Me këtë formim, pas studimeve intensive , ai vendoset në Paris, ku i kushtohet gjuhëve dhe fillon nga veprimtaria publicistike, duke botuar në gazetën “La libre parole” artikullin e parë “Shqipëria dhe Turqia”. Po në këtë kohë, patrioti i ri merr kontakt me lëvizjen kombëtare shqiptare, duke u lidhur me shoqërinë “Drita” të Nikolla Naços dhe vihet në dijeni për herë të parë, siç pohon vetë, për ekzistencën e librave shqipe botuar në Bukuresht.
Nuk dihet se si u krijuan këto lidhje, por nga korrespondenca kuptohet se do të ishte N. Naço ai që i shkruan i pari në dhjetor 1895 dhe që Konica do t’i përgjigjet menjëherë me letër më 24 janar 1896, ku i prezantohet se kush është, çfarë bën, bile e vë në dijeni se po shkruan në frëngjisht librin “Ç’ka qenë Shqipëria, ç’është e ç’do të bëhet”.
Ndërkaq korrespondenca do të vazhdojë dhe kjo dëshmohet nga letra e dytë e 20 marsit 1896 që Konica i çon nga Parisi. Në radhë të parë e falënderon për librat shqipe që i ka dërguar sivëllai nga Bukureshti, por me këtë rast shpreh keqardhjen se “kur jemi larg, s’kuptohemi dhe bëhen të lajthitura se karta është kartë.” Nga ana tjetër e njofton se nga libri që po shkruan, ka kryer 48 kaptina, prej 60 kaptinash që ai do të ketë.
Pas këtyre hollësive, Konica përqendrohet në çështjen jetike të lëvizjes kombëtare që ka të bëjë kryesisht me programin e saj. Ai bashkohet me mendimin e Naços se “grekërit dhe sllavët janë të pabesë”, kurse për sa i përket turqve mendon të ndiqet tani për tani taktika e heshtjes, sepse po t’i themi Europës se kombi i turqve është armiku ynë, kur të ndahet Turqia do të na ndajnë edhe neve. “Europa, sipas tij, s’na ka pasur për komb.
Ajo do të thotë se që të jeni komb, duhet të plotësoni tre gjëra, dhe janë këto që e bëjnë kombin.” Konica, në letrën e tij, i frymëzuar nga modeli evropian, i parashtron këto kushte: Së pari, duhet të kemi leteraturë, së dyti, të kemi një program dhe së treti, të zgjedhim një udhë për t’ia arritur qëllimet tona kombëtare. Por sipas mendimit të Konicës, për sa është në dijeni ai, shqiptarët nuk kanë asnjë prej tyre. Dhe nis e i analizon dhe shpjegon me radhë këto tre komponentë që i lipsen lëvizjes kombëtare shqiptare:
1)“Vërtetë nuk kemi leteraturë, kemi ca vivlla (libra) për djemtë. Po ku është leteratura? Ajo që e bën leteraturën është vjersha, romani, historia dhe të tjera. A kemi një vjershë të madhe (a të vogël) për Burrin (Piron), për Skënderbejnë dhe për Kara-Mahmud Shkodrën që i shtrydhi malazezët?”
Konica mendon se “që të dalë një leteraturë në dritë lipset të bëjmë çdo mot të mundur (concours); membret (anëtarët) e komiteteve , do të japin çdo mot një a dy faqe të shkruara në të cilat do të tregojnë ...kokën (subjektin) e një vjershe dhe pas një moti ato vjersha që duken më të mira do të mblidhen në një vivllë dhe autorët do të kenë një të darovitur. Kështu ... (do të ngjallet dashuria për leteraturën) dhe (njerëzit ) do të mësojnë, do shkruajnë dhe do blejnë vivlla.”
Nga sa parashtron Konica, kuptohet që duke qenë në moshë të re (sapo i ka kaluar të njëzetat), i shkëputur nga vatrat e lëvizjes kombëtare, kur sapo ka marrë në dorë librat e parë shqip, nuk ka sa duhet njohje për gjendjen e vërtetë të letërsisë kombëtare, ose për shkak të natyrës së tij skeptike, edhe në qoftë se është në dijeni, nuk i vlerëson. Formimi i tij serioz intelektual dhe përvoja e përparuar e mjediseve ku jeton e bën të ketë kërkesa dhe të jetë kritik ndaj stadit të vonuar të letërsisë amtare.
2)Programi apo ideja, mendimi, siç e quan ai, shtjellohet më gjerë e më realisht duke vështruar me optimizëm nga e ardhmja, kur pohon që në krye se “Ballkani s’do të mbetet sikundër është”, do të ndryshojë brenda disa viteve. “Neve shqiptarët kemi vendin më të mirë ... (jemi) mesi i Evropës. Andaj lipset që të hedhim larg sytë dhe mund të jemi në gjysëm njëqind vjet të parët në Ballkan. Menti (idea) për mua, - vazhdon ai, - është ky: të nxjerrim nga varri jo vetëm Shqipërinë e Mes-Kohës (Mesjetës) e Skënderbeut, po dhe Pellazgjike.”
Nga ana tjetër, ai shkon dhe më tej kur shkruan se “në Greqi ka më shumë shqiptarë se grekë dhe munt të pyesim vet-veten: pse të mos vijë një ditë, që Grekuria-Shqipëria të bashkohen, duke i shtuar Epiro-Illiriken dhe veç këtyre edhe Kalabro-Sikilia se qenë Pellazgjike (Straboni nga grekët dhe Plini nga llatinët e shkruajnë këtë) ku sot ka njëqind e pesëqind mijë shqiptare.” Konica pas këtyre fjalëve, vizaton dhe një skicë-hartë të shtetit që ai e imagjinon.
Më tej, Konica vijon me pjesën e dytë të programit që ka të bëjë me formën e qeverisë që do të krijohet. Dhe për këtë, sipas tij, duhet të shikojmë historinë. “Historia na thotë, - shkruan ai, - se Shqipëria kurrë s’ka qenë mbretëri. Kur të tjerët s’dijen se ç’qe Republika, neve e kishim.” Por ndërkaq Konica mendon se “shqiptarët s’janë të mësuar dhe janë demokratë; po në u bëfshin të mësuar akoma më shumë demokratë do të jenë. Në është demokrati, Shqipëria do të hedhë dritë në të tërë Orientin; në është mbretëri do të jetë si Serbia.”
Modeli i demokracisë për të nuk duhet të jetë si e Francës, të cilën çuditërisht e cilëson Comedia, por si e Elvetisë (Zvicrës) “e cila ron e dlirë (e lirë) dhe e pasur.” Ndaj “lipset të kemi këtë mendje që t’u rynjë (hyjë-N.J.) në kokë tërë shqiptarëve dhe kur të vijë dita e mirë të mos vritemi më njëri tjetrin që të parën ditë. Kështu mund të tërë shqiptarët të mblidhen rreth e rrotull bajrakut (flamurit-N.J.) të mëmëdhesë se s’do të kenë tyranë (tiran-N.J.) as katolikët, as bektashitë, as ortodoksët, se do të zgjedhin presidan (president-N.J.) vetëm ata dhe do të ndrohet çdo tri vjet.”
Por në mbyllje të programit Konica shprehet pesimist, ku arsyeton: “Pyet sot për sot njëmijë shqiptarë: A doni ta nxjerrim kombin në dritë? Do të përgjigjen 99 për qind: S’duam të humbasim gjak në erë. Mirë jemi kështu. Ç’do të fitojmë në u bëfshim shqiptarë me Shqipëri?”
Siç shihet mendimet e Konicës, sado i ditur që shfaqet, paraqiten kontradiktore: nga një anë vizioni dhe projektet e tij për të ardhmen e Shqipërisë paraqiten optimiste, kurse kur i krahason ato me realitetin e kohës dhe mentalitetin e bashkatdhetarëve tregohet nihilist. Në vështrim të parë duket sikur këto mendime vijnë nga mosha e re dhe mosnjohja si duhet e realitetit shqiptar të kohës. Por në fakt këto nuk janë të rastit dhe kalimtare, por përbëjnë fillimin e një qëndrimi ngaherë skeptik e mohues jo vetëm ndaj individëve, por ç’është më e keqja dhe ndaj problemeve themelore të lëvizjes kombëtare që do ta shoqërojnë tërë jetën.
3)Udha, pra, rruga që duhet ndjekur për të arritur këtë program, që autori e quan më të rëndën. Ndaj dhe mendimet që shfaq qysh në fillim janë tepër subjektive, mosbesuese dhe mohuese. Pasi thotë se në çdo vend të Shqipërisë ka shoqërira, por ai ka frikë se ato mos janë më shumë tradhëtorë. Me këtë rast sjell si shembull shoqërinë e Stambollit e cila është plot me kalkazore (spiunë-N.J.) dhe shton se “si shqiptari i Stambollit s’ka më të lig.
Mua më vjen për të vjellur nga tërë hipokritët, po më shumë kur kjo hipokrizia kthehet kundrejt mëmëdheut.” Mllefi i tij i papërmbajtur arrin deri atje sa të thotë se “shqiptari i Stambollit është më i lig se gjarpri dhe miu.” Nuk i dimë arsyet konkrete të kësaj sjelljeje kaq poshtëruese dhe zhvleftësuese kur akoma Konica nuk është përfshirë aktivisht në lëvizjen kombëtare.
Përsëri mendoj se është çështje karakteri, natyra e tij çapraze, që më vonë krahas vlerave dhe meritave të pamohueshme, do të vijë duke u zgjeruar, thelluar e duke u bërë më agresive. Por kjo nuk pengon Konicën e ri, i cili i takon një brezi të ardhur nga fundi i Rilindjes në Lëvizjen Kombëtare, të kalojë nga qëndrimet romantike të paraardhësve në qëndrime realiste dhe tepër kritike.
Kështu, pas pakënaqësive dhe kritikave të rrepta të intelektuali të ri ndaj problemeve të Shqipërisë së robëruar, qëndrojnë padyshim dhe mendime racionale dhe objektive.
Kryefjala e udhës së shqiptarëve për Konicën është lufta e armatosur kundër pushtuesve. Për këtë “lipset të kemi një komitet të fshehur si Karbonarismi kur qe rob (e robëruar) Italia. Karbonarismi e bëri Italinë. Po të mos qasim njeri pa dhënë prova që është flag e prush për mëmëdhenë. Le të ketë pesë a gjashtë shkolla dhe çdo shkollë të ketë një emër të bukur.”
Ai s’është dakord që të ndiqet shembulli i lozhave të Fran-Massonias ku ata që hyjnë në to s’dijnë pse hyjnë. Kurse për një vend që është nën robëri, çdo shqiptar që do të hyjë në shoqërinë e fshehtë duhet të japë fjalën që të bëhet apostull. Sipas tij, ajo do të ketë dhe “një hierarki që kështu kur të bëhet një punë, të dimë të tërë ç’lipset.”
Konica i ri e njofton Naçon se këto mendime me pak fjalë ia dhashë dhe ditorisë (të përditshmes) “La libre parole”. Në këtë mënyrë Evropa do të marrë vesh dhe do të thotë: “Duan shqiptarët të ngrihen, provë që janë një komb i gjallë” le të bëjnë një “mbledhuri (congres) të qeverivet.” Kjo gazetë ka 600.000 këndonjës dhe është e para në Francë. Artikoli tim, bëri më thanë pak trubulli në ambasada të Avstrisë (Austrisë) se Nemsa (gjermani_ i ka sytë në Shqipëri më shumë se një tjatër.”
Në fund, Konica i propozon Naços që “Kjo shoqëri e fshehtë, në u bëftë, do të përpiqet që të mblidh në Bukuresht a në tjatër vend, një Kongres të shqiptarëve të Katër-Shqipërive (të katër vilajeteve-N.J.) Ajo do të shikojë punërat e mëmëdheut dhe të zgjedhë katër a pesë memlek (nëpunës?-N.J.) që t’i shpien Sulltanit të kërkuarat e shqiptarëve dhe Evropës një protestë në mos (bëftë) gjë Hamidi.” Por gjithsesi Evropa dhe Turqia duan prova “që zëri juaj është zëri i Shqipërisë. Dhe për këtë, duhet një Kongres e përgjithshme shqiptare që Sulltani dhe Evropa të na dëgjojnë.”
Për fat të keq faqja e fundit e kësaj letre na mungon, por projekti dhe mendimet e tij për një program politik të lëvizjes kombëtare shqiptare janë të qarta dhe konkrete. Ai të ardhmen e Shqipërisë e sheh në Europë dhe ndryshe nga paraardhësit mendon se këtu duhet të zhvendoset qendra e veprimtarisë politike. Këtë prirje historike ia dikton sigurisht kultura dhe edukata evropiane që ka marrë, kontaktet me mjediset e metropolit francez dhe bindja e ndërgjegjësimi për rrugën e drejtë që ka zgjedhur.
Ndaj, pa humbur kohë, disa muaj pas kësaj letre, Konica shpall zyrtarisht programin e vet (tetor 1896), të cilin e shpërndan si fletë-volante, ku njofton bashkatdhetarët, në mes të tjerash, se së shpejti do të fillojë të botojë një të përkohshme në gjuhën shqipe. Është fjala për revistën “Albania” që doli në dritë në Bruksel më 25 mars 1897, duke u bërë kështu për vite me radhë tribuna kryesore e mendimit politik dhe e kulturës shqiptare në Europë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Mars 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)