Familja e Mitrush Kutelit hedh
në gjyq biografin Tomi Mato

Familja e Mitrush Kutelit hedh<br />në gjyq biografin Tomi Mato
TIRANE- Një libër biografik për Mitrush Kutelin (Dhimitër Paskon) trondit, jo vetëm familjen e tij në Pogradec, por edhe studiuesit e letërsisë shqipe.

Pa kaluar në asnjë filtër akademik, libri “Kuteli, kalvari i një jete plot brenga” e Tomi Matos u cilësua si “një nga veprat e ralla” gjatë një promovimi në Universitetin Shtetëror të Tetovës (dhjetor 2013).

Paradoksalisht, vajza e shkrimtarit, Atalanta Pasko dërgon një reagim të fortë për këtë institucion, duke iu drejtuar me këto fjalë: “Miq, pedagogë e studentë të Tetovës, më vjen keq se keni respektuar dhe i keni dhënë hapësirë një mashtruesi, i cili jo vetëm s'ka pasur miqësi me Kutelin, por as ka biseduar ndonjëherë vetëm për vetëm me të. Ata ishin shumë-shumë larg për 101 e një arsye.

Kuteli i përshkruar nga Tomi Mato është një individ i rëndomtë që s'ngjan aspak me Kutelin e vërtetë. Tomi Mato ka shfrytëzuar elemente të biografisë së Kutelit për të realizuar një karnaval qesharak ku përzien të vdekur e të gjallë duke sajuar e fantazuar si ia ka dashur qejfi”. Me këtë motivacion familja e Kutelit e ka paditur Tomi Maton edhe në Gjykatën e Shkallës së parë në Pogradec, ku faza e parë e procesit gjyqësor më 27 dhjetor ka rezultuar me bllokimin e librit.
 
Promovimi në Tetovë
 
Në Tetovë promovimin e ka drejtuar Dr. Emine Shabani, ligjëruese në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ajo u tha të pranishmëve se autori i kësaj vepre ka qenë mik i afërt me Lasgush Poradecin e me Kutelin.

Ndërsa librin e prezantoi si “i filtruar nga të pavërtetat, i bindshëm në konstatime, i qartë në zbulimin e anëve të padukshme ajsbergiane të Kutelit…”. Ka folur edhe vetë autori Mato, i cili u ka rrëfyer studentëve “histori” të tjera se çfarë bisedonte me shkrimtarin e shquar. Pas një sjellje kaq flagrante të autorit të një biografie që nuk merr mundin as të takojë familjarët që janë ende gjallë të Kutelit, përveç procesit gjyqësor të hapur për Tomi Maton, ka pasur reagime edhe nga studiuesit. Dje në një intervistë për “Shqiptarja.com”, një nga studiuesit më në zë të letërsisë shqipe, Behar Gjoka, e quan daljen në shtyp të kësaj biografie “një përbaltje të tmerrshme të Kutelit”.
 
(Ne foto: Promovimi i librit në Universitetin e Tetovës. Në mes autori i biografisë Tomi Mato)

 Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!