“E humbëm djalin. Na e morën ndër duar. Si tinëzisht. Edhe më herët, nganjëherë shkonte nga dy-tri ditë, por kthehej. E tash po bëhen dy javë dhe e nuk kam asnjë lajm. U çmendëm. Po e mendojmë më të keqen”, më thotë gati i tmerruar, Samiu, një nga ata shokët me të cilët biseda nuk përfundon me të zbrazur të filxhanit të kafesë.

“Çka po ndodh kështu me ne...”, thotë ai, tek vazhdon monologun, më shumë nga nevoja që të zbrazë mllefin, që me dikë të qajë hallet.

“Po më dhimbset. S’ka pas fëmijë më të mirë. I urtë, i edukuar, i mençur, inteligjent...”, thotë ai, tek flet për Dritanin, djalin e vetëm të vëllait të tij, biznesmen i njohur prishtinas, dhe nënës, gjithashtu avokate e suksesshme, të cilët, ai jo vetëm që i fajëson, por duket se i urren për atë se aq shumë ishin dhënë pas pasurisë sa djalin e kishin harruar.

Ai fajëson edhe veten që nuk kishte qenë mjaft i kujdesshëm kur, siç thotë, kishte parë ndryshimet e para në sjelljet e djalit. Do sjellje të çuditshme, kur mentaliteti i tij ndryshoi. U mbyll në vete, u bë i huaj për familjen, librat që vendin ua lanë ligjëratave radikale, në Kosovë e jashtë saj.

Ai tashmë kishte harruar muzikën e preferuar. Ishte tërhequr nga shoqëria e mëhershme dhe çuditërisht kishte zënë një shoqëri tjetër, disa të panjohur, por me të cilët Dritani u lidh aq sa u bënë të pandashëm.

Ai tash kujton dhe fajëson një fqinj, aty përballë në lagje, shtëpia e të cilit ishte bërë si një lloj xhamie, e frekuentohej nga shumë të panjohur dhe ka bindjen se e keqja u kishte ardhur mu nga ajo shtëpi, që muaj më parë ishte bastisur.
“Ishte studenti më i mirë i gjeneratës. Kapacitet...”, thotë Samiu, në të shkuarën, sikur Dritani të mos ishte më në mesin e të gjallëve.

Ai i frikësohet më të keqes. Se djalin mund ta kenë marrë në qafë dhe mund të ketë shkuar rrugës së dhjetëra apo qindra shqiptarëve që po bëhen pjesë e një lufte të pakuptimtë në Siri prej nga, lajmi i fundit për vdekjen e një shqiptari, erdhi dje.
Valon Musliu nga Tushilla e Skenderajt, të dielën u vra në Falluxha të Irakut, ku ishte dislokuar ”përkohësisht” nga Siria, së bashku me vëllain Musliun që ka mbetur atje për të vazhduar luftën që, vetëm ata mund ta dinë çka ka të përbashkët me Kosovën dhe shqiptarët që edhe në këtë aspekt u gjendëm të përçarë. Madje skajshmërisht.

Jo pak shqiptarë janë bërë e po bëhen pjesë e lëvizjeve fundamentaliste, vehabiste e selafiste që gjithnjë e më haptas demonstrojnë forcën dhe po pushtojnë hapësirë.

Sado të thonë se në Siri po luftojnë diktaturën e Assadit, në të vërtetë atje janë për të ndërtuar një diktaturë tjetër fetare. Shtetin Islamik të Shamit në hapësirat mes Sirisë e Irakut, ku tashmë kanë vendosur ligjin e Sheriatit, modelin që padyshim Valoni nga Tushilla do të dëshironte ta sillte edhe në vendlindjen e tij.

Mendimit dhe praktikës liberale të islamit ndër shqiptarët po i zihet fryma. Po imponohet diçka tjetër. Nëse jo me të mirë, atëherë përmes dajakut.

Këtë më së miri e ka kuptuar Bedri Halili, imami i xhaminë në Vushtrri, që ditë më parë u rrah nga disa vehabistë me të cilët, për çudi, Policia as që u mor fare.

Ndryshe nga Samiu, i brengosur për Dritanin, nipin që ia rrëmbyen, familjarët e Valonit nuk shprehën as dhembjen më të vogël për djalin e vrarë në Falluxha të Irakut, duke shfaqur realitetin tonë.
Një botë shqiptare e ndarë më dysh. E përçarë, në dy tabore të armiqësuara.
box
Ndryshe nga Samiu, i brengosur për Dritanin, nipin që ia rrëmbyen, familjarët e Valonit nuk shprehën as dhembjen më të vogël për djalin e vrarë në Falluxha të Irakut, duke shfaqur realitetin tonë.

Një botë shqiptare e ndarë më dysh. E përçarë, në dy tabore të armiqësuara.