Dhjetëra qytetarë morën pjesë në vigjiljen përkujtimore të mbajtur në kishën e Porcarit për familjen Kola, e cila humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e saj mbrëmjen e 4 shkurtit. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe xhaxhai, personi që gjeti trupat e pajetë. Ai ndërkohë ka dalë nga spitali.

I gjithë komuniteti i Porcarit u mblodh në kishën e San Giustos për të nderuar kujtimin e familjes Kola, e cila u shua nga gazrat e monoksidit të karbonit pak para se të ulej për darkë, në shtëpinë e blerë rreth një vit e gjysmë më parë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit. Qytetarët përkujtuan Artin Kola, bashkëshorten e tij Jonida dhe dy fëmijët, Hajdarin 22 vjeç dhe Xhesikën 15 vjeçe.

Familja ishte shumë e njohur dhe e respektuar në Porcari. Arti kishte ardhur nga Shqipëria rreth 10 vite më parë dhe kishte zgjedhur të ndërtonte jetën dhe të ardhmen e tij në këtë qytet të provincës së Luccës.

Mbrëmjen e tragjedisë, anëtarët e familjes u ndjenë keq për shkak të monoksidit. Djali dyshohet se ka tentuar të telefonojë shërbimet e emergjencës, por gjatë thirrjes ka dhënë numrin e gabuar të banesës, me shumë gjasë i çorientuar nga helmimi. I shqetësuar nga mungesa e kontakteve telefonike, xhaxhai shkoi më pas në shtëpinë e tyre. Edhe ai u ekspozua ndaj gazrave toksikë dhe, pasi hyri në banesë bashkë me ekipet e shpëtimit, u ndje keq dhe u dërgua në spital.

Për të shprehur afërsinë me komunitetin dhe për të nderuar familjen Kola, në kishën e Porcarit ishte i pranishëm edhe kardinali Ernest Simoni. “Jam pranë familjes së bashkëkombësve të mi shqiptarë – u shpreh ai – kam dashur të jem këtu për t’u bashkuar me lutje dhe për të sjellë ngushëllimin e fesë për gjithë komunitetin.”

Kisha ishte e mbushur plot, sidomos me të rinj, shumë prej të cilëve me lot në sy. Ata kujtuan Hajdarin dhe Xhesikën, të cilët kishin shumë miq në qytet. Pas vigjiljes, kardinali Simoni qëndroi gjatë me familjarët, veçanërisht me xhaxhain, me të cilin foli në shqip duke i shprehur ngushëllimet.

Meshën e drejtoi famullitari don Americo Marsili, i cili nuk lejoi praninë e kamerave gjatë ceremonisë. Në përfundim, kryebashkiaku Leonardo Fornaciari tha: “Porcari e ka përqafuar familjen Kola dhe miqtë e saj.”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:29
Tragjedia e familjes Kola në Lucca, xhaxhai hap GoFundMe për varrimin dhe kthimin e trupave në Shqipëri

1770492661_1770364403tragjediaefamiljesshqiptarenitali.jpg

Foto e familjes Kola dhe një buqetë me lule para banesës së tyre

Pas tragjedisë që tronditi Porcarin dhe gjithë komunitetin shqiptar në Itali, ku familja Kola humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e saj mbrëmjen e 4 shkurtit, është hapur një fushatë solidariteti në platformën GoFundMe për të ndihmuar familjarët e viktimave.

Fushata është iniciuar nga Durim Kola, xhaxhai i Hajdarit dhe Xhesikës, si dhe vëllai i Artit Kola, i cili ishte edhe personi që gjeti trupat e pajetë në banesë dhe që vetë përfundoi në spital për shkak të ekspozimit ndaj gazrave toksikë. Ai tashmë është jashtë rrezikut dhe është liruar nga spitali.

Në thirrjen e publikuar në GoFundMe, Durim Kola shprehet se fondet po mblidhen për të përballuar shpenzimet e funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Sipas tij, çdo shumë që do të mbetet pas mbulimit të këtyre shpenzimeve do të përdoret për të ndihmuar familjarët e viktimave.

“Jam Durim Kola. Po mbledh fonde për humbjen e familjes së vëllait tim, të cilët humbën jetën si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga kaldaja e gazit në Porcari, në provincën e Luccës. Fondet do të përdoren për shpenzimet e varrimit dhe për transportin e trupave në Shqipëri, ku do të zhvillohen edhe funeralet. Shumat që do të mbeten do të shërbejnë për të ndihmuar familjet e tyre. Ju falënderoj nga zemra për ndihmën”, thuhet në thirrje.