Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur për situatën e Granit Xhakës pas rastit të certifikatës së falsifikuar të vaksinimit gjatë pandemisë së COVID. Kapiteni zviceran e ka pranuar gabimin dhe, sipas Yakin, ka marrë publikisht përgjegjësinë për veprimet e tij.

 “Graniti e ka kuptuar se ka bërë një gabim. Atij i vjen keq dhe publikisht e ka marrë përgjegjësinë”, deklaroi Yakin për “Blick”.

Xhaka ishte planifikuar të bashkohej me Zvicrën në Belek për përgatitjet e ndeshjeve të radhës. Megjithatë, pas bisedimeve me presidentin e SFV-së, Peter Knabel, ai vendosi të qëndrojë larg kombëtares për disa javë.

Vendimi synon të shmangë shpërqendrimin e ekipit nga debati publik rreth çështjes. Yakin pranoi se mungesa e mesfushorit është një humbje sportive për Zvicrën.

“Është sigurisht një keqardhje e madhe nga aspekti sportiv që duhet të bëj pa të”, tha ai.

Megjithatë, trajneri zviceran beson se vendimi i marrë është i duhuri në këtë moment.

Për rikthimin e Xhakës në grumbullimin e ardhshëm, Yakin nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare. Situata pritet të diskutohet nga SFV-ja me kapitenin pas katër ndeshjeve të kombëtares.

“Jam i bindur se do të gjejmë një zgjidhje të mirë për të gjithë”, theksoi Yakin.

Ai shtoi se është në kontakt të vazhdueshëm me Xhakën dhe vlerësoi qasjen e tij ndaj ekipit.