Rrobat e sapolara, të varura nëpër dritare dhe një grup policësh të shpenguar janë e vetmja gjurmë jete në këtë panoramë të ngrirë në kohë. Është mesditë, por të burgosurit janë mbyllur të gjithë nëpër qeli.
As muret e larta dhe as qelitë nuk i përshtaten imagjinatës për burgun sa korridori që ndan përmes një varg të pafundmë portash në ngjyrë gri. Në secilën prej tyre ka nga një dritare të ngushtë hekuri, aq sa me zor mund të futet dora e një njeriu. Prej tyre shfaqen dhjeta sy kureshtarë banorësh të detyruar, të cilët reagojnë pas çdo lëvizjeje. Asnjë fjalë! Korridori i burgut të Fushë-Krujës mund të jetë vendi më i heshtur në botë.
Burgu i hapur në vitin 2008 ka hapësirë për 312 persona, ndërsa 137 të tjerë mbahen mbi kapacitet. Të padëshiruarit i përkasin kategorisë së të paraburgosurve dhe kanë krijuar një efekt zinxhir vonesash në të gjitha aktivitetet e planifikuara.
Burgu megjithatë shkakton kuriozitet për shkak të famës së keqe të disa prej të burgosurve të seksionit të sigurisë së lartë. Një tentativë arratisjeje e pak muajve më parë dhe atentati me tritol kundër drejtorit Arben Suloj e rritën statusin e rrezikshmërisë në burgun e Fushë-Krujës.
Për t’u pajisur leje-kalimin për në burg të nevojitet një arsye zyrtare. Vizita e BIRN-it në burgun e Fushë-Krujës kishte si qëllim vëzhgimin e kushteve të të burgosurve, pas një shkrimi të botuar më parë për mbipopullimin. Kërkesa e mëparshme për autorizim nuk mori përgjigje.
Çështja u zgjidh me ndërhyrjen e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bledar Skënderi. Si këmbim, ai do të ishte i pranishëm në të gjitha etapat e vizitës brenda burgut të Fushë-Krujës.
Rrugës për në Fushë-Krujë, në një bisedë të shpenguar Skënderi flet për andrallat e shumta me numrin e lartë të personave prapa hekurave, buxhetin e shtrënguar dhe rrezikun e kësaj pune. Vetëm pak ditë më parë, drejtori i burgut, Arben Suloj është bërë shënjestër e një atentati me tritol dhe aktualisht ndodhet për kurim në Itali.
“Askush nuk reagoi për këtë ngjarje të rëndë,” thotë i zhgënjyer Skënderi. Në burgun e Fushë-Krujës pohojnë se Suloj është nisur drejt Italisë, falë parave të mbledhura nga kolegët dhe miqtë e tij. Në raste të tilla, burokracia shtetërore ndaj funksionarëve të vet ka një moskokëçarje therëse.
Qelitë me “5 yje” në sigurinë e lartë
Të burgosurit e Fushë-Krujës kalojnë përmes tre regjimeve; dhomës së observimit, paraburgimit dhe seksioneve të vuajtjes së dënimit. Kalimi nga njëra fazë në tjetrën rrit mirëqenien dhe zbeh shpresat e të dënuarve. Në këtë vëzhgim të autorizuar, ndiqet rendi i kundërt.
Në korridorin e akullt të sigurisë së lartë, heshtja thyhet sërish kur polici kërcet çelësin në bravën e qelisë nr. 7. Kartela mbi derë mban emrin e Indrit Dokles.
I dënuari i vetëm me burgim të përjetshëm i bandës së Durrësit heq sytë nga televizori plazma dhe ngrihet në këmbë për të na liruar karrigen. Qelia është e pastër dritë, ndërsa dy shtretërit e lartë stil marinari e zvogëlojnë siluetën e banorit të vetëm të saj.
Djali me vështrimin shpuzë lëviz ngadalë, përgjigjet shkurt dhe ngjan fare pak me fotografinë e vetme që bën xhiron mediatike sa herë flitet për bandën e Durrësit.
“Njeriu është si uji, merr formën e enës ku e hedh. Mësohesh me gjithçka,” thotë Dokle i brengosur, kur e pyet për peshën e të vuajtur të një dënimi pa datë skadence. Në korrik të vitit 2014, shpresa e Indrit Dokles për ulje dënimi mori një shuplakë të fortë.
“Po pres Gjykatën Kushtetuese,” thotë ai thuajse i dorëzuar, ndërsa përmend shprehjen më me famë të burgut mbi shpresën që vdes e fundit.
Indrit Dokle, i cili mban mbi shpinë një listë të gjatë vrasjesh e shtyn kohën duke luajtur futboll dhe parë televizor. Në qeli nuk i mungon asgjë, por personeli i burgut të Fushë-Krujës thotë se ai është i dshpruar që pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Nëndrejtori i Burgjeve, Skënderi, një ish-avokat në profesion i quan të dënuarit si Dokle “njerëz që nuk presin asgjë”.
“Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë më të vështirët për t’u menaxhuar, sepse nuk rrezikojnë asgjë. Nuk ka për ta numërim mbrapsht,” argumentoi Skënderi rrugës për në Fushë-Krujë, duke hedhur idenë e guximshme se për Shqipërinë me kriminalitet të lartë ka ardhur koha të ketë një mundësi apelimi për burgimin e përjetshëm.
Dy-tre qeli larg Dokles, një i dënuar tjetër i famshëm ka nisur numërimin mbrapsht. Lulzim Berisha është i çlirët e i qeshur në dhomën e tij high-tech. Nuk ankohet për veten, por i kërkon zv.drejtorit ushqim më të mirë për të burgosurit e tjerë.
I dënuari si kreu i të ashtuquajturës ‘Banda e Durrësit’ na qeras me bonbone “Rafaelo” dhe pohon se është në formë ngaqë luan shpesh futboll. Vendimi i Gjykatës së Lartë i hoqi burgimin e përjetshëm, duke e dënuar me 25 vjet.
“Marr frymë lirisht tani,” thotë ai i ngazëllyer. “Më duket sikur jam në Dubai”. Televizori flatscreen ka ngecur tek një serial që zgjat prej një jete. Në njërin prej shtretërve të katit të dytë rrinë ngjitur një tigan i larë dhe një grumbull librash, mes të cilëve edhe “Kurani” e të tjera botime fetare.
Lulzim Berisha është njëri prej besimtarëve myslimanë, që në kronikat për festat e Bajramit është filmuar duke u falur. “Kam qenë gjithmonë besimtar,” përgjigjet thatë ai.
Fqinji i Berishës, Fran Marashi është i zhurmshëm dhe plot energji. Babai i tre fëmijëve është i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e “Urës Vajgurore”, por famën e ka fituar me dy arratisjet e bujshme nga burgu. Tentativën e tretë për arrati e ka përgatitur nga e njëjta qeli në Fushë-Krujë, por tani pohon se edhe sikur dyert t’ia lesh hapur, nuk ikën.
“Gjykata më ka rihapur çështjen dhe pa mbaruar kjo punë nuk lëviz gishtin,” ia pret ai me seriozitet. Policët dhe shoku i qelisë qeshin me zë të lartë. Ka një alkimi të çuditshme mes punonjësve të burgut dhe burgosurve; të dy palët mirëkuptohen paqshëm për rolin e gjithsecilit.
“Ti ke programin tënd, ne kemi për detyrë të të ruajmë” i thotë Skënderi Marashit, ndërsa ky rreket të rendisë arsyet që e shtyjnë drejt arratisjes. Fran Marashi pretendon se është i pafajshëm dhe se është dënuar pa një proces gjyqësor të drejtë. Por përbetimet e tij bien në vesh të shurdhër.
Historia e dënimeve të padrejta është një ritual që përsëritet pafund, brenda regjimit të rreptë të burgut. Të dënuarit rihapin procese, shfrytëzojnë çdo të çarë në legjislacion, kalojnë sa në një gjykatë, në tjetrën dhe i japin vetes një mundësi për të shpresuar.
Në qelitë e tjera, të dënuarit lëvdojnë kushtet në qeli, por ankohen për ushqimin. Personeli nuk e vë fort ujin në zjarr, duke thënë se “tavat megjithatë përfundojnë të zbrazura”.
Në burgun e sigurisë së lartë dënimi më i ulët është 20 vjet burg. Me përjashtim të Berishës dhe Dokles që kanë dhoma individuale, të tjerët ndajnë dy veta një qeli.
Qelitë janë shumica të pajisura me televizorë dhe frigoriferë metalizzato, por edhe brenda burgut shtresat e ndryshme sociale i gjen të përfaqësuara njësoj si jashtë. Të burgosurit me emër mbajnë veshur tuta të firmuara, hanë ushqim të zgjedhur dhe mbulohen me batanije të shtrenjta.
Të tjerë kënaqen me ushqimin e burgut, veshin rroba të lira që i lajnë vetë dhe dhomën e kanë kthyer në magazinë sendesh shumëpërdorimëshe.
Peripecitë e paraburgimit
Burgu i sigurisë së lartë ndahet me paraburgimin nga një portë hekuri. Korridori është i njëjti, por dhomat janë të errëta dhe të mbushura dëng me njerëz, rroba, ushqime, koleksione bidonësh plastikë dhe një dyshek të mbështetur pas murit.
Edhe qelia e Konstandin Xhuvanit, autorit të masakrës me 4 viktima tek rruga e Elbasanit ofron të njëjtën pamje. “Kushtet e burgut? S’na mungon asgjë. Edhe ushqimi është shumë i mirë,” thotë ai me lehtësinë e një shakaje, ndërsa pranon më pas se vetë ai nuk ka shkuar asnjë ditë në mensë.
Xhuvani është buzagaz dhe shkëmben batuta me shokun e tij të qelisë Erald Sidën, ndërsa lan xhezven në një lavaman të mbushur plot me pjata të përdorura. Kur e pyet për krimin që u diskutua gjatë në Tiranë, përgjigjet prerë: “Gjëra që ndodhin.”
Uji vjen me orar në qelitë e paraburgimit, por djemtë e kthejnë edhe këtë mungesë në një mundësi për të justifikuar personelin e burgut.
Mes dy djemve, autorë të masakrës tronditëse në fillim të nëntorit, ka hyrë si mish i huaj një i paraburgosur nga Shkodra. I treti është i arrestuar për kultivim bimësh narkotike, ngjarje për të cilën pretendon se nuk ka gisht.
Xhuvani bën humor edhe me të, ndërsa zien kafe turke mbi një bombol të vogël gazi. Gjatë intervistave me personelin e burgut, ai nuk i ka pranuar aludimet se është përdorues droge. “Është agresiv dhe me natyrë të mbyllur,” na thotë një punonjës.
Pengu i tij? “I vetmi problem janë njerëzit që kam jashtë,” thotë autori i krimit më të komentuar të kohëve të fundit në Tiranë.
Në qelinë e dytë, një dyshek është i mbështetur pas murit, ndërsa banori i përkohshëm, një vlonjat i akuzuar për tentativë vjedhjeje me armë kërkon me ngulm të transferohet më pranë shtëpisë.
Personeli i thotë të bëjë durim sa të hapet burgu i Fierit, por ai shton se ka hallin e njerëzve të shtëpisë. Në paraburgim, thuajse çdo qeli ka nga tre krevate dhe katër të burgosur. Pamja përsëritet si fotokopje nga njëra qeli në tjetrën.
“Kemi 137 veta mbi kapacitet, të cilët flenë me dyshekë përtokë,’ thotë Ingridi, shefja e riedukimit të burgut të Fushë-Krujës. Ajo tregon se numri i lartë i të paraburgosurve prek gjithë zinxhirin e aktiviteteve rehabilituese.
“Por të gjithë ne po përpiqemi të bëjmë maksimumin për ta përballuar këtë situatë,” përfundon ajo.
/Marrë nga BIRN/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)