Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shpalli sot “tradhtarin” e radhës. Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha komentoi për herë të parë emërimin e ish-deputetit të tij Dashnor Sula si kryeinspektor i përgjithshëm.

Berisha tha se ky është akti më i lartë i tradhtisë, ndërsa ish-deputetin e konsideroi një “mollë të kalbur”. Kreu i PD shtoi se Edi Rama ka pasur si qëllim korruptimin e eksponentëve të

“Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut, quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë. Të tradhtosh ti ata, të cilët burra dhe gra fisnikë, kanë 12 vite që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me të gjithë gabimet që mund të kesh bërë, me të gjithë të tjerat, por të mbështesin si dritë, si shpresë për ta, dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës, dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë.

Po, por nga ana tjetër, ju garantoj se PD, me largimin... dhe unë në rast se e keni vënë re në diskutimet e mia, në mënyrë të përsëritur kam ngritur që ne duhet të ndahemi nga këta njerëz. Kam arritur në një përfundim. Kam konstatuar se një nga drejtimet më themelore të Edi Ramës ka qenë korruptimi i eksponentëve të opozitës. Një veprimtari e ulët.

Një veprimtari e turpshme, kriminale, kur një qeveri përdor mjetet e saj për të blerë, për të korruptuar përfaqësuesit e opozitës vetëm në funksion të pushtetit të vet. Ndaj dhe ne, çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjendet Edi Ramës në krah? E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai”, tha Berisha.

Me vendim të qeverisë, Sula u emërua kryeinspektor i Përgjithshëm duke zëvendësuar në këtë detyrë Shkëlqim Hajdarin, i cili u emërua Prefekt i Tiranës. Distancimi i Sulës me Partinë Demokratike nisi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pasi Sali Berisha nuk e përfshiu në listën e deputetëve.