Një vlonjat, me dy identitete të mëparshme, Indrit Aliu, siç janë gjeneralitetet e para të regjistruara kur ka lindur, dhe pas viteve 2015 me mbiemrin e ndryshuar, në Kolleshi, ka arritur të marrë një identitet krejtësisht tjetër, si izraelit. Ai e ndryshoi emrin në David Isaac, në Zyrën e gjendjes civile në Novoselë të Vlorës dhe hiqej si shqiptaro izraelit.
Por kur erdhi të jetojë në Tiranë, ai aplikoi për rinovim të pasaportës në njësinë numër 5 ku ishte banor. Aty u kuptua për herë të parë, se në Novoselë diçka nuk ishte bërë siç duhet dhe sistemi në Tiranë i nxori pasaportën e rinovuar por me emrin e dytë të tij, Indrit Kolleshi.
Sipas prokurorisë, vlonjati 41-vjeçar nuk hoqi dorë për të marrë në dorë pasaportën me identitetin izraelit. Kur kuptoi se në sistemin qendror të Gjendjes Civile figuronte me emrin e vjetër, ndërroi vendbanim, duke kaluar në njësinë numër 3 në Tiranë. Aty, më 29 dhjetor të vitit 2025, kërkoi të ndryshojë emrin dhe mbiemrin, duke paraqitur një certifikatë të falsifikuar me të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Izraelit. Punonjësja e zyrës, sipas organit të akuzës, nuk bëri verifikime për dokumentin, dhe e futi atë në sistemin e gjendjes civile. Këtu, Indrit Aliu ka arritur të bëjë fakt ndryshimin e emrit edhe në sistem, përmes një user-i (llogarie) në gjendjen civile të lënë aktive, që kishte qenë në përdorim më parë, nga një punonjës i dalë në pension prej të paktën 3 vitesh.
Nuk dihet se kush është personi direkt që është futur në sistemin e shtetit përmes këtij useri, por derisa hetimet ta zbulojnë, prokuroria vendosi masë pezullimi nga detyra për specialistin e IT-së në drejtorinë e përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme.
Por ndryshimi i identitetit të David Isaac nuk është i vetmi. Nga i njëjti user, sipas prokurorisë së Tiranës – “janë kryer një numër shumë i lartë veprimesh për ndryshime në gjendjen civile për persona që kanë probleme me ligjin, të dënuar, të deportuar nga vendet e Bashkimit Evropian etj”.
Vlonjati me 3 identitete u shpall në kërkim me masë arresti dhënë në mungesë i dyshuar për veprën penale falsifikim i dokumenteve. Ndërkohë edhe punonjësja në njësinë administrative nr.3 në Tiranë u pezullua nga detyra e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Indrit Aliu alias Kolleshi, i cili aktualisht mban pasaportën me identitetin David Isaac, është i dënuar më parë për mashtrim.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ në mungesë për shtetasin nën hetim D.I. alias I.K. alias I.A,. i dyshuar për veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe masat e sigurimit ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasit O.O. punonjëse në njësinë administrative nr.3 në Tiranë dhe shtetasin A.K., IT në Drejtorinë e Përgjithshmë të Gjendjes Civile, në Ministrisë së Brendshme.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 5052 të vitit 2026, rezultoi se shtetasi I.A. i dënuar më parë për veprën penale të mashtrimit, me veprimet e tij aktive ka cenuar veprimtarinë normale të organeve shtetërore si dhe marëdhëniet e shtetit shqiptar ndërkombëtarisht duke përdorur dokumente të falsifikuara sikur janë lëshuar nga shteti i Izraelit. Personi nën hetim, tregon me veprimet e tij për një rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke përdorur dokumente të falsifikuara për t’u pajisur më tej me dokumente identiteti të rreme si kartë identiteti dhe pasaportë biometrike për të lëvizur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Shtetasi I.A. alias I. K., rezulton se ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin në D.I., në Zyrën e gjendjes civile në Njësinë Administrative Novoselë, Bashkia Vlorë, dhe më datë 27.11.2025 nga ana njësisë administrative nr.5 Tiranë, ku ky person rezulton banor, u konstatua ndryshimi gjatë kontrollit të procedurës për riaplikim për pasaportë biometrike dhe ju vendosën gjeneralitetet e mëparshme nga D. I. në I. K.
Më pas më datë 29.12.2025 me një kërkesë për ndryshimin e vendbanimit nga njësia Administrative nr.3 Bashkia Tiranë u kryen veprime për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit sipas një certifikate që mban të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Izraelit nga I.K. në D.I., të dhëna që mbahen dhe aktualisht nga ky shtetas.
Organi procedues çmon se ka dyshime se ndryshimet e emrit dhe mbiemrit janë kryer në kundërshtim me ligjin 10129 datë 11.05.2009 “Për gjendjen Civile” dhe se dokumentet në gjuhën hebraike të paraqitura nga ky shtetas të jetë të falsifikuara.
Punonjësja e Gjendjes civile të Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr.3 Tiranë O.O. duket se ka pranuar në kundërshtim me ligjin një akt të emërtuar certifikatë për ndryshimin e emrit të lëshuar sipas dokumentit nga Ministria e Brendshme e Shtetit të Izraelit. Kjo shtetase ka pasur të dhënat në sistemin e gjendjes civile dhe nuk duhet të pranonte këtë dokument si të vlefshëm për të vijuar me ndryshimin e emrit dhe mbiemrit.
Organi procedues çmon se, dokumenti i emërtuar si certifikatë e Ministrisë së Brendshme Izraelite, nuk mund dhe nuk duhet të ishte i vlefshëm, i pashoqëruar me akte të tjera si kërkesa për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit dhe punonjësja e gjendjes civile ka patur detyrimin për verifikimin dhe analizën dhe të mospranonte regjistrimin e këtij ndryshimi.
Ndërkohë që nga hetimet rezulton se ndryshimi i të dhënave është bërë nga një user, mbajtësi i të cilit kishte dalë prej vitesh në pension dhe se nga ky user, janë kryer një numër shumë i lartë veprimesh për ndryshime ne gjendjen civile për persona që kanë probleme me ligjin, të dënuar, të deportuar nga vendet e Bashkimit Evropian etj. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre” për personat nën hetim O.O. dhe A.K.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento