftohet.
Prefekti Lele Koçi

MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
ZYRA SEKRETE
Mbritun më 19-I-40-XVIII
Nr. 724/92 ex 39
 
DOKUMENTI 2
Prefektura e Shkodrës
Nr. 272/21 ex 39 RES.
Shkodër më 11-1-1940.
Ora 18.50
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik

Tiranë
Prej 17 studentave të dbuem nga Lyceu 7 janë nga Jugosllavija . Konsullata Jugosllave e këtushme studentat në fjalë nuk i u pranon mbassi nuk i njef për nënshtetas të vet për se thotë gjatë qëndrimit të gjatë të tyne në tokën t’onë nuk janë paraqitun as nji herë për të u shënue në regjistra që ajo Konsullatë mban për nënshtetasit e vet . mbasi 7 studentat nuk kan ku të shkojnë përveç në Jugosllavi lutemi na njoftoni se si do të veprojmë me ta . Mejtimi i ynë asht me i transferue nga Shkodra . Prefekti Lele Koçi

MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
ZYRA SEKRETE
Mbritun më 12-I-40-XVIII
Nr. 724/94 ex 39
 
DOKUMENTI 3

Prefektura e Shkodrës Nr. 272/24 ex 39 RES.
S h k o d ë r m ë 15-1-1940-XVIII Ora 12
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik
Tiranë

P.T. Nr. 272/94 Res datë 12-1-940-XVIII . 7 studentat Vehbi Lana, Mehdi Xharra, Ymer Pula, Xhevdet Haxhi, Qamil Nixha, Hasam Berisha, Mazlum Kepushka bashkë me stud. Dem Lush Thaçi, Shaban Hasani, Veli Deva, Fadil Hoxha, Osman Arifi, Xhemal Bakiu, Kujtim Rapi edhe këto nga Jugosllavija u nisën sot të shoqnuem për ku bante fjalë urdhri i sipërmë .
Prefekti Lele Koçi
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
ZYRA SEKRETE
Mbritun më 15-I-40-XVIII Nr. 724/95 ex 39
 
DOKUMENTI 4
Prefektura e Shkodrës
Nr. s’ka Res.
Shkodër më 16-1-1940. Ora 10.50
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik Tiranë
 
Vijon shkresa Nr. 272/10 Res datë 16-12-939-XVIII . Studentat e poshtë shënuem sot u dbuen nga Lyceu dhe i u dorëzuan Karabineris për t’i shoqënue në vend banimin e tyne . Kol Ndoja, Cin Jonuzi, Zef Baci, Gjergj Mosi, Frano Sokoli, Aziz Jareci, Shaban Hoxha, Ismail Kadiu, Halit Kola, Sotir Sinoari, Hysen Basha, Androkli Kristo .
Prefekti Lele Koçi
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
ZYRA SEKRETE Mbritun më 17-I- 40-XVIII Nr. 724/96 ex 39
 
DOKUMENTI 5
PREFEKTURA MBRETNORE E TIRANËS
Nr. 184/12 ex 39 Res. Tiranë më 16-I-940-XVIII P. T.
Ministris së P. të Mbrendëshme
(Seksionit Politik)
Tiranë
 
Kemi nderin të Ju njoftojmë se dje mbrëma na u dërguan nga Komanda e KK.MM. të Shkodrës, katërmbëdhetë studenta, në dispozicion të asaj P.T. Ministrije. Të përmendunit për mungesë vendi, i instaluam në lokalin e burgut këtushmë. Emnat e tyne janë:
1. Mehdi Hysenj Xhara,
2. Vehbi Faut Lama,
3. Hasan Deli Berisha,
4. Mazllum Jahi Shpuska,
5. Xhevdet Hamza Haxhiimeri,
6. Imer Ibrahim Pula,
7. Veli Ali Deva,
8. Shaban Selim Hashimi,
9. Fadil Hysen Hoxha,
10. Demlush Hamz Thaçi,
11. Qamil Emin Nixha,
12. Osman Arif Arifi,
13. Xhemal Taip Bakiu,
14. Kujtim Rapi.
PREFEKTI Kl.I. (Zejnel Prodani)
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
ZYRA SEKRETE Mbritun më 17-I-40-XVIII Nr. 724/97 ex 39
 
DOKUMENTI 6
MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
Seksioni Politik
Nr. 724/95 ex 39
Tiranë, më 17-I-940-XVIII P. T.
MINISTRIS S’ARËSIMIT
TIRANË

Me qenë se Konsullata e Jugosllavisë në Shkodër, nuk lejoj që studentat e dëbuar nga Lyceu i Shkodrës, të kthehen në vendet e tyre, në Jugosllavi, për shkak se, të përmendurit, nuk janë paraqitur asnjë herë për t’u shënuar në regjistrat që ajo Konsullatë mban për shtetasit e vet, për të mos mbetur rrugave dhe vuajtur, nga që janë irredenta s h - qiptarë, dhe k ë t u nuk kanë s e k u jetojnë, jemi të mendimit dhe lutemi të pranohen si bursistë internatista në Konviktin e Lyceut të këtushëm ose njet.

Të përmendunit janë këta: Vejbi Lana, Mehdi Xhavra, Ymer Pula, Xhevdet Haxhiimeri, Qamil Nixha, Hasan Berisha, Mazlum Shpushka, Demlush Thaçi, Shaban Hashini, Veli Deva, Fadil Hoxha, Osman Arifi , Xhemal Bakiu, e Kujtim Rapi, të gjithë nga Jugosllavija. Shtojmë se këta studenta, në bazë t’urdhënit t’onë janë përcjellë prej Shkodre për Tiranë ku, janë vendosë në burgun e këtushëm, mbasi s’kanë se ku të qëndrojnë.

M I N I S T R I : M. B.
DOKUMENTI 7
Prefektura e Shkodrës Nr. 27 RES. Shkodër më 30-1-1940. Ora 15.25
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik
Tiranë

Tepër Urgent Për nji ngjarje të vogël që ndodhi sot në lyce ky u mbyll për 3 ditë simbas urdhnit verbal të Ministrit Koliqi . Spiegime do të jepen nga titullari i kësaj Prefekture që sot bashkë me Drejtorin nisen për aty . Prefekti L. Koçi

MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
ZYRA SEKRETE
Mbritun më 30-I-40-XVIII Nr. 724/110 ex 39të


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Legjionarët/ Bitri dhe Shpendi gjejnë golat, Gripshi fiton Kupën! Myrto Uzunin e nderon gjithë stadiumi, një gol larg historisë

Legjionarët/ Bitri dhe Shpendi gjejnë golat, Gripshi fiton Kupën! Myrto Uzunin e nderon gjithë stadiumi, një gol larg historisë