Emri i tij i vërtetë është Indrit Aliu, 41 vjeç, nga Vlora. Sot ai ka edhe 2 identitete të tjera, dhe përveçse si shqiptar, mundi që me dokumente false të njihet edhe si izraelit. Historia nis në Zyrën e Gjendjes Civile në Njësinë Administrative Novoselë, në Vlorë, ku Indrit Aliu tashmë njihej zyrtarisht me emrin Indrit Kolleshi, ndryshoi identitetin e tij të plotë për herë të tretë, në David Isaac, si shtetas izraelit. Ndryshimi u konstatua më 27 nëntor të vitit të kaluar, kur aplikoi për t’u ripajisur me pasaportë biometrike. Gjatë kontrollit të procedurës, autoritetet konstatuan ndryshimin e të dhënave dhe rikthyen në sistem gjeneralitetet e mëparshme, nga David Isaac në Indrit Kolleshi.
Një muaj më vonë, më 29 dhjetor 2025, procedura e ndryshimit të emrit u përsërit. Këtë herë, përmes një kërkese për ndryshimin e vendbanimit në Njësinë Administrative nr. 3 të Tiranës, u krye sërish ndryshimi i emrit dhe mbiemrit, nga Indrit Kolleshi në David Isaac. Për këtë ndryshim, sipas Prokurorisë së Tiranës, u përdor një dokument në gjuhën hebraike, i paraqitur si certifikatë e Ministrisë së Brendshme të Izraelit. Organi i Akuzës dyshon se dokumenti në fjalë është i falsifikuar dhe se ndryshimi i identitetit është kryer në kundërshtim me ligjin e Gjendjes Civile. Për këtë, 41-vjeçari u shpall në kërkim për falsifikim dokumentesh, në masë sigurie “arrest në burg” në mungesë, i dënuar më parë për mashtrim. Sipas prokurorisë, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara synonte krijimin e një identiteti të ri dhe pajisjen me kartë identiteti e pasaportë biometrike shqiptare, me qëllim edhe lëvizjen jashtë territorit të Shqipërisë.
Prokuroria e konsideron me rrezikshmëri të lartë shoqërore 41-vjeçarin, pasi dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara, të paraqitura sikur ishin lëshuar nga shteti i Izraelit, për të ndryshuar identitetin e tij në Shqipëri. Sipas Prokurorisë, përmes këtyre dokumenteve, ai synonte të ndryshonte të dhënat e tij në gjendjen civile dhe më pas të pajisej me dokumente të reja identifikimi, konkretisht kartë identiteti dhe pasaportë biometrike. Hetuesit dyshojnë se qëllimi i tij ishte përdorimi i këtij identiteti të ri për të lëvizur jashtë territorit të Shqipërisë. Akuza vlerëson se kjo veprimtari ka cenuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore dhe ka prekur edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me një shtet të huaj, pasi dokumentet e përdorura pretendohej se ishin lëshuar nga autoritetet izraelite.
Hetimi për disa muaj i Krimit Ekonimik të Policisë së Tiranës dhe prokurorisë, nxori në pah edhe rolin e dy punonjësve të administratës. Punonjësja e Gjendjes Civile në Njësinë nr.3 në kryeqytet, 44 vjeçe, dyshohet se pranoi dokumentin izraelit pa kryer verifikimet e nevojshme dhe në kundërshtim me procedurat ligjore, tashmë e pezulluar nga detyra. Sipas organit të akuzës, dokumenti i paraqitur nuk duhej të ishte pranuar i vetëm për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit, pa dokumentacionin shoqërues dhe pa u verifikuar vlefshmëria e tij. Ndërkohë, hetuesit konstatuan se ndryshimi i të dhënave në sistemin e gjendjes civile u krye përmes një llogarie që i përkiste një punonjësi që kishte dalë në pension prej vitesh. Ky llogari rezulton të jetë përdorur për një numër të lartë ndryshimesh në gjendjen civile, përfshirë persona me probleme me ligjin, të dënuar apo edhe të deportuar nga vendet e Bashkimit Evropian. Për këtë, nga detyra u pezullua një 30-vjeçar, me detyrë IT në në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ në mungesë për shtetasin nën hetim D.I. alias I.K. alias I.A,. i dyshuar për veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe masat e sigurimit ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasit O.O. punonjëse në njësinë administrative nr.3 në Tiranë dhe shtetasin A.K., IT në Drejtorinë e Përgjithshmë të Gjendjes Civile, në Ministrisë së Brendshme.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 5052 të vitit 2026, rezultoi se shtetasi I.A. i dënuar më parë për veprën penale të mashtrimit, me veprimet e tij aktive ka cenuar veprimtarinë normale të organeve shtetërore si dhe marëdhëniet e shtetit shqiptar ndërkombëtarisht duke përdorur dokumente të falsifikuara sikur janë lëshuar nga shteti i Izraelit. Personi nën hetim, tregon me veprimet e tij për një rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke përdorur dokumente të falsifikuara për t’u pajisur më tej me dokumente identiteti të rreme si kartë identiteti dhe pasaportë biometrike për të lëvizur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Shtetasi I.A. alias I. K., rezulton se ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin në D.I., në Zyrën e gjendjes civile në Njësinë Administrative Novoselë, Bashkia Vlorë, dhe më datë 27.11.2025 nga ana njësisë administrative nr.5 Tiranë, ku ky person rezulton banor, u konstatua ndryshimi gjatë kontrollit të procedurës për riaplikim për pasaportë biometrike dhe ju vendosën gjeneralitetet e mëparshme nga D. I. në I. K.
Më pas më datë 29.12.2025 me një kërkesë për ndryshimin e vendbanimit nga njësia Administrative nr.3 Bashkia Tiranë u kryen veprime për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit sipas një certifikate që mban të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Izraelit nga I.K. në D.I., të dhëna që mbahen dhe aktualisht nga ky shtetas.
Organi procedues çmon se ka dyshime se ndryshimet e emrit dhe mbiemrit janë kryer në kundërshtim me ligjin 10129 datë 11.05.2009 “Për gjendjen Civile” dhe se dokumentet në gjuhën hebraike të paraqitura nga ky shtetas të jetë të falsifikuara.
Punonjësja e Gjendjes civile të Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr.3 Tiranë O.O. duket se ka pranuar në kundërshtim me ligjin një akt të emërtuar certifikatë për ndryshimin e emrit të lëshuar sipas dokumentit nga Ministria e Brendshme e Shtetit të Izraelit. Kjo shtetase ka pasur të dhënat në sistemin e gjendjes civile dhe nuk duhet të pranonte këtë dokument si të vlefshëm për të vijuar me ndryshimin e emrit dhe mbiemrit.
Organi procedues çmon se, dokumenti i emërtuar si certifikatë e Ministrisë së Brendshme Izraelite, nuk mund dhe nuk duhet të ishte i vlefshëm, i pashoqëruar me akte të tjera si kërkesa për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit dhe punonjësja e gjendjes civile ka patur detyrimin për verifikimin dhe analizën dhe të mospranonte regjistrimin e këtij ndryshimi.
Ndërkohë që nga hetimet rezulton se ndryshimi i të dhënave është bërë nga një user, mbajtësi i të cilit kishte dalë prej vitesh në pension dhe se nga ky user, janë kryer një numër shumë i lartë veprimesh për ndryshime ne gjendjen civile për persona që kanë probleme me ligjin, të dënuar, të deportuar nga vendet e Bashkimit Evropian etj. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre” për personat nën hetim O.O. dhe A.K.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento