Fakte/Abuzime,skandale e korrupsion
“ana e errët” e ministrave të rinj

Fakte/Abuzime,skandale e korrupsion<br />“ana e errët” e ministrave të rinj
Ndonëse të reklamuar si teknicienë, të gjithë ministrat e emëruar në detyrë ditën e hënë kanë lidhje të hershme me Partinë Demokratike. Për më tepër, secili prej tyre është i përfshirë në një numër skandalesh, që tregojnë se cila është oferta e vërtetë e PD-së për Shqipërinë.

Nga tjetërsim të pronave, tek akuzat për spiunazh dhe përfshirja në aferën e CEZ-it apo masakrën e Gërdecit. Ky investigim tregon se cilët janë fytyrat e reja të kabinetit Rama.

Financat – Në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit dhe ligjin për noterët, Ministrja e re e Financave, Helga Vukaj ka mbajtur aktive licensën e saj të noterisë, edhe duke ushtruar detyrën e zv/drejtores së përgjithshme në Agjensinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe drejtores së përgjithshme në KLSH.

Pasja e një license noteri, potencialisht i lejonte Vukajt, mikeshë e afërt me Argita Berishën që të tjetërsonte sipas dëshirës çdo pronë që i binte në dorë, kur ushtronte detyrën delikate të zv/drejtorit në AKKP.

Kjo e bën edhe më të dyshimtë një histori, ku së bashku me Tunxh Vatnikajn, ish-kreun e AKKP-së, Vukaj është akuzuar për përvetësimin e një prone në Spille, çështje që ka shkuar disa vite më pare në gjykatë.

Investigimi zbulon edhe një tjetër “hobby” të çuditshëm të Vukajt, atë të hedhjes në gjyq të punëdhënësve të saj, ka vepruar kështu si me Fakultetin e Drejtësisë edhe me KLSH-në, çështje që janë aktualisht në gjykim.

Punët e Brendshme – Dritan Demiraj, një kolonel i dekoruar nga Presidenti Nishani ka drejtuar batalionin special në Afganistan, por dyshohet se mund të ketë shitur sekrete të shtetit shqiptar në palë të treta.

Demiraj u shkarkua nga ministrja Kodheli në dhjetor 2014, pasi nuk mundi të justifikonte katër udhëtime pa leje të realizuara brenda vitit, në Turqi, Itali dhe në dy destinacione të tjera të fshehta.

Nën komandën e tij, disa vartës kanë bërë thyrje të rënda të disiplinës. Më flagrant është rasti i Aldo Morinës, ushtarit të thjeshtë të batalionit të Demirajt, që me pistoletën e shërbimit vrau me katër plumba një taksist 54-vjeçar.

Mirëqënia Sociale – Xhulieta Kërtusha, ministrja e re e Punëve Sociale është dalluar vetëm për një gjë, për çuarjen gropë të financave të shtetit shqiptar, në kohën kur ajo kishte detyrën e administrimit dhe blerjes së energjisë në OSSHE. Nën drejtimin e saj, humbjet në rrjet u dyfishuan, ndërsa administrimi i dobët çoi gjithë rrjetin në prag të falimentit.

Emërimi i saj në detyrën e administratores përkoi me privatizimin famëkeq të CEZ. Ish-anëtarja e forumit rinor të PD-së mburret në CV-në e saj se ka “konsoliduar aftësitë drejtuese duke administruar rrjetin energjitik”, konsolidim që sipas hetimit të Komisionit Parlamentar, i ka kushtuar shtetit shqiptar një dëm prej të paktën 414 milionë eurosh.

Ndryshimi i qeverisë në 2013-n solli për fat të mirë largimin e administratës së vjetër nga OSSHE dhe KESH, duke bërë të mundur brendra tre vitesh përgjysmimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve deri në atë pikë sa sot OSSHE është kontributor në buxhetin e shtetit dhe rikthimin e Shqipërisë, nga një vend importues, në një eksportues neto të energjisë. Megjithatë, disa tentativa të Prokurorisë për të çuar përpara drejtësisë personat që për pak shkaktuan falimentin e plotë të sektorit energjitik janë bllokuar vazhdimisht nga gjykatat.

Arsimi – Mediat opozitare mbrojnë Mirela Karabinën, ministren e re të Arsimit si një arsimtare me një karrierë të dalluar (ndonëse edhe ajo aspak e pavarur, duke gjykuar nga disa fjalime të mbajtura në çadër gjatë protestave). Emërimi i saj nuk do të ishte kaq i çuditshëm nëse bashkëshorti i saj, Petrit Karabina, nuk do të kishte qenë zv/ministër i Mbrojtjes në kohën e shpërthimit të Gërdecit.

Ish-Presidenti, Alfred Moisiu ka thënë për mediat se ndonëse e thirri disa herë në zyrë Karabinën për të kërkuar qartësime për Gërdecin, ai kurrë nuk denjoi që ta takonte.

Shëndetësia – Arben Beqiri, një profesionist i zoti është emëruar ministër Shëndetësie, në aparencë një emërim teknik. Megjithatë, Beqiri është i njohur për lidhjet e afërta që ka me PD-në, parti që e emëroi zv/rektor të Universitetit të Mjekësisë, në momentin e krijimit të këtij universiteti në vitin 2012. Përveç lidhjeve me PD-në, Beqirit i mbetet për të shpjeguar edhe burimi i pasurisë së tij që e ka bërë të njohur për jetën e tij luksoze.

Të tjerët – Do të jetë mirë që Ledina Mandias, zv/kryeministres teknike të mos i lihen dokumenta në dorë. Për herë të fundit, kur ajo shërbente në Avokaturën e Shtetit i humbi procesverbali i marrëveshjes me CEZ. Në 2014-n, ajo u përfshi aktivisht në një betejë ligjore për të penguar reformën në drejtësi, duke tentuar të ruante të pandryshuar formatin e KLD-së.

Erinda Ballanca, Avokatja e re e Popullit është emri i ri që marrëveshja politike e 18 majit ka prodhuar. Ballanca në të shkuarën kundërshtoi vendimin e INUK për prishjen e pallatit të vjehrrit të Bashës në Vlorë, ndërsa një vit më pas, ajo doli në mbrojtje të ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullanit.

Pasi ndër vite, Ballanca ka kultivuar profilin e një “militante” besnike dhe jo të një avokate të pavarur, shtrohen pikëpyetje të mëdha mbi aftësitë e saj për të shërbyer si një mbrojtëse e interesit të të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre.

Ndërkohë, me emërimin e drejtëpërdrejtë të saj si Avokate e Popullit, Partia Demokratike zhbëhu me një të rënë të lapsit një praktikë të suksesshme të iniciuar nga Partia Socialiste në vitin 2012, kur ajo në opozitë hapi një konkurs mbarëkombëtar, nga i cili mes shumë emrave u përzgjodh kandidati fitues./Lexo.al

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Express': Shqipëria, destinacioni i ri mesdhetar që turistët nuk duhet të humbasin në 2025

'Express': Shqipëria, destinacioni i ri mesdhetar që turistët nuk duhet të humbasin në 2025