Pesë persona anëtarë të një familje mbetën të plagosur, njëri prej të cileve në gjendje të rëndë, pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në liqenin e Shkopetit.

Aksidenti ndodhi paraditen e sotme në aksin rrugor Milot Burrel, ndërsa personat e aksidentuar janë pjestare të së njëjtës familje.

Katër vëllezërit dhe bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, pikërisht Shkëlqim, Besnik, Bujar, Eduart e Donika Shehu të gjithë nga Bulqiza, po udhëtonin me mjetin e tyre tip Bez me targë AA 360 BC, kur kanë dalë nga rruga në vendin e quajtur sektori C në Shkopet.

Mësohet se ata ishin nisur të merrnin pjesë në një varrim në Durrës. Kanë qenë drejtues të tjerë mjetesh të cilët kanë pikasur daljen e mjetit tip Benz nga rruga ku kanë njoftuar policinë.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia e Matit. Sipas kësaj të fundit, gjatë rrokullisjes së mjetit, katërt nga pesë personat kanë dalë prej tij duke u ndalur në shkurre, ndërsa njëri nga të plagosurit nuk ka dalë nga mjeti pasi ky i fundit është ndalur buzë liqenit të Shkopetit.

Dy nga të plagosurit janë transportuar në spitalin e Laçit, dy të tjerë në atë të Lezhës dhe njëri nga të plagosurit i cili është më rëndë është dërguar në spitalin e traumës në Tiranë. Paraprakisht, dyshohet që shkak i këtij aksidenti të ketë qenë humbja e kontrollit të drejtuesit të mjetit. Kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve thonë që rruga është shumë e rrezikshme pasi mungojnë mbrojtëset anësore, po ashtu herë pas here ka rënie të gurëve në rrugë.

Numrin e lartë të aksidenteve në këtë segment rrugor e tregojnë edhe lapidaret, ku në vetëm pak metra janë vendosur tre të tillë.

[gallery]22184[/gallery]

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com