Fadil Kepi: Raportet mjekësore, sa paguhen dhe afatet maksimale

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof.dok. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë fillimisht mbi raportet mjekësore. Profesor Kepi ka sqaruar se sa të rëndësishme janë raportet mjekësore dhe se cili institucion i jep ato, duke nënvizuar edhe procedurat dhe afatet që kanë ato për t’u përdorur. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV.

Sot do të flasim për raportet mjekësore. Sa të rëndësishme janë raportet mjekësore? Cili institucion i jep raportet mjekësore?

Këto që ne do të shpjegojmë sot janë të përcaktuara në legjislacionin e sigurimeve shoqërore. Pra, bazë është ligji i sigurimeve shoqërore dhe një rregullore për lëshimin dhe administrimin e raporteve mjekësore, i firmosur nga dy titullarë: nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes Sociale dhe nga drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Raportet mjekësore nga 1 deri në 14 ditë kalendarike, për sëmundje të përgjithshme, lëshohen vetëm nga mjeku i familjes ku personi ka kartelën shëndetësore. Nga dita e 15-të deri në 6 muaj, raportet mjekësore lëshohen nga komisionet mjeko-ligjore (KML) në qendrat shëndetësore ku personi ka kartelën. 14 ditët e para të raporteve mjekësore paguhen me fondet e qendrës së punës, ndërsa nga dita e 15-të deri në 6 muaj paguhen me fondet e sigurimeve shoqërore. Raportet mjekësore paguhen me 70% të pagës neto mesatare të 6 muajve të fundit kur personi ka deri në 10 vite vjetërsi pune, pra ka nga 1-10 vite vjetërsi pune. Punonjësit, të cilët kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe kanë më shumë se 10 vite punë, për raportet mjekësore do të paguhen me 80% të pagës neto mesatare të 6 muajve të fundit dhe paguhen deri në 6 muaj.

Për sëmundje të përgjithshme, asnjë person në Republikën e Shqipërisë nuk ka të drejtë që të lëshojë qoftë edhe një ditë raport mbi 6 muaj. Si i bëhet? Në qoftë se personi vazhdon të jetë i sëmurë, atëherë ai ka të drejtë që të paraqitet në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, për të marrë pension invaliditeti.

Ka edhe një kategori tjetër: të gjithë personat, të cilët janë të sëmurë nga sëmundje profesionale, jo nga sëmundje të përgjithshme, dhe nga aksidente në punë, në këtë rast raportet mjekësore jepen deri në 12 muaj kalendarikë. Por për sëmundjet profesionale dhe në mënyrë të veçantë për aksidentet në punë, duhet të ketë procesverbal në momentin kur ka ndodhur aksidenti. Për këto raporte mjekësore nuk kërkohet më vjetërsia e punës deri në 10 vite apo më shumë se 10 vite punë. Pavarësisht se sa vite pune ka personi, raportet mjekësore për aksidentet në punë, sipas nenit 11 të ligjit të fundit të sigurimeve shoqërore, paguhen me 100% të pagës mesatare të 6 muajve të fundit.

Atëherë, shtrohet problemi: po pas një viti, çfarë ndodh? Pas një viti, nëse personi është mirë me shëndet dhe mund të paraqitet në punë, vendi i punës i ruhet, ashtu siç i ruhet edhe grave që marrin lejen e lindjes për një vit dhe vendin e punës e kanë të garantuar. Por në qoftë se personi, edhe pas një viti nuk është në gjendje për t’u rikthyer në punë, atëherë ai paraqitet në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, për të marrë pension invaliditeti.

Periudha e trajtimit me raporte mjekësore për personat që kanë deri në 10 vite punë, qoftë për personat që kanë mbi 10 vite punë, qoftë edhe për ata persona që marrin deri në 12 muaj dhe pastaj përfitojnë pension invaliditeti, njihet si vjetërsi pune për pensionin e pleqërisë.

Këtu ka një përjashtim: të gjithë punonjësve, sipas nenit 22 të Ligjit për Sigurimet Shoqërore, të cilët janë larguar nga puna, me dëshirën e tyre, por qoftë edhe për një gabim të tyre, raportet mjekësore u paguhen brenda 30 ditëve kalendarike nëse personi sëmuret dhe është larguar nga puna. Pra një person, i cili p.sh. është larguar nga puna në datën 13 janar me dëshirën e tij ose për shkak të një gabimi të tij, dhe në rast se gjatë kësaj periudhe ai merr raport mjekësor, raporti mjekësor do t’i paguet brenda 30 ditëve, pra përfshirë edhe datën 12 shkurt. Këtu bëjnë përjashtim personat, të cilët gjatë këtyre 30 ditëve kanë marrë raporte mjekësore për shkak të një akti kriminal, i cili vërtetohet vetëm me vendim nga gjykata. Në këtë rast personit nuk i paguhen raportet mjekësore. Ndërsa të tjerëve, të cilët sëmuren nga sëmundje të përgjithshme, u paguhen raportet mjekësore brenda 30 ditëve kalendarike. E theksoj këtë sepse ka edhe mjekë që ende nuk i dinë këto ligje. Ka edhe inspektorë pensionesh që nuk i dinë këto ligje.

Flas nga Tirana. Jam punonjës policie dhe jam aksidentuar, kam këputur femurin. U trajtova një vit me raport mjekësor. Pas një viti fillova sërish punë. Tani kam nevojë për një ndërhyrje tjetër sepse kam përsëri probleme. Meqë do të operohem sërish, a do të më njihet si vjetërsi pune si ushtarak periudha që nuk do të paraqitem në punë?

Zotërisë do t’i quhet vjetërsi pune i ushtarak sepse siç e tha, ai e ka marrë një vit raport mjekësor dhe pas një viti e filloi sërish punën. Tani sëmundja u përsërit dhe duhet që të bëjë një ndërhyrje tjetër. Sigurisht që do të trajtohet me raport mjekësor. Dhe do t’i njihet edhe vjetërsi pune si ushtarak, sepse në këtë profesion ishte kur u sëmur. Edhe kur personi merr lejen e zakonshme vjetore si ushtarak, njihet vjetërsi pune si ushtarak. Edhe një femër që punon si ushtarake dhe merr lejen e lindjes, periudha e trajtimit me raportin e lejes së lindjes i njihet vjetërsi pune si ushtarake. Edhe raportet mjekësore për sëmundje të përgjithshme nga 1 ditë deri në 6 muaj, kur personi punon si ushtarak, njihen vjetërsi pune si ushtarak. Pra, zotërisë do t’i njihen vjetërsi pune si ushtarak.

 

Flas nga Tirana. Jam një pensionist që kam punuar në arsim. Pas vitit 2007 kam filluar të punoj në një punë të veçantë, por nuk kam paguar kontributin e sigurimeve shoqërore. A mund t’i kërkoj këto vite për shtesë pensioni?

Patjetër, Në qoftë se nuk i keni paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, Sigurimet Shoqërore nuk kanë faj. Ju duhet t’ia kërkoni firmës ku keni punuar, e cila mund të jetë këtu në vendin tonë dhe nuk ka falimentuar. E vështirë është kur është firmë e huaj, e cila falimenton dhe largohet ose edhe kur është firmë shqiptare dhe falimenton. Edhe në këtë rast keni të drejtën që ta dërgoni në gjyq dhe gjykata i bllokon llogaritë bankare dhe e detyron që të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore.

 

Unë e marr pensionin. Firma nuk ka falimentuar, por ata nuk na paguanin kontributet e sigurimeve shoqërore sepse ishte e ndaluar që të merrnin në punë persona që kishin dalë në pension. Firma vazhdon të punojë, por unë u largova për arsyet e mia. Nëse i paguaj vetë të gjitha kontributet për këto vite që kam punuar, a do të më njihen si vite shtesë te pensioni?

Nuk është kështu si thotë zotëria, as ashtu si i kanë thënë. Ka një vendim qeverie, me nr. 551, datë 8 nëntor 1993, i firmosur nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, ku thuhet: “Të gjithë pensionistët, të cilët e kanë lënë punën se kanë dalë në pension, kanë të drejtë që të punësohen në sektorin privat, të marrin pensionin dhe pagën në sektorin privat, por do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore”. Zotëria është punësuar në vitin 2007, pra 14 vite pasi ka dalë vendimi i qeverisë. Ky vendim qeverie është në fuqi edhe sot e kësaj dite. Për t’u sqaruar në mënyrë të hollësishme, zotëria duhet të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore.

 

Flas nga Tirana. Në vitin 2011 kam bërë një aksident dhe kam thyer këmbën. Mjekëve iu desh që të ma shkurtonin 5 cm. Jam operuar disa herë, por nuk mund të kem asnjë përmirësim. Kam punuar 18 vite në shtet dhe nga viti 2000 deri në gusht të vitit 2017 kam pasur një biznes dhe kam paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Mirëpo nuk i dorëzova dokumentet për t’u paraqitur në KMCAP, në atë periudhë. I paraqita para një viti. Punonjësit e sigurimeve shoqërore më thonë që duhej t’i kisha dorëzuar dokumentet menjëherë pas aksidentit. Te KMCAP-i i Tiranës vendosën për 6 muaj por me kushtin që të paraqitesha te KMCAP-i Epror. Si duhet të veproj?

Unë i këshilloj zotërisë që përgjigjen zyrtare negative që ka marrë nga KMCAP-i i Tiranës, ta drejtojë te KMCAP-i Epror, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Ky komision përbëhet nga mjekët më të mirë specialistë të vendit tonë, të cilët punojnë në spitalet e ndryshme shtetërore. Mjekë specialistë ka në të gjitha KMCAP-et e drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore. KMCAP-i Epror ka të drejtën që ta gjykojë vendimin e KMCAP-it të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës dhe me argumentet e duhura mund ta anulojë ose jo këtë vendim. Përgjigjen zyrtare do ta marrë me shkrim. I këshilloj gjithashtu që kur ta marrë përgjigjen zyrtare me shkrim nga KMCAP-i Epror, duhet ta lexojë mirë. Në fund krahas firmës së kryetarit të KMCAP-it bëhet edhe shënimi që ky vendim është i formës së prerë. D.m.th. nëse zotëria mer përgjigje negative të formës së prerë nga KMCAP-i Epror, duhet të jetë i qartë që në Republikën e Shqipërisë nuk ekziston asnjë organ tjetër që ta gjykojë këtë vendim.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen