Të dhënat e fundit të prezantuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) rreth fitimeve të bankave komerciale në vend gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, kanë regjistruar një rekord të përfitimeve thuajse që nga konsolidimi i sektorit bankar e deri më tash.

E në anën tjetër, ekonomia, edhe ashtu e brishtë e shtetit tonë, është duke shkuar drejt kolapsit. Bankat, pronësia e të cilave është kryesisht me kapital të huaj, po forcohen e po e rrisnin fitimin dita-ditës. E në anën tjetër, kompani të fuqishme me nam e traditë, po shkojnë drejt falimentimit. Pak paradoksale kjo për shtete normale, por te ne megjithatë vazhdon të ndodhë një gjë e tillë.

Mbajtja në fuqi e kamatave të larta, bankave në Kosovë iu ka krijuar hapësirë të madhe për përfitime marramendëse, derisa në anën tjetër bizneset që kanë marrë kredi në to për t’u forcuar, janë në gjendje të rëndë ekonomike. Shumë biznese deri më tash kanë falimentuar, por edhe shumë të tjerë janë duke shkuar drejt asaj rruge. Bazuar në të dhëna zyrtare shihet qartë se të hyrat bruto të bankave, pa i llogaritur këtu shpenzimet, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 kanë arritur shifrën rekorde prej 121.6 milionë eurosh, prej të cilave 97.1 milionë euro është përfitim direkt prej kamatave në kredi.

Duke i zbritur të gjitha shpenzimet e tyre operative në gjysmën e parë të këtij viti, fitimi i pastër i bankave ka arritur në 26.9 milionë euro, shumë më shumë se në vitet paraprake. Krahasuar me vitin e kaluar shihet se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, bankat komerciale në Kosovë kanë fituar më shumë se gjatë gjithë vitit të kaluar, ndërsa fitimet në pesëmujorin e parë të këtij viti janë më të larta sesa fitimet vjetore në 2012.

Bazuar në raportin vjetor të BQK-së shihet se profiti neto i sistemit bankar në vitin 2013 arriti në 26 milionë euro, nga 18.5 milionë euro sa ishte në vitin 2012. Normat e larta të interesit po vazhdojnë të aplikohen edhe më tutje në vendin tonë edhe përkundër futjes së konkurrencës së vazhdueshme, por edhe të lehtësirave fiskale ku këtyre iu është zvogëluar tatimi në korporata nga 20 në 10 për qind.

Në kushte dhe rrethana normale në vendin tonë do të duhej të kishim kompani të mëdha, por edhe banka të fuqishme. Mirëpo, fatkeqësisht të parët janë “mbytur” nga të dytët.

Biznesmenët kanë marrë kredi me norma të larta të interesit për ta zhvilluar bizneset e tyre. Me këtë veprim ata kanë pasuruar bankën nga interesi që i kanë paguar, e që në disa raste ka shkuar edhe më shumë se 20 %. Mirëpo, në anën tjetër kanë shkatërruar veten. Në mungesë të aftësisë paguese, asetet, por edhe pronat e tyre, kanë dalë nëpër ankande të ndryshme në shitje, ku banka e sheh si rrugë të fundit për të kthyer mjetet e asaj.

E derisa të vazhdojë ky trend i keq, pa dyshim se do të kemi edhe rezultate edhe më të këqija. Zyrtarisht kemi një normë mesatare prej 10,6 % të interesit për kredi, e derisa anën tjetër kemi një normë mesatare prej 0,6 % të interesit në depozita. E pa dyshim se një dallim të madh nuk mund ta hasësh në asnjë vend të botës.

Kamatat e larta për kredi shpeshherë është thënë se vazhdojnë të jenë produkt i një marrëveshje interne mes bankave që operojnë në vendin tonë, por deri më tash nuk është konfirmuar një gjë e tillë, sado që edhe më tutje vazhdon të flitet në atë mënyrë.