I shoqëruar nga avokati, ish-deputeti socialist Alqi Bllako është paraqitur sot në Apelin e GJKKO për çështjen e inceneratorit të Fierit pasi Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim. Seanca është shtyrë për shkak se munguan avokatët.
Në tetor të 2025-ës, Gjykata e Lartë e ktheu çështjen në Apel për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese. Rekursi në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit të GJKKO ishte bërë nga prokurori i SPAK Dritan Prençi, por edhe nga mbrojtja e të pandehurve.
Dosja me 15 të pandehur i është nënshtruar sërish gjykimit në shkallën e dytë të gjyqësorit, ku të dënuarit nga shkalla e parë kërkojnë pafajësi dhe SPAK kërkon dënim edhe për tre të pandehur të shpallur të pafajshëm, Arben Dervishaj, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra.
Dënimi me 10 vite burg i Lefter Kokës dhe ai me 4 vite për Alqi Bllakon mbeten në fuqi, të dhëna nga GJKKO në shtator 2023. Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit aktiv, por u dënua me 2 vjet për korrupsion pasiv, shtatë vjet për skema mashtruese, dhe tetë vjet për pastrim parash. Pëllumb Abeshi u dënua me 3 vjet e 6 muaj, Erjon Murataj me 3 vite, Loran Dusha 7 vite, Arbër Denizi por me 7 vite, ndërkohë që të gjithë përfituan zbritjen me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











