Faik Ballanca “Nomeja e
largët”, një roman ndryshe 

Faik Ballanca “Nomeja e<br />largët”, një roman ndryshe 
Pasi je njohur me tregimet, novelat dhe reportazhet e Faik Ballancës, natyrisht që ke krijuar një opinion të përgjithshëm për këtë shkrimtar dhe një vlerësim të caktuar, si për të, ashtu dhe për krijimtarinë e tij. por a është kjo e mjaftueshme dhe e plotë? Sigurisht që jo kur dihet që Faiku ka shkruar dhe një roman.

Në ç’masë kjo vepër i shton vlerat e krijimtarisë letrare të këtij autori, ç’vend zë ajo në kuadrin e gjithë veprës së Ballancës, cila është e reja që shkrimtari sjell nëpërmjet këtij romani, krahasuar me krijimtarinë e tij por, dhe më gjerë, me krijimtarinë letrare të kohës kur jetoi e krijoi: këto dhe shumë pyetje të tjera prej kohësh kanë ngacmuar e tërhequr vëmendjen tonë, duke na çuar drejt përpjekjeve për t’u dhënë një përgjigje të argumentuar, në kuadër të qasjes dhe vlerësimit tërësor të veprës së këtij shkrimtari.

Ashtu si autori edhe vepra e tij e, në rastin konkret, romani “Nomeja e largët” nuk janë të panjohur për lexuesin tonë, i cili tashmë e njeh dhe Ballancën, peripecitë dhe kuadrin e tij tragjik, por dhe tregimet e novelën që, më pas çoi në daljen në dritë të romanit, me atë mori ngjarjesh e personazhesh, të njohur e anonimë, me realitete historike e bashkëkohore dhe me të “njohurin” e “të panjohurin” Bendo.

Megjithatë është shumë pak për një roman të tillë, të mjaftohesh me përcaktimet e mësipërme. Është shumë pak pasi edhe me një lexim të vetëm, bindesh se ke të bësh me një roman ndryshe. Është i tillë jo në kuadër të krijimtarisë së Ballancës, sepse ai nuk shkroi romane të tjerë me të cilët të krahasohej, por dhe në kuadrin e krijimtarisë në plan më të gjerë. Nuk gabojmë nëse romanin do ta vlerësonim si një risi origjinale në fushën e prozës së gjatë, jo vetëm për periudhën kur u shkrua.

Argumentimi tërësor i këtij përfundimi, sigurisht që nuk është objekt i shkrimit tonë. Megjithatë të qenit risi ose roman ndryshe ne do ta mbështesnim në tri elemente:
1.         Autori në romanin e tij na ofron një material faktik jetësor që, me pak përjashtime, është në funksion të plotë të idesë që ai kërkon t’i transmetojë lexuesit

2.         Nëpërmjet një përzgjedhjeje të përcaktuar saktë e qartë të materialit jetësor, nga dy periudha kohore të ndryshme dhe ndërthurjes së tyre në mënyrë origjinale, ai ia ka arritur të realizojë me sukses një kohezion ideor mes së shkuarës e të tashmes.

3.         Në procesin përzgjedhës autori nuk mund të mos qe i vëmendshëm e i kujdesshëm ndaj personazheve si bartës e shprehës të karaktereve të caktuar, por dhe në funksion të plotë me synimet ideoartistike të romanit.

Në këtë pikë do të mjaftoheshim duke sjellë në vëmendjen e lexuesit personazhin e Bendos, i cili përfaqëson një karakter jo vetëm origjinal, por edhe unik në letrat shqipe.
Mund të vendosim dhe shumë fakte e elemente të tjera, si në planin e përmbajtjes, ashtu dhe atë të formës që na e përforcojmë përherë e më shumë bindjen se kemi të bëjmë me  një roman ndryshe.

E tillë është struktura kompozicionale e tij (me alternim kapitujsh klasikë dhe historish anonime) ndërthurja e të tashmes me të shkuarën (jo përmes digresioneve), mëvetësia, por dhe korrelacioni i ngjarjeve, futja si një element tepër i rëndësishëm kompozicional i një personazhi të vogël në moshë, por “të madh” në detyra e veprime, “çelës” i zbërthimit e kuptimit të veprës. Sigurisht, të gjitha këto, por edhe të tjera të pranishme në vepër janë fakte domethënëse që e mbështesin mendimin tonë.

Por, në këtë kuadër, kurrsesi nuk mund të lemë pa përmendur faktorin kryesor, atë që i dha jetë e vlera të veçanta artistike ngjarjeve që pa, dëgjoi e jetoi mes banorëve e blegtorëve të atij fshati të krahinës së Rrëzës në rrethin e Tepelenës, shkrimtarit Faik Ballanca. Ishte Faiku që me talentin, artin dhe punën e tij nxori në dritë një vepër tejet mbresëlënëse me mesazhe të fuqishme për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen, por dhe me cilësi të spikatura artistike.

Ishte Faik Ballanca që për aq kohë sa shkroi e krijoi (dhe pse jeta e tij u ndërpre shumë shpejt) na dha vetëm art, pa rënë në asnjë rast “viktimë” e izmave e standardeve frenuese e shkatërruese të realizmit socialist. Ishte Faiku, që siç shprehet në një shkrim të tij shkrimtari Nasi Lera, ... “kishte thënë që në tregimin e tij të parë diçka që nuk ishte thënë, diçka që përmbyste, trondiste dhe shkundte nga qelizat e trurit trajtën e pluhurosur të trajtimit uniform të një teme apo personazhi”.
 
 
FAIK BALLANCA
KЁNGA E FUNDIT E MARKO BOÇARIT

 
Fragment novele
 
 “Armët i kam pranë, po s’luftoj dot. Kitarën e kam pranë, po s’këndoj dot. Po vdes... Këmba ime nuk do të shkelë më kurrë mbi shkrepat e Sulit. Meteorët e përgjakur s’patën  vend për këtë lëng të sertë që më rrjedh nga plagët dhe që është jeta ime. Se gjaku i kombit tim është shprishur e rrjedh nëpër Europë, kudo që ngre krye liria. Ne jemi gladiatorë që e shpërthyem arenën.
Karpenisi! Mbi kokën time djeg dielli i huaj i Eladës. I verdhë si limon ky qiell. 

Mbi buzën time po rreshken kripërat e fundit. S’kam një bulë ujë dhe zemra po më çahet nga malli. Nuk mundem të këndoj. Fytyra e Krizesë dhe e tim biri buzëqeshin përtej pyllit të gjelbër me ullinj. Ku jeni? Era gënjeshtare lot me mua dhe shpërndan mall e këngë të vjetra lufte, si atëherë kur ndodheshim tek Pesë Puset, në Qafë, apo në kështjellën e shën Venerandës.

Ku vemi? Ky vig që lëkundet më kujton djepin e nënës që më merrte gjithmonë në shpinë. Me djepin tim e të Kostandinit ime më u çonte barut luftëtarëve. Nga gjumi më zgjoi një krismë dhe një krismë po më vë në gjumë.  Më ngadalë, ju shokë që më mbartni! S’më shpini dot në Seleidë. Eshtrat e mia do t’í presë një tokë tjetër. Po vij, Mesolongj. Është mesditë. Stërkat e dallgëve vrapojnë mbi krahët e baticës dhe rrethojnë tërë brigjet e tua me shkumë të bardhë, që mërmërit se unë po vdes.

Vërtet po vdes, po mos mbani zi. Se unë nuk jam më trimi i kombit tim. Në atë arenë të vogël të huajt kanë ngjallur përçarjen e llahtarshme: vëllavrasjen. Vetëm kjo na ka prishur. Unë jam një gladiator që e gjeta rastësisht derën hapur. Dhe u përpoqa që të mbroj këtu lirinë që gëzoja në malet e mia, në sajë të armëve që kam në trup. Gjaku im vritet akoma. Kush e di për sa kohë? Kush e di se kur liria do të trokasë mbi atë dhe të zhuritur pëllëmbë e gjak, siç po troket tani në Eladë. Shpejt. Shumë shpejt.

... Më dhemb diçka. Diçka s’e kreva..Po mbërrijmë. Hapuni porta, paçka se qepallat e mia po mbyllen dhe shokët nuk i shquaj dot! Më varrosni pranë fortifikatës “Gjergj Kastrioti”, që hija e tij të më qetësojë...
 
 
NJË TAKIM PËRKUJTIMOR NË DIBËR TË MADHE
 
-Në 70-vjetorin e lindjes së shkrimtarit FAIK BALLANCA – Nuk kam shkelur kurrënjëherë në Dibër, por e shoh përherë me sytë e zemrës. (Faik Ballanca)
 
Me nismën e Komunës së Dibrës së Madhe dhe “Miqve të Faikut” këto ditë u organizua  në qytetin e Dibrës një takim përkujtimor me rastin e 70-vjetorin e shkrimtatit me origjinë nga Dibra, Faik Ballanca, i cili ndërroi jetë 38 vjet më parë.

   Veprimtaria u zhvillua në sallën e Komunës. Në të morrën pjesë kryetari i Komunës, Ruzhdi Lata, shkrimtarë  e studiues vendas dhe të ardhur nga Tirana, Peshkopia e Burreli, familjarë e të afërm të Faik Ballancës, mësues e nxënës të shkollës së mesme të qytetit. Zoti Ruzhdi Lata vuri në dukje traditat atdhetare e kulturore të krahinës së Dibrës dhe uroi që në të ardhmen të thellohet bashkëpunimi mbarëshqiptar për të forcuar lidhjet e gjakut, për të qenë të denjë për emrin që kemi.

Dibra do t’i mbajë përherë në kujtesë bijtë e saj të nderuar kudo që jetojnë e punojnë, -theksoi ai. Në fjalën e saj studiuesja dibrane Bleta Qormemeti paraqiti  vlerat e krijimtarisë së Faik Ballancës dhe vendin e saj në prozën shqipe. Studiuesi  Mexhid Prençi parashtroi  tiparet individuale të artit të Ballancës dhe theksoi jetëgjatësinë  e vlerave artistike e humane të këtij prozatori, që vdekja nuk e la ta çonte deri në fund veprën e tij. Poeti e kritiku letrar dibran Nebi Samarxhiu analizoi tiparet e stilit të prozës së Ballancës si lakonizmin e thjeshtësinë sugjestive, si dhe aftësinë në gdhendjen e personazheve.

Shkrimtari e studiuesi Vasil Premçi hodhi një vështrim mbi veçoritë e lirizmit, si tipar i qensishëm në prozën e ballancës. Studiuesi Hysen Uka vlerësoi lart romanin “Nomeja e largët”, i cili e pa dritën e botimit vetëm pas vdekjes së shkrimtarit.

Poeti Basir Bushkashi e pa krijimtarinë e Ballancës nga këndvështrimi i poetit dhe e mësuesit, se si ky shkrimtar, edhe pas kaq vjetësh, komentohet me dashuri nga nxënësit. Shkrimtari dhe kritiku letrar Pandeli Koçi foli për interesimin e vazhdueshëmtë studiuesve dhe të kritikës letrare nëpërmjet shkrimeve kritike e monografive shkencore që janë shkruar për këtë shkrimtar.
Nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori” recituan fragmente nga Krijimtaria e Faik Ballancës.

 
Faik Ballanca (1945-1977)
 
Lindi dhe vdiq në Tiranë në një familje intelektuale të ardhur nga Dibra e Madhe. Pasi kreu gjimnazin dhe mbaroi Fakultetin Histori-Filologji (dega e gazetarisë), punoi gazetar e redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”dhe në revistën letrare “Nëntori” të LSHASH-së. Që nga viti 1962 nisi të botonte tregimet e para dhe të përkthente e të botonte prozë nga gjermanishtja, italishtja e frëngjishtja. Edhe pse e ndërpreu krijimtarinë letrare në moshë të re, F. Ballanca arriti të krijonte individualitetin e veçantë si shkrimtar i vërtetë i mirënjohur, në sajë të kulturës së gjerë, intuitës së hollë artistike dhe skrupulozitetit krijues.
 
 
Vepra të botuara të Faik Ballancës:
• Rrëmbimi - tregime (1970)
• Mbasdite të lagura - tregime (1971)
• Katër orë larg shtëpisë - novelë (1972)
• Shtigje me helm – novelë (1972)
• I fundit – novelë (1972)
• Letra anonime - tregime e novelë (1973)
• Pritësit e rrufeve – tregime e novelë (1975)
• Tregime të zgjedhura (1976)
• Perëndia e shtëpisë - tregime e novelë (1985)
• Nomeja e largët - roman (1989, 2015)
• Kënga e fundit e Marko Boçarit – novelë (2002)
• Mbama pak pallton çun – tregime të zgjedhura (2003)
• Kënga e fundit e Marko Boçarit dhe tregime të tjera (2008)
faik ballanca

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Gazetarët e larguar nga RTSH takojnë deputeten Zhupa: Alfred Peza na shkarkoi se s’iu nënshtruam

Gazetarët e larguar nga RTSH takojnë deputeten Zhupa: Alfred Peza na shkarkoi se s’iu nënshtruam